Milionerët e PANhajnisë

Politika

Milionerët e PANhajnisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 qershor 2019 Në ora: 12:16
Qeveria Haradinaj

Ramush Haradinaj, Pal Lekaj, Behgjet Pacolli, Ekrem Mustafa, Besim Beqaj, Abelard Tahiri, Fatmir Limaj, Dardan Gashi, janë vetëm disa nga emrat që kanë pozita zyrtare e të larta në qeverinë e Kosovës, të cilët janë milionerë.

Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimet e pasurisë për zyrtarët publikë.

Nga 21 ministri, deklarimet e pasurisë janë bërë të ditura për krerët 19 prej tyre, përderisa nuk figurojnë të dhëna për Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi dhe atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

E në mesin e ministrave që deklaruan pasuritë e tyre ka edhe milionerë!

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli – biznesmen i njohur nga Kosova – kryeson për nga shuma e pasurisë.

Në deklarimin e tij figurojnë mbi 203 milionë euro pasuri në prona të paluajtshme, rreth 10 milionë e 500 mijë euro pasuri e luajtshme, para të gatshme nëpër institucione financiare gati 5 milionë euro dhe të hyra vjetore nga biznese të ndryshme mbi një milionë euro.

Veç Pacollit, sipas publikimeve të Agjencisë kundër Korrupsionit, edhe tre ministra janë milionerë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka të deklaruar mbi 2 milionë euro pasuri të paluajtshme, 10 mijë euro pasuri e luajtshme, mbi 3 mijë euro para të gatshme në institucione financiare dhe të hyra vjetore mbi 39 mijë euro.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar mbi 1 milion euro pasuri të paluajtshme, para të gatshme mbi 9 mijë euro dhe të hyra vjetore 34 mijë e 677 euro.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar 1 milion e 780 mijë euro pasuri në prona të paluajtshme, 41 mijë e 300 euro në prona të luajtshme, para të gatshme mbi 14 mijë euro dhe të hyra vjetore 22 mijë euro.

Me nga 700 mijë euro pasuri të paluajtshme të deklaruara renditen Dijana Zhiviq, Bedri Hamza e Rrustem Berisha, të cilët gëzojnë edhe prona të luajtshme e para të gatshme.

Lidhur me këta zyrtarë milionerë të qeverisë, kanë folur për “Bota sot” njohës të çështjeve politike.

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, kritikon udhëheqësit e vendit se prokurorët dhe gjykatësit po i caktojnë vet, duke shtuar se është një rreth i mbyllur ku politika menaxhon që buxhetin e shtetit dhe të ardhurat e kompanive publike sipas qejfit të vet.

Fadil Lepaja: “Me rrogë i kanë ba”

Image
Fadil Lepaja

“Me rrogë i kanë ba! Kanë të drejtë të jenë milioner pa dhënë kurrfarë llogarie pasi me ligj nuk kërkohet të deklarohet prejardhja e pasurisë, por vetëm mund të konfiskohet pasuria e krijuar me krim, i cili duhet të dëshmohet përmes një procesi gjyqësor, dhe një vendimi të plotfuqishëm. Kjo nuk ndodhë asnjëherë pasi udhëheqjen e anti korrupsionit e caktojnë vet. Gjykatësit dhe prokurorët i caktojnë vet. Taks forcën antikorrupsion e koordinon presidenti. Me një fjalë është një rreth i mbyllur ku politika menaxhon që buxhetin e shtetit dhe të ardhurat e kompanive publike sipas qejfit të vet, ndërkohë që opozita apo shoqëria civile nuk ka mundësi të ndikoj apo pengoj asnjë proces korruptiv”, potencoi Lepaja.

Ai thotë se pavarësisht na pëlqeu apo jo, duhet ta ‘pranojmë’ se kjo është e rregulluar me ligj.

“Kështu, sado që tingëllon qesharake jemi të detyruar të pranojmë se me ligj janë në rregull, dhe se pushteti administrativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është nën kontroll të plotë të një grupi njerëzish që marrin vendime, ndajnë buxhetin dhe kontrollojnë gjithçka në këtë shoqëri. Edhe opinionin. Pra, me rrogë i kanë ba”, u shpreh Lepaja.

Të ekzekutohet ligji për konfiskim të pasurisë

Image
Mirsad Voca

Ndërsa analisti tjetër, Mirsad Voca, mendon se ligji për konfiskim të pasurisë duhet të bëhet ekzekutues.

“Pasuria e fituar me punë e mund dhe e ligjshme në një vend demokratik dhe të lirë është pa mëdyshje e pranueshme dhe e arsyetueshme. Siç pata theksuar në një shkrim të mëparshëm, pasuria e paligjshme do të duhej absolutisht pa asnjë hezitim të rrëmbehet nga Shteti. Dhe natyrisht për të realizuar këtë, do të duhej që ligji për konfiskim të pasurisë të bëhet ekzekutues. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë transparencë të plotë sa i përket përfaqësuesve të tyre politik, kështu që Shteti patjetër duhet ndërmarr masa të nevojshme për të konfiskuar pasurinë e paligjshme. Po të fillonte të realizohet një gjë e tillë, besoj me bindje të plotë se numri i qytetarëve të Kosovës që braktisin vendin do të bie ndjeshëm, besimi ndaj institucioneve të Shtetit do të rritej dhe Shteti do të fillonte të frymoj më shumë Drejtësi e që kjo e fundit përbën themelin e një Shteti ligjor”, ka thënë ai për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Voca është shprehur se shteti është i kapur nga “pseudo heronjtë të gjallë”, e që janë shndërruar në zhvatës të shtetit.

“Nga një perspektivë e tillë të Shtetit ligjor, medoemos Kosova do të zhvillohej shumë lehtë dhe me hapa shumë të shpejtë edhe në fusha tjera siç janë : Ekonomia, Arsimi, Shëndetësia, Siguria, Planifikimi hapësinorë etj. Thënë thjesht këtë e dëshiron çdo familje e shëndoshë kosovare, çdo qytetarë i Kosovës. Dhe e mira e kësaj pune është realizimi i thjeshtë i këtij projekti mirëpo sado i thjeshtë që të jetë për tu realizuar si shtet ligjor kur vendi gjendet i kapur nga pseudo heronjtë të gjallë e që janë shndërruar në zhvatës të Shtetit, nga kriminelë ekonomik, nga përfaqësues politik pothuaj pa asnjë dinjitet njerëzor, nga grupe të interesit të shfrenuar për tu pasuruar pafund pa marrë parasysh mjetin, nuk do mend se Shteti i Kosovës stagnon, çalon dhe kështu kemi vetëm regres. Që nga çlirimi nga okupatori serb, pastaj me fitimin e pavarësisë më ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, Populli i Kosovës kurrë nuk ka qenë në një situatë politike kaq të favorshme për të vendosur më lirshëm për të realizuar aspiratat e plota për një Shtet ligjor, demokratik e të lirë”, tha ai.

Voca thotë se Kosova tani duhet të fokusohet në krijimin e shtetit ligjor.

“Tani fatkeqësisht, i njëjti popull që vuajti nga okupimi hegjemonist e gjenocidial serb, po vuan nga vet njerëzit e saj të cilët nuk po arrijnë të krijojnë shtet ligjor, drejtësi të paanshme dhe jo selektive që përbën bazamentin e ndërtimit shtetëror. Kjo është shtylla themelore, primordiale që duhet të ndërtohet në Kosovë, dhe ata që arrijnë ta realizojnë këtë, do të jenë njëmend heronjtë e Shtetit modern të Kosovës. Përderisa më parë jemi ballafquar si shoqëri kundër okupatorit serb me qëllim për të fituar lirinë, tani Populli i Kosovës do të duhej të fokusohet në krijimin e Shtetit ligjor, baza e të cilit është drejtësia efektive, e paanshme dhe jo selektive, me qëllim për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik”, u shpreh Voca.

Kadrijaj: Ky deklarim është vetëm sa për mbulim të keqpërdorimeve

Image
Mustafë Kadrijaj

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, për “Bota sot” ka thënë se ky deklarim është i vetëm mbulim i keqpërdorimit dhe i pasurisë së paligjshme. Ai pyet se si disa zyrtarë kanë marrë kredi, ndërsa kanë mjete të majme në llogari bankare.

“Deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve shtetëror nuk është asgjë më shumë vetëm mbulim i keqpërdorimit dhe i pasurisë së paligjshme. E them këtë sepse deklarojnë si duan dhe sa të duan ia japin vlerën e vet pasurisë së caktuar dhe absurditeti më i madh është që në njërën anë deklarojnë që kanë kredi ndërsa në anën tjetër kanë mjete kesh në llogari apo bankë tjetër. Pra, si ka mundësi që të ketë mjete kesh, ndërsa merr kredi këtë nuk e pranon logjika ekonomike. Pra, të gjitha këto ligje dhe mekanizma anti korrupsion vetëm çka po e zyrtarizojnë korrupsionin”, ka potencuar Kadrijaj.

Ai tutje thotë se mungon guximi për një investigim kronologjik që nga paslufta për të hyrat e tyre.

“Me këtë dua të theksojë që Kosova ka ligje dhe institucione, por këto institucione nuk kanë vullnet apo guximin që të bëjnë një investigim kronologjik që nga paslufta duke marr pasurin e dalur nga lufta dhe ndryshimin e saj duke e krahasuar me të hyrat e tyre legale, pra me të duhet një auditim i pavarur i cili ka të drejtën të ia jep vlerën pasurisë sipas kërkesës në treg si dhe burimin e asaj pasurie në fizike apo monetare. Pra sipas logjikes ekonomike nuk mund të blen apo të shpenzon pa pasur të hyra dhe ato të hyra ose janë nga paga apo mund të ketë biznes por jo me arsyetimet banale që ju kanë ndihmuar miqtë për të bërë pasur milionëshe. Mund të i kujtojmë opinionit që përderisa nuk kërkojmë llogari nga zyrtarët dhe njërit të penalizohen me votën tonë nuk ka të ndalur sepse kjo elitë politike nuk përmirësohet duke qenë në pushtet por duke e larguar”, ka thënë Kadrijaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat