Ana Brnabiq i frikësohet ish-komandantit të UÇK-së

Politika

Ana Brnabiq i frikësohet ish-komandantit të UÇK-së

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 9 qershor 2019 Në ora: 14:39
Ana Brnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, sikur nuk i ka mjaftuar deklarata  fyese që ka bërë ditë më parë drejtuar liderëve të Kosovës, e cila tha se  “janë njerëz të dalë nga mali”.

Ana Brnabiq ka thënë se nuk e ndjen nevojën të kërkojë falje, për deklaratën e saj, e cila  shkaktoi reagime nga zyrtarë të huaj dhe të politikanëve të Kosovës.

“Është dëshmuar se me ata është e pamundur të bisedohet”, ka deklaruar shefja e qeverisë serbe në një emision televiziv në Serbi.

“Nuk e di si duhet quajtur këta njerëz, që ta kuptojnë të gjithë me kë kemi punë. Është shumë e vështirë, dhe është dëshmuar se me këta njerëz është e pamundur të bisedohet. Ata vazhdimisht thonë se nëse nuk arrijnë që Serbia ta njohë Kosovën do të kthehen në male”, ka shtuar kryeministrja serbe.

Gjithashtu kryeministrja serbe është deklaruar edhe për bashkëkryesuesin e Delegacionit për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limajn, dhe sipas saj, do të donte që dialogun me Serbinë ta udhëheqte ndonjë profesor.

Dushica-Bajrami: Fatmir Limajt nuk i duhet respekti i Ana Brnabiq

Image
Valdete Dushica-Bajrami

Ndërsa, në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot”, foli shefja e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, njëherësh, Kryetare e Gruas së Nismës Socialdemokrate, Valdete Dushica-Bajrami, e cila tha se Fatmir Limajt nuk i duhet respekti i një zonje e cila po vazhdon t’i promovojë e t’i përkrahë politikat e ish-kasapit të Ballkanit me këtë logjik.

“Ajo as që ka pasur ndonjëherë të drejtë dhe as kurrë nuk do ta ketë që të përzihet në çështjet e shtetit tonë, pos që duhet të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj popullit tonë dhe që duhet të distancohet nga promovimi i gjuhës së urrejtjes të cilën ajo e besa edhe presidenti i saj po vazhdojnë ta përdorin për çdo ditë”, tha shefja e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit Limaj, Valdete Dushica-Bajrami.

Tutje, Dushica-Bajrami potencoi se ajo bënë mirë të pranojë edhe një fakt se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe sovran.

Krasniqi: Nëse Ana Brnabiq ka harruar, ua kujtojmë që për Kosovën vendosin institucionet dhe populli

Image
Albert Krasniqi

Këshilltari politik në Delegacionin shtetëror për Bisedime me Serbinë, Albert Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tregoi se është e qartë se palën serbe po e pengon kryenegociatori i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, ngase, siç tha ai, ata në njëfarë forme po i frikësohen ish-komandantit të UÇK-së.

“Pas Vuçiqit dhe Daçiqit tani edhe kryeministrja e këtij vendi Ana Brnabiq paska kundërshtuar Z. Limajn ta përfaqësojë Kosovën. Ata po i frikëson profili intelektual, bagazhi i lartë politik, përfaqësimi dinjitoz shtetëror, qëndrimit të prerë në raport me Serbinë si dhe fuqisë negociuese të z. Limaj”, tha ai.

Tutje, Krasniqi shtoi se për këtë çështje si për çdo çështje tjetër kanë vendosur dhe vendosin institucionet e Kosovës.

“Nëse ata kanë harruar ne ua kujtojmë që për Kosovën vendosin vetëm institucionet dhe populli i Kosovës, për secilin veprim, edhe me rastin e mandatimit të ekipit negociator” tha këshilltari politik në Delegacionin shtetëror, Albert Krasniqi.

Sipas tij, pala serbe duhet të merret me krijimin ekipit të tyre negociator dhe për çështjet e tyre.

Tashmë po bëhen 20 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe mbi 11 vjet nga shpallja e Pavarësisë, siç potencoi ai, është kohë e mjaftueshme për të reflektuar pala serbe sepse është interes i përbashkët i të dy shteteve për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtare.

Ndërkaq, njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se deklaratat e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, janë vetëm për konsum të brendshëm politik dhe se politikanët e Serbisë shqiptarët i kanë parë si të nënshtruar dhe kokëulur që nuk guxojnë ta kthejnë fjalën.

Tahiri: Serbia do të ndihet e humbur në çdo zgjidhje, prandaj po e akuzon udhëheqjen e Kosovës

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri, foli për gazetën “Bota sot”, ku theksoi se edhe Fatmir Limaj është magjistër i shkencave politike, siç tha ai,  më herët ka qenë student shumë i mirë në Fakultetin Juridik.

Por, siç thotë ai, kategorizimi me shumë flet për komplekset dhe paragjykimet e Brnabiq për shqiptarët, sepse politikanët e Serbisë të mbështetur nga policia e ushtria e tyre, shqiptarët i kanë parë si të nënshtruar dhe kokëulur qe nuk guxojnë ta kthejnë fjalën.

“Kjo kategori dëshiron ta fshijë UÇK-në dhe kundërshtimin me armë dhe kthimin e dinjitetit, por edhe të barabarësisë dhe të reciprocitetit”, ka thënë politologu, Ramush Tahiri.

Ai tutje, tha se në këto parime Serbia do të ndihet e humbur në çdo zgjidhje prandaj po e akuzon të papërshtatshme udhëheqjen e Kosovës.

Shala: Deklarimet mbi krerët e institucioneve e dëshmon dhe vërteton që do ketë marrëveshje përfundimtare

Image
Drizan Shala

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala për gazetën “Bota sot”, është shprehur se deklarimet e kryeministres së Serbisë mbi krerët e institucioneve e dëshmon dhe vërteton që do të ketë marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, ngase, sipas tij, këto deklarime janë pasqyrim të asaj që të paraqitet "humbja apo fitorja" procesi i suksesshëm në raport me Kosovën.

“Sepse, në fund, rezultati është vetëm për konsum personal të deklaruesve të kësaj deklarate. Në fund të këtij procesi do të thuhet që më "njerëz nga mali" nuk patëm mundësi tjetër përpos lëshim pe në raport me procesin e Kosovës por gjithmonë duke mbajtur tërësinë në favor të saj (pjesa veriore, përafruesit serb në Kuvend të Kosovës, Asociacioni i Komunave Serbe etj)”, tha Shala.

Burjani: Deklarata e kryeministres serbe është paushalle dhe e pa vend

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë deklaratë, analisti dhe juristi, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, tha se delegacioni i Kosovës nuk pyet Serbinë, pra kjo deklaratë sipas tij, as nuk ka nevojë të komentohet dhe as të merret kush në Kosovë.
“Kosova e ka ekipin e vet të dialogut, pra nuk ka nevojë as të flitet për këtë temë, deklarata e kryeministres serbe është paushalle dhe e pa vend”.

Tutje, Burjani tha se Ekipi i Kosovës është aprovuar nga Kuvendi i shtetit të Kosovës. Sipas tij, çështja e delegacionit dhe përbërjes së tij, janë kompetencë e plotë e shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat