Mashtruesit veteranë mund të dënohen deri në 20 vite burg, Kadri Veseli “përzihet” në drejtësi

Politika

Mashtruesit veteranë mund të dënohen deri në 20 vite burg, Kadri Veseli “përzihet” në drejtësi

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 11 qershor 2019 Në ora: 20:12
Aktakuza është ngritur ndaj: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Nga 40 mijë veteranët që hynë jashtëligjshëm në listë, Zona Operative e Dukagjinit është zona më e prekura.

“Çka pritet prej një personi si Kadri Veseli kur ndër të tjera bazuar edhe në deklaratën e ish prokurorit special Elez Blakaj, kryeprokurori Lumezi nuk ka lejuar marrjen ne dëshmi të tij për shkak kinse imunitetit. Pra, kështu ka deklaruar ish prokurori special Blakaj, të cilin nuk e lejuan ta bëj punën e tij siç duhet sepse i bën presion dhe e kërcënuan”, tha Albulena Haxhiu, deputete e VV-së.

Çështja e fryrjes së listave të veteranëve vazhdon të përbëj shqetësim në opinion, ndërkohë që Prokuroria ka ngritur edhe akuza. Së fundi, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mori iniciativën që ta formojë një komision hetimor parlamentar për listat e veteranëve të luftës.

Kryetari i PDK-së, gjegjësisht kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference për media ka njoftuar se grupi parlamentar i PDK-së do të iniciojë krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e listave të veteranëve të luftës, shkruan “Bota sot”.

“Javën që vjen PDK-ja do të nisë një tjetër iniciative legjitime, lidhur me statusin e veteranëve të luftës për të cilët ka dyshime se janë pa merita. Duhet ta pranojmë faktin se jo pak njerëz në nivele të larta edhe nga UÇK-ja, kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fuqinë e tyre. Kjo duhet të marrë fund. Këta kanë dëmtuar më së shumti reputacionin e UÇK-së”, ka thënë ai.

Veseli, ka shtuar se do të ketë ballafaqim me fakte ashtu siç do të ballafaqohen listat tradicionale që kanë pasur organizatat e luftëtarëve në fazën e rekrutimit të brendshëm dhe çfarëdolloj fryrje që ka pasur më pas.

Izmaku: Le të ndahen nga abuzuesit ata që e patën të vërtetë pjesëmarrjen në luftë

Deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku për gazetën “Bota sot”, tha se ishte e nevojshme iniciativa e kryetarit të partisë së cilës i përket, që të krijohet grupi hetimor dhe që më në fund të zbardhen listat.

Image
Xhevahire Izmaku

“Iniciativën e konsideroj shumë të duhur dhe pozitive! Në një mandat kur ish-luftëtarët i kemi në krye të institucioneve më të rëndësishme të vendit, unë pres që të kemi edhe qasje në tema që s’janë të lehta për t’u zgjidhë. Andaj, iniciativa për krijimin e këtij komisioni ka shumë aspekte pozitive. Le të ndahen nga abuzuesit ata që e patën të vërtetë pjesëmarrjen në luftë! Pastrimi i listave e qetëson shoqërinë dhe mbyllet debati përgjithmonë i një teme shumë të ndjeshme”, tha ajo.

Për “Bota sot”, Izmaku, u shpreh se duke i akuzuar veteranët e rrejshëm, shpesh i lëndojmë edhe ata që vërtet janë për tu respektuar. Ky komision ka shumë rëndësi dhe pres që shpejt do ta jap votën time për në këtë drejtim.

Haxhiu: Çfarëdo propozimi që vjen nga Kadri Veseli, ka ndonjë sherr prapa

Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu, nga radhët e Vetëvendosjes, mendon ndryshe.

Ajo për “Bota sot”, thotë se çdo propozim nga ana e kryetarit të Parlamentit të Kosovës, siç shprehet ajo, ka një sherr mbrapa.

Image
Albulena Haxhiu

“Çfarëdo propozimi që vjen nga Kadri Veseli ka ndonjë sherr prapa. Tani së fundi kanë dalur disa propozime të tij që të gjitha këto kanë për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes dhe diskutimin mbi to, sikur për Tribunalin, tani edhe për komisionin hetimor”, tha ajo.

Më tej, Haxhiu, shtoi se një person si Veseli nuk mund të ketë kredibilitet për të marr asnjë iniciativë.

“Çka pritet prej një personi si Kadri Veseli kur ndër të tjera bazuar edhe në deklaratën e ish prokurorit special Elez Blakaj, kryeprokurori Lumezi nuk ka lejuar marrjen ne dëshmi të tij për shkak kinse imunitetit. Pra, kështu ka deklaruar ish prokurori special Blakaj, të cilin nuk e lejuan ta bëj punën e tij siç duhet sepse i bën presion dhe e kërcënuan”, tha Haxhiu.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, ajo çfarë duhet bërë Veseli po edhe Haradinaj, është të mos iu bëjnë presion prokurorëve.

“Pra ajo çfarë do të duhej të bënte Veseli e Haradianaj, është të mos u bëjnë presione e kërcënime prokurorëve, ti lënë të lirë ata të veprojnë. Dhe padyshim para çfarëdo komisioni duhet zgjedhje të jashtëzakonshme për largimin e Veselit e Haradinajt”, deklaroi Haxhiu.

Gashi: Veseli ndihet i turpëruar

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi, për “Bota sot”, u shpreh se nuk është e nevojshme të krijohet një komision i veçantë hetimor për të ashtuquajturit veteranë të rrejshëm, të cilët në aspektin penal janë mashtrues dhe të cilët kanë kryer vepra të rënda penale.

Gashi, u shpreh se veçmas mashtruesit me emblemë të UÇK-së, vërtetohet se këtë e kanë bërë në formë të organizuar duke kryer dhe vepra të tjera penale mund të dënohen deri në 20 vite burg dhe po ashtu dënime shtesë në të holla prej 500 mijë eurosh.

Image
Tomë Gashi

“Meqenëse dëmi në buxhetin e Kosovës është jashtëzakonisht i madh dhe ka arritur me dhjetëra miliona euro të dëmtimit, kjo është një dëm jashtëzakonisht i madh material – thjesht vjedhje e taksapaguesve dhe gjithmonë flasim për të ashtuquajturin veteranë të UÇK-së, të cilët nuk meritojnë fare këtë emër, por thjesht duhet të emërohen vetëm si mashtrues pa e përlyer fare emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se në të vërtet të gjithë shqiptarët ndjehen të fyer me veprime të tilla të cilët edhe janë veteranë të UÇK-së por posaçërisht ndihen të fyer ish – pjesëtarët të cilët janë veteranë të luftës”, tha Gashi.

Megjithatë, Gashi, pohoi se kryetari i Parlamentit të Kosovës duke qenë edhe vetë pjesë e hierarkisë së lartë të UÇK-së ndihet i turpëruar me veprimet e këtyre mashtruesve dhe normalisht se kjo iniciativë e ka efektin e sensibilizimit të Republikës së Kosovës.

Gashi, po ashtu tha se në secilën Prokurori Themelore në Kosovë janë duke u zhvilluar hetimet e përgjithshme, për këta persona që kanë keqpërdor luftën për çlirim nga okupatori serb për përfitime të veta dhe të grupit që i takojnë.

“Kadri Veseli, por edhe udhëheqësit tjerë të Kosovës me siguri që ndihmën më të madhe për Kosovën në këtë rast do ta bënin duke paraqitur iniciativa për ndryshime të duhura në ligjin për veteranët e UÇK-së, ku secili prej aplikuesve do të duhej të filtrohej edhe një herë dhe përgjegjësinë më të madhe morale e kombëtare, duhet ta kenë ata të cilët tipave të tillë që mund të jenë mashtrues ordinerë që ju kanë mundësuar bartjen e emblemës së asaj që do të duhet të ishte e shenjtë, që përjetësisht do të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e të cilën këta mashtrues për pak lekë tentuan që ta njollosin”, tha Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat