Kosova nuk është çliruar, derisa banditët janë në pushtet

Politika

Kosova nuk është çliruar, derisa banditët janë në pushtet

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 12 qershor 2019 Në ora: 09:16
Foto ilustrim: Krerët e vendit

Vetëm pesë muaj pa çlirimit, u lajmërua se do të vij presidenti Bill Clinton në Ferizaj. Isha i emocionuar që isha zgjedhur në mesin e atyre fëmijëve të Kosovës, që do e takonin njeriun që na shpëtoj. Ishte ndjesi e jashtëzakonshme të takosh heroin tënd, njeriun pa të cilin nuk do ishim kthyer asnjëherë në shtëpitë tona. Më kujtohet se si presidenti Clinton na fliste për pajtim, falje duke na inkuadruar që të ndërtojmë Kosovën ashtu siç e kishim ëndërruar.

Fatkeqësisht edhe njëzet vjet pas Kosova nuk ka ecur tutje, duke ngelur në me probleme të ndryshme, gjithsesi duhet theksuar se 12 qershori ka hy në historinë e Kosovës si Dita e çlirimit. Kjo ditë s`do të ishte e mundur pa kontributin e Presidentin Rugova, Adem Jashari si dhe presidentin Clinton. Në kuadër të njëzet vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia, fatkeqësisht Kosova përsëri ndodhet e pushtuar nga bandat dhe mafia e politikës. Këta janë edhe më të rrezikshëm se armiku shekullor/ Ndonëse Serbia arriti t’i depërtonte mbi një milion shqiptar nga trojet e veta, pas mbarimit të luftës ata menjëherë u kthyen me shpresën se vendi është i lirë, dhe më në fund mund të jetojmë këtu të lirë dhe të ndershëm.

Shpresa dhe gëzimi ishte aq i madh, sa njerëz kanë lënë edhe jetën e mirë në vendet perëndimore vetëm për tu kthyer këtu. Një pjesë të arsyes ishte edhe besimi që qytetaret kishin tek presidenti Rugova, të cilin e votuan dhe e mbështetën deri në frymën e fundit, mirëpo me ikjen e tij në amshim shpresa më humbi. Jo më kot qytetarët e zakonshëm shprehën “veç një Rugovë ish pas kanë”, duke aluduar se vetëm ai punoi pa hile për Kosovën.

Dhe, faktikisht kështu edhe doli të jetë, vetëm Rugova punoi për këtë vend, këta që erdhën pas tij e degraduan shtetin në të gjitha segmentet e tija. Kjo rezultoi edhe me ikjen masive të vendit, Kosova sot është në numër dhe territor shumë më e vogël se njëzet vjet më parë, në vend se të ishte e kundërta. Por kështu ndodh kur shtetin e marrin në dorë njerëz të ardhur me parashutë, njerëz që nuk dinë të bëjnë shtet por janë egoistë. Natyrisht se ardhja e Presidentin Klinton me gruan e tij zonjën Hillary si dhe ish sekretarin Albright, shprehin edhe një herë se bombardimi i Serbisë ishte i duhur për të shpëtuar një popull nga shfarosja, si dhe është shpresë se SHBA nuk do të braktisin popullin e Kosovës asnjëherë. Do të ishte e mirë dhe e rrugës që SHBA të braktisin klasën politike në qeveri, e cila s`po punon as sipas porosisë se presidentin Clinton qe tha “ ne fituam luftën, ju fitoni paqen”.

Paja nuk u fitua deri tani asnjëherë, ajo po cenohet çdo ditë nga ikja e qytetarëve, si dhe është në rrezik kur bandat janë në pushtet. Paqja nënkupton shtet të drejtë, respektim i të të drejtave të qytetarëve, dhe luftim ndaj krimit dhe korrupsionit. Kjo nuk mund të ndodh, kur ata që duhet luftuar janë në politikë. Edhe presidenti Clinton, ashtu si edhe qytetaret e rëndomtë, do të donin të shihnin një Kosovë ndryshe në këtë 20 vjetor, por realiteti është ky. Ky realitet buçet për të larguar të keqën që i ka zënë frymën një populli të tërë. Klasa politikë, kjo në pushtet, duhet përzënë nga politika që ky vend të merr frymë lirshëm, ndryshe as liria s`ka kuptim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat