Vendimet e mëdha për Kosovën mund të merren vetëm me prezencën dhe kujdesin e shtuar të SHBA-ve

Politika

Vendimet e mëdha për Kosovën mund të merren vetëm me prezencën dhe kujdesin e shtuar të SHBA-ve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 qershor 2019 Në ora: 13:22
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Federica Mogherini

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar prej kohësh dhe nga Serbia thonë se nuk do ta vazhdojnë deri në heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Por, pavarësisht kësaj, optimizmi për një marrëveshje finale mes të dyja shteteve po vazhdon

Së fundmi kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin, e pas takimit ka folur edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshje që siç e ka quajtur ai “Vendimi i Madh”, në të cilën do të jenë të përfshira SHBA-të, Gjermania dhe Franca.

Ideja për marrëveshjen kornizë!

Ai është shprehur skeptik për një marrëveshje të tillë shumë shpejt, por sipas tij këtë energji të perëndimit duhet shfrytëzuar për të arritur të paktën një “Marrëveshje Kornizë”, që më pas do të negociohet nga një përfaqësues i lartë, që potencialisht do të jetë nga Gjermania, e që do të qëndrojë i kyçur gjithmonë në procesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Janë dy mundësi. Një është një mundësi e vendimit të madh. Edhe duhet ende të shpresojmë pas involvimit të presidentit Trump, por edhe sidomos tash pas involivimi direkt dhe personal të kancelares gjermane, Merkel, dhe presidentit të Francës, Makron, duhet shpresojmë edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjes së madhe”, ka thënë kryeministri.

Ndërkohë si mundësi të dytë ai e sheh vazhdimin e një procesi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të vazhdojë disa muaj, apo edhe vite.

“Por nëse nuk arrihet kjo marrëveshje e madhe, do të ketë një proces disa mujor, apo disa vjeçar”, potencon Haradinaj.

Rugova: Vendimet e mëdha për Kosovën janë marrë dhe mund të merren vetëm me prezencën dhe kujdesin e shtuar të SHBA-ve

Image
Naser Rugova

Se sa ka mundësi që të arrihet një marrëveshje e tillë dhe se me këtë a do jetë ky fundi i idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova ka thënë për gazetën “Bota sot” se e vlerësojnë mbështetjen e Gjermanisë, duke shtuar se vendimet e mëdha janë marrë dhe mund të merren vetëm me prezencën e SHBA-së dhe vendeve që i kemi partner strategjik.

“Ne e vlerësojmë mbështetjen e shtetit dhe popullit gjerman në vazhdimësi dhe është një nga vendet më meritore për pavarësinë e Kosovës. Vendimet e mëdha për Kosovën janë marrë dhe mund të merren vetëm me prezencën dhe kujdesin e shtuar të SHBA-ve, dhe vendeve tjera që i kemi partner strategjik që tre dekada”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, nuk mund të ketë marrëveshje të madhe gjatë kësaj vere, duke shtuar se ideja e Thaçit dhe të ngjashme nuk do të kalonin në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk shoh një marrëveshje të madhe gjatë kësaj vere dhe me këtë strukturë qeverisëse në Kosovë. Ideja e Thaçit dhe idetë e ngjashme të papjekura, antikushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën nuk do kalonin kurrë në Kuvendin e Kosovës falë konsistencës së opozitës dhe votave që i kemi në Kuvend. Këto tema dhe dilema do i mbyllë qeveria e re e vendit me konsensus të gjerë politik dhe nacional”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.

Millaku: Shteti kyç në marrëveshjen me Serbinë është Gjermania

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjermania është shtet kyç në marrëveshjen me Serbinë dhe se ky shtet do ta pengojë idenë e Thaçit për copëtim të Kosovës.

“Mendoj se shteti kyç në marrëveshjen me Serbinë është Gjermania. Gjithashtu ky shtet do ta pengojë edhe idenë e Thaçit për një copëtim të Kosovës. Dhe ky angazhim kaq i madh i shtetit gjerman vjen si pasojë e një çrregullimi dhe hutie në administratën e SHBA-së”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, marrëveshja me Serbinë është shumë larg dhe se pozita nuk ka kapacitet për temë të mëdha.

“Por një gjë jam e bindur se një marrëveshje e madhe me Serbinë është shumë larg, bile nuk do të ketë as marrëveshje të vogla. Kjo qeveri dhe këta njerëz nuk kanë kapacitet të merren me tema të mëdha dhe nuk janë të përgatitur të dialogojnë me Serbinë. Pra mendoj se pozita nuk ka kapacitet profesional për tema të mëdha”, ka deklaruar Drita Millaku për “Bota sot”.

Lepaja: Kjo pako do të mund të korrigjohej me marrëveshje pas integrimit të përbashkët në BE

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nëse këto fuqi janë dakord, marrëveshja është e mundshme.

“Gjithsesi, nëse këto fuqi janë dakord, marrëveshja është e mundshme, aq më tepër se marrëdhëniet e armiqësuara Kosovë Serbi janë pengesë për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE”, ka vlerësuar Lepaja.

Sipas tij, në këtë përbërje do të përjashtohej mundësia e ndryshimit të kufijve, e si zgjidhje do të ishte e mundshme një pako e përbashkët, ndoshta dhe kalimtare.

“Në këso përbërjeje me shumë gjasë ndryshimi i kufijve do të përjashtohej por do të ishte e mundshme një zgjidhje në një pako të përbashkët, mbase edhe kalimtare.Kjo pako do të mund të korrigjohej me marrëveshje pas integrimit të përbashkët në BE”, është shprehur Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Rivaliteti Haradinaj-Thaçi, opsionet e hapura

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani vlerëson se presidenti dhe kryeministri, që identifikohen me luftën dhe jo me dije që janë në pushtet, janë bashkë në pushtet por janë rivalë inatçor.

Image
Blerim Burjani

“Deri më tash kemi kontradikta dhe jo unitet në mes presidentit dhe kryeministrit. Të dy këta njerëz dikur përfaqësues të luftës dhe edhe sot identifikohen tërë kohën me luftën e përfunduar para 20 vjet, të dytë i mban në politik jo dija por ish lufta, këta dy njerëz ishin rival prej vitit 1999, në Kosovë udhëheqin komandantë të dikurshëm,përderisa Thaçi e kishte përjashtuar Ramushin të mos jetë pjesë e Qeverisë sëpërkohshme dhe me vite e ka injoruar si të padijshëm në fund u bënë bashkë por prapë të ndryshëm dhe rival inatçor, të dy kanë përfituar nga pushteti dhe politika, e luftën e përmendin për të qëndruar në pushtet”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket takimit të Haradinajt me Angela Merkel, Burjani thotë se ajo s’ka përmendur as taksë e as ndryshim kufijsh, por ideja ka qenë që të pajtohen për të rifilluar bisedimet.

“Është e qartë se Merkel nuk ka përmend asgjë, as taksë e as ndryshim kufijsh, ideja e Merkel ishte të pajtohen palët për të rifilluar bisedimet dhe mos të ndalen ato dhe pastaj të zgjidhen problemet tjera. Disa taksën e shikojnë si patriotike dhe jo ekonomike për derisa taksa është 100% ekonomike dhe nuk guxon të ndërlidhet me politikëse bie ndesh me parimet e BE dhe CEFTA-s”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, korrigjime teknike të kufijve mund të ketë, por jo shkëmbim territorial siç ka thënë Thaçi.

“Ende të gjitha opsionet janë në tavolinë është hapur kutia e Pandorës fatkeqësisht, kufijtë nuk duhet të ndryshohen por korrigjohen, korrigjimi të lehta tokësore në kufij mund tëketë.Kosova ka kufijtë e vitit 1974 dhe ata kufij duhet të shënohen saktë. Kjo i bie qëdisa korrigjime teknike të terrenit mund tëndodhin por jo ndryshim apo shkëmbim territorial siç thuhet ndonjëherë apo shpeshherë nga Thaçi”, ka thënë ai.

Burjani thotë se Haradinaj është mbështetur për Gjermanie për shkak të politikës kundrejt dialogut dhe kufijve, por kjo nuk do të thotë që Gjermania ka ndikim përfundimtar, derisa shton se fati i zgjidhjes është në duar të SHBA-së, Rusisë e shteteve të Quintit.

“Ramushi është mbështetur për Gjermaninë për shkak të politikës gjermane kundrejt dialogut dhe kufijve por kjo nuk do të thotë se Gjermania ka ndikimin përfundimtar politik as nëEvrope e as globale. Tash fati i zgjidhjes dhe opsionet janë në duart e SHBA-së,Rusisë ose shteteve të Qunitit. Nëse dështon BE atëherë shtetet e Quintit duhet të merren, nëse edhe këta nuk munden ta bëjnë këtë atëherë SHBA dhe Rusia ky është opsioni i fundit për të gjetur zgjidhje”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat