Eksperti i sigurisë flet për sulmin në Beograd, tregon pse nuk reagon BE dhe si duhet të veprojë Kosova

Politika

Eksperti i sigurisë flet për sulmin në Beograd, tregon pse nuk reagon BE dhe si duhet të veprojë Kosova

Nga: G.B Më: 13 qershor 2019 Në ora: 14:57
Autobusi

Një autobus me shtetas nga Kosova, që po qarkullonte në Serbi e destinacion e kishte Slloveninë, është sulmuar mbrëmë në afërsi të Beogradit.

Lidhur me sulmin, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë thënë se nga kjo ngjarje nuk kanë marrë ende raport zyrtar nga autoritetet serbe.

Megjithatë vlerësojnë se sulmi është i motivuar politikisht nga përfaqësuesit politik të Serbisë, derisa MPJ shpreh edhe habi se si BE-ja nuk reagon për asnjë nga këto zhvillime.

Image
Drizan Shala

Lidhur me këtë sulm dhe mos reagimin e BE-së, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën “Bota sot” se këto sulme janë proces i vazhdueshëm i Beogradit për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të tyre të punës, derisa shton se këto sulme e kanë gjenezën tek vendosja e taksës dhe se me këtë Beogradi po tenton të dëshmojë se vetëm me heqjen të taksës dhe vazhdim të dialogut, mund të ketë lëvizje të lirë.

“Këto sulme "sporadike" të orkestruar nga Beogradi zyrtar është vetëm proces i vazhdueshëm i pengimit të lëvizjes së qytetarëve kosovarë drejt destinimit në vendet e tyre të punës.  Sepse sulme të tilla apo edhe pengesa të formave të ndryshme do të hasim në këtë periudhë kohore e cila gjenezën e ka në vendosjen e taksës nga ana e qeverisë së Kosovës për produktet serbe. Pra, Beogradi po tenton të dëshmojë që vetëm në rikthim të dialogut me kusht të heqjes së taksës mund të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë”, është shprehur ai.

Sa i përket reagimit të BE-së, Shala thotë se Serbia nuk e klasifikon si sulm ndaj shqiptarëve dhe për këtë nuk ka bazë për reagim nga BE.

“BE-ja në këto raste nuk reagon sepse institucionet e sigurisë së Serbisë nuk e klasifikojnë si sulm ndaj komunitetit shqiptar (kosovar) por vetëm si tentim për plaçkitje e cila nuk krijon bazë për të ngritur ndonjë reagim nga BE-ja”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shalës, Kosova duhet t’i dërgojë notë protestë Serbisë por edhe BE-së, për të siguruar lëvizje të lirë dhe të respektohen marrëveshjet e arritura nga viti 2013.

“Është mirë që krerët e Kosovës t’i dërgojnë notë proteste përmes zyrës së Kosovës në Beograd institucioneve të Serbisë por edhe të BE për të siguruar lëvizje të lirë dhe jetët e tyre ashtu që të respektohen marrëveshjet e arritura nga 2013 nga bisedimet teknike”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat