Voca: Gjetja e të zhdukurve dhe kërkim falja do të duhej të ishin para së gjithash çdo herë kërkesë e cilitdo përfaqësues

Politika

Voca: Gjetja e të zhdukurve dhe kërkim falja do të duhej të ishin para së gjithash çdo herë kërkesë e cilitdo përfaqësues

Nga: D.B Më: 13 qershor 2019 Në ora: 21:06
Mirsad Voca

Kryeministri vendit Ramush Haradinaj ditë më parë gjatë manifestimit për 20 vjetorin e çlirimit te Kosovës ka thënë se "Ne guxojmë me u pajtua me Serbinë", ndërsa i ka bere thirrje kësaj te fundit qe te njohin Kosovën.

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë “ Bota sot” se para së gjithash Kosova duhet si prioritet mbi të gjitha prioritetet, të kërkoj nga Serbia zbardhjen, sqarimin, gjetjen e trupave të zhdukur.

Sipas tij, kjo do të duhej të jetë si pikënisje e një pajtimi eventual me Serbinë.

“Serbia në formë zyrtare duhet të njoh dhe pranoj krimet që ka kryer në Kosovë, dhe kjo duhet të shoqërohet patjetër me kërkim falje nga ana e saj. Kur të kalohet ky proces atëherë Kosova do të mund të shprehte gatishmërinë e plotë për një pajtim me Serbinë, me kusht që kjo e fundit de facto do ta pranonte mëvetësinë e Kosovës. Pa këto dy elemente çdo nismë për pajtim me Serbinë do të jetë e mangët dhe me gjasë do të dështonte sidomos kur kemi edhe tani një politikë serbe që funksionon ngjashëm me atë mentalitetin e viteve të 90-ta. Fryma demokratike në Serbi është e brishtë, sepse edhe në Serbi shteti duket të jetë i kapur dhe sidomos politika e jashtme e Serbisë është e orientuar kah Rusia më shumë sesa kah perëndimi. Nëse vështrojmë nga ky prizëm vështirë se Serbia do i merr në konsideratë ato dy elemente të lartcekura të cilat ajo nuk është në gjendje t’i përmbush e pa të cilat Kosova nuk do duhej të bëj asnjë lloj pajtimi me Serbin”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se gjetja e të zhdukurve dhe kërkim falja do të duhej të ishin para së gjithash çdo herë kërkesë e cilitdo përfaqësues që ka detyrën të komunikoj si me shtetet mike ashtu dhe me Serbinë.

“ Besoj se çdo Shtet demokratik do të kërkonte sqarim edhe nëse është fjala për vetëm jetën e një qytetari. Çdo Shtet mik do ta kuptonte lehtë këtë qëndrim. Serbia ka nevojë dhe do të duhej të thërret për pajtim, ndërsa Kosova ka nevojë dhe mbi të gjitha prioritet që të përforcoj Shtetin brenda duke e konsoliduar Drejtësinë që shpie në zhvillim të vendit. Po të përforconte Kosova drejtësinë dhe ekonominë, gjërat do të rrjedhin krejt ndryshe dhe Serbia vet do të ngulmonte për pajtim meqë ajo ka qenë agresori dhe jo Kosova e cila edhe tani vihet në pozitë vetvetiu të pa lakmuar duke i përmbushur kërkesat serbe kinse për normalizim në mënyrë që Serbia të afrohet me BE-në gjithnjë duke qëndruar në prehër të Rusisë”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se me një politikë serbe oxymorone, në mentalitetin politik të së cilës gënjeshtra ngritët si virtyti më i lartë serb vështirë se mund të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe paqe në Ballkanin perëndimor.

“Përderisa Serbia nuk e dëshmon të kundërtën e kësaj, Kosova nuk do të duhej të guxoj të futet në aventura të rrezikshme në planin afatgjatë. Nga një këndvështrim  i tillë, besoj se shtetet mike nuk do të bënin presion ndaj Kosovës. Dhe e them me bindje se një pajtim i keq dhe i përshpejtuar gabimisht mund t’i konvenoj vetëm Serbisë dhe disa individëve apo grupeve në Kosovë për interesa strikte personale. Edhe po të na njihte sot Serbia, Kosova nuk do të përfitonte asgjë nga aspekti i brendshëm. Ndërsa me përforcimin e drejtësisë, si shtyllë qendrore e Shtetit, me zhvillimin e ekonomisë dhe ngritjen e cilësisë së jetës, do të përfitonte Populli dhe Shteti i Kosovës jo vetëm brenda tij por kjo do të ndikonte patjetër në politikën e saj të jashtme”, ka thënë Voca.

Sipas tij, populli i Kosovës ka nevojë për një qasje të tillë ndaj politikës në vend, më shumë se çdo gjë tjetër duke përfshirë këtu edhe njohjen eventuale nga Serbia, e cila nuk do të duhej të konsiderohet si top prioritet.

“Duhet theksuar po ashtu se një thirrje për pajtim me Serbinë tregon po ashtu mos koordinim të lidershipit në Kosovë sepse një qasje e tillë bie ndesh me iniciativën e Kryeparlamentarit për formimin e një Gjykate Speciale që do ti dënonte krimet e shtetit serb të kryera ndaj shqiptarëve”, është shprehur njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat