Të mërkurën është mbajtur ceremonia shtetërore në kuadër të së cilës është shënuar edhe njëzet vjetori i çlirimit të Kosovës. Çlirim ky, që erdhi falë ndërhyrjes ushtarake të forcave të NATO-s dhe SHBA-së. Të pranishëm në këtë manifestim, përveç liderëve politik vendor ishin edhe dy protagonistët e ngjarjeve të njëzet viteve më parë, respektivisht Presidentit i atëhershëm i SHBA-së Bill Clinton si dhe Sekretarja e shtetit Medeline Albright. Por, në këtë 20 vjetor të clirimit Kosova ndodhet para shumë sfidave, derisa shtetndërtimi sikur ka çaluar për shkak të keqqeverisjeve të vazhdueshme.
Zemaj: Kosova do të jetë më e bukur pa njerëz të korruptuar
Armend Zemaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, për “Bota sot”, u shpreh se Kosova ka shënuar progres por njëkohësisht ka mangësi të shumta.
“Progres i lirisë, frymim i lirshëm por me shumë mangësi të përmbushjes së mozaikut nga pritjet shekullore për një shtet të fortë dhe të zhvilluar. Kosova ka akoma sfida për të qenë pjesë e familjes europiane dhe për të përmbushur amanetin e të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës”, tha ai.
Ndër të tjera, Zemaj, shtoi se Kosova do të jetë më e bukur nëse në një të ardhme të afërt, qeveriset nga njerëzit që nuk për të paaftë dhe të korruptuar.
“Kosova do të jetë më e bukur pa njerëz të korruptuar dhe të paaftë për të udhëheq me institucionet tona. Liria shpërblehet me punë, përkushtim dhe vullnet për ta zhvilluar vendin”, tha Zemaj.
Dauti: Klasa politike ka dështuar me të madhe dhe kjo është brengë serioze e popullit
Ndërkohë, nga ana tjetër, Daut Dauti, njohës i politikave botërore, tha se para 20 vitesh, shpresat e popullit në Kosovë për një të ardhme të mirë kanë qenë të mëdha dhe se gjatë këtyre dy dekadave, shohim një dështim total të lidershipit për të ndërtu një shtet ekonomikisht të fortë.
“Pra 20 vitesh shpresat e popullit në Kosovë për një të ardhme të mirë, kanë qenë të mëdha. Këto shpresa kanë qenë reale e të arsyeshme. Por, sot, dy dekada më vonë, shohim një dëshpërim të përgjithshëm dhe të madh të popullit”, tha ai.
Ai u shpreh se gjërat kanë shkuar keq për shkak të mungesës së zbatimit të një vizionit që do të përparonte situatën ekonomike dhe politike në Kosovë.
“Klasa politike ka dështuar me të madhe dhe kjo është brengë serioze e popullit. Liria, natyrisht është diçka e çmueshme por këtu, në rastin e Kosovës, vlen të përmendet një përgjigje që një herë në një intervistë e kishte thënë Nelson Mandela kur ishte pyetur nga gazetari pse nuk po i kushtonte rëndësi të drejtave të njeriut si më parë. Mandela ishte përgjigjur: 'liria dhe të drejtat e njeriut nuk kanë shumë vlerë nëse populli është i uritur’”, tha Dauti.
Gecaj: Paqja duket të na ketë dalë aq e vështirë sa edhe lufta
Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për “Bota sot”, tha në vitin 1999 kosovarët sakrifikuan gjithçka për lirinë e tyre, ndërsa bota e civilizuar perëndimore na u gjet pranë si kurrë më parë.
“Në përfundim të intervenimit të NATO-s, Presidenti Clinton na kishte porositur: “Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”. Por, paqja duket të na ketë dalë aq e vështirë sa edhe lufta. Sot, njëzet vite pas, ne ende nuk jemi tërësisht të lirë nga Serbia, por edhe shumë të ngulfatur nga elemente të brendshme kriminale, me një demokraci në fazat fillestare të saja dhe me një mungesë të theksuar të sundimit të rendit e të ligjit”, tha ai.
Sipas tij, njëzetvjetorin nuk e madhërojmë vetëm me organizime festive, por me punë të përkushtuar e dedikim për të përmbushur porositë si ajo e Presidentit Bill Clinton, Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Adem Jashari e shumë e shumë luftëtarëve, aktivistëve e kontribuuesve tjerë, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë!
Ndërkaq, aktivisti i çështjes kombëtare, Sabri Maxhuni, për “Bota sot”, tha se Kosova është si dy të rinj 20 vjeçar që u lindën në një kohë të ndishme për vendin.
“Kosova pas 20 vitesh çlirimi është si dy të rinj 20 vjeçar që lindën në një kohë kur Clinton dhe Albright i bombardonin bandat e Millosheviqit, e atyre zëri nuk ju ndihej nga ushtima e aeroplanëve. Sot ata të rinj 20 vjeçarë në gëzim e hare, përqafohen me Clinton dhe Albright mu në qendër të Prishtinës”, tha ai.
Për njëzet vjetorin e çlirimit të Kosovës, kanë përuruar tërë lidershipi vendor
Presidenti vendit Hashim Thaçi, tha se ditëlindja e Lirisë së Kosovës, 12 Qershori, është ditë kur u rilindëm si qytetarë të lirë në vendin tonë.
“Kosova është mburrja jonë. Është krenaria jonë. Është fati ynë!”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, trenat e vdekjes u ndalën nga avionët e jetës dhe ju z. President Clinton, ju përgjigjët vullnetit tonë për jetë dhe thirrjeve të armëve të lirisë. Liria u fitua nga bijtë dhe bijat e këtij populli, nga sakrifica e Jasharajve, rezistenca paqësore e Rugovës, heroizmi i luftëtarëve të lirisë, u fitua me NATO-n.
“Sot, jemi të lirë të festojmë këtë 20 vjetor, të punojmë për vendin, për të ardhmen tonë! Paqes i duhet pajtimi, e Kosova guxon të pajtohet. Zoti e bekoftë Kosovën, zoti i bekoftë aleatët e Kosovës, të prirë nga Amerika!”, ka thënë Haradinaj.
Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se krahas gëzimit të madh, kujtojmë edhe sakrificën tonë kombëtare, mijëra jetë, të burrave dhe grave të Kosovës, të flijuara për lirinë tonë. Përulemi para tyre dhe i jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime.
“Kosova e para 20 vjetëve, Kosova e sotme, Kosova e nesërme, ka qenë dhe do të mbetet trashëgimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të tillë do ta ruajmë përgjithmonë. Për lirinë tonë. Për paqen dhe fqinjësinë e mirë. Për një botë që merr kuptim nga idealet amerikane të lirisë e dinjitetit njerëzor”, tha Veseli.