Zyrtarët e LDK-së në lidhje të ngushta me PDK-në përmes studios së rrezikshme të Baton Haxhiut

Politika

Zyrtarët e LDK-së në lidhje të ngushta me PDK-në përmes studios së rrezikshme të Baton Haxhiut

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 qershor 2019 Në ora: 08:02
Baton Haxhiu, Lutfi Haziri dhe Ismet Beqiri

Disa figura politike me peshë në LDK, po janë të hapur çdo herë për ish bashkëpunëtorin e Stanishiqit, Baton Haxhiun. Plasimi i mendimeve nga disa zyrtarë të LDK-së në emisionin e tij, fillimisht është fyerje për Rugovën, pasi Haxhiu dihet publikisht se kishte qenë kundër arkitektit të pavarësisë së Kosovës, e atë mendim e ka edhe sot.

“Filtri” i vazhdueshëm i Lutfi Hazirit dhe Ismet Beqirin me Baton Haxhiun, fillimisht nuk u prit mirë nga elektorati i LDK-së, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kritikuan ashpër ata të dy.

Baton Haxhiu, dihet se nuk i fton në emisionin e tij kundërshtarët e ndërrimit të territoreve dhe ata që janë kritik ndaj presidentit Thaçi, por vetëm ata që e qojnë në “qiellin e shtatë” atë ide së bashku me presidentin.

Në anën tjetër, kundërshtimi i madh që po i bëhet Vjosa Osmanit brenda LDK-së, pasi ajo kritikoi vazhdimisht PDK-në dhe nuk e dha votën e saj për koalicionin e kaluar, tregon se brenda kryesisë së LDK-së, ka njerëz që kanë interesa të përbashkëta me PDK-në. Gjithashtu, ata nuk e lanë Vjosa Osmanin që kandidojë për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e kaluara të brendshme të kësaj partie, pasi e dinin se është favorite për të marrë kreun dhe me atë pozitë do ta injoronte PDK-në.

Paraqitja e fundit e Ismet Beqirit para Baton Haxhiut, ngreh dyshimet se edhe ky është i përfshirë në një “marrëdhënie” me PDK-në. Fillimisht, ai pohoi se kandidati kryesor për LDK-në është Lutfi Haziri, ndërsa ky i fundit ka dalë publikisht përkrahës i idesë së Thaçit.

Për shkak të qëndrimeve të Baton Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim tash e sa kohë që ta bojkotojnë atë dhe televizionin e tij, mirëpo këtë hap nuk po e merr edhe LDK-ja, si partia më e madhe opozitare për momentin.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me zyrtarë të LDK-së dhe deputetë të saj për t’u informuar se a ka ndonjë plan nga LDK-ja që t’i ndjekin veprimet e Vetëvendosjes për ta bojkotuar Baton Haxhiun në televizionin e tij, por asnjëri prej tyre nuk ka dashur të flasë për këtë.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, për “Bota sot” ka thënë se çdo shtet që ka dalur nga konflikti, nuk ka lejuar që në fushën e politikës të kenë rol njerëzit që punuan për regjimin që u konsiderua si një e keqe e madhe.

Zogiani: Duhet t’i luftojmë njerëzit e regjimit

Image
Avni Zogiani

“Nuk do te doja të flisja specifikisht për këtë televizion apo për këtë person, sepse kjo kategori fuqinë e merr prej të qenit kontrovers. Mirëpo, në princip dua të them se çdo shtet e shoqëri që ka dalur nga komunizmi e lëre me nga konflikti, nuk ka lejuar që në fushën e politikës dhe publikes të kenë rol njerëzit që punuan për regjimin që u konsiderua si një e keqe e madhe pikërisht nga Perëndimi. Është pra një kontradiktë që kanë shqiptarët kur flasin për aspiratat e tyre perëndimorë e nuk ndjekin rrugën e të gjitha shteteve të ish-bllokut komunist në këtë çështje”, është shprehur ai.

Rexhaj: Mendoj se ka njerëz të LDK-së që bashkëpunojnë me PDK-në

Ish anëtari i Partisë Parlamentare të Kosovës, Sali Rexhaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka komentuar shkuarjen e shpeshtë të Ismet Beqirit dhe të Lutfi Hazirit te emisioni i ish bashkëpunëtorit të Stanishiqit, Baton Haxhiut.

Image
Sali Rexhaj

Ai thotë se veprimet e Baton Haxhiut e bëjnë atë njeri të PDK-së.

“Vet fakti se, Baton Haxhiu ka shoqëri tw madhe me Hashim Thaçin dhe e përkrahë idenë e tij për lëvizje kufijsh, duke mos e harruar edhe faktin se ështw bërë edhe si zëdhënës i Thaçit, tregon se ai është njeri i PDK-së dhe i presidentit”, ka thënë Rexhaj për “Bota sot”.

Ai mendon, se ka njerëz brenda LDK-së që bashkëpunojnë me PDK-në, ndërsa thekson se kur dikush shkon te emisioni i Baton Haxhiut, ai është përkrahës i ndarjes së Kosovës.

“Lidhur me atë se a ka njerëz të LDK-së që bashkëpunojnë me PDK-në, mendoj se ka, por nuk dua të përmendi emra. Kur dikush shkon te emisioni i Baton Haxhiut, ai është përkrahws i ndarjes së Kosovës. Mendoj se LDK duhet ta bojkotojë Baton Haxhiun, përveçse nësë ata shkojnë aty dhe i thonë mendimet e tyre të lira, që i shkojnë për shtati edhe LDK-së”, theksoi ai.

Në fund, Rexhaj ka thënë se Baton Haxhiu nuk i fton kundërshtarët e ndërrimit te territoreve mbi bazë etnike po vetëm përkrahësit.

Baton Haxhiu, trekëndësh magjik mes Beogradit, Prishtinës dhe Tiranës

Image
Gazmend Islami

Ndërsa publicisti Gazmend Islami, është shprehur për “Bota sot” se, Baton Haxhiu ka qenë i përkëdhelur nga çdo pushtet, kurse ka luajtur rolin e një trekëndëshi mes Beogradit, Prishtinës dhe Tiranës.

“I dalw në skenë në vitet e 80-ta, njihet si një figurë kontroverse i cili ka ditur çdo herë të ‘notojë’ me pushtetet dhe gjatë kohës së ish-jugosllavisë ishte një njeri i përkëdhelur i pushtetit, pra ishte një figurë e cila të bën të dyshosh që Baton Haxhiu ka qenë i implikuar dhe që ka bashkëpunuar me shërbime të huaja sekrete. Ndërsa gjatë luftës dhe pas luftës e dimë rolin e tij të cilin e ka pasur, pra roli i tij ka qenë çdoherë kundër interesave të ngushta të Kosovës, pra ka qenë një shërbëtor apo trekëndësh magjik mes Beogradit, Prishtinës dhe Tiranës”, tha Islami.

Ai mendon se është mirë që partitë politike ta bojkotojnë televizionin e tij, përderisa ai është kreatori i politikave Anti-Kosovë.

“Mendoj që lojërat e fundit të Baton Haxhiut, i cili ka dalw si zëdhënës i fuqishëm i Hashim Thaçit dhe mendoj se Haxhiu punon për interesat e një klani që e kishin përcaktuar që ta zgjidhnin çështjen e Kosovës, duke bërë ndarjen e saj dhe përfitonin politikisht një grupi i caktuar, i cili punonte kundër interesave të popullit shqiptarë. Nëse shihen intervistat e tij dhënë televizioneve si në Shqipëri si në Kosovë, shihet qartë se është një figurë destruktive dhe është mirë që politikanët në Kosovë të marrin masa karshi televizionit të tij, pra ta bojkotojnë televizonin “Klan Kosova”, përderisa ai është kreatori i politikave Anti-Kosovë, që për të nuk ka asnjë problem që Veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë, por edhe të krijohet asociacioni i komunave serbe. Me Baton Haxhiun do të ishte mirë të merret edhe AKI-ja”, potencoi Islami.

Njerëz të shumtë të SHIK-ut në LDK

Image
Naim Miftari

Ndërsa, ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se ka anëtarë të LDK-së të cilët janë njerëz të SHIK-ut, të cilët janë të shantazhuar e të implikuar së bashku në krimin e organizuar.

“Shërbimi informativ i Kosovës apo PDK, nuk është fare sekret se kanë njerëz dhe lidhje të vet në të gjitha partitë tjera politike, por edhe në opozitë. E dimë shumë sigurt që në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka shumë njerëz të SHIK-ut, domethënë njerëz të profileve të larta por të lidhur ngushtë me Hashim Thaçin me PDK dhe me Kadri Veselin, por ka zyrtarë të lart politikë që janë të shantazhuar të implikuar së bashku në krimin e organizuar. Mos harrojmë se PDK dhe LDK janë ato parti që së bashku e kanë mbajt pushtetin shumicën e kohës, nga 1999 e gjer sot 2019 ,edhe zgjedhja e pro-serbit Hashim Thaçit është vepër e LDK edhe demarkacioni e bisedat me Serbinë janë vepra të përbashkëta PDK-LDK, ku pa diskutueshëm fjalën kryesore e ka bart PDK”, ka thënë Miftari.

Të gjitha partitë kanë anëtarë të SHIK-ut

Tutje, Miftari thotë se anëtarë të SHIK-ut ka edhe në parti tjera.

“Edhe në LV e Albin Kurtit kishte plotë misionar të PDK, disa te Hashimit, Kadrisë, Xhavitit, Grabovcit, por pas ndarjes së VV, gjërat aty kanë ndryshuar, por ka akoma edhe disa njerëz të PDK (SHIK) në këtë parti. Edhe në AAK-në e Ramush Haradinajt ka njerëz të tyre(SHIK), por autoriteti i Ramush Haradinajt dhe Dautit janë vendimtar aty dhe të pa kontestueshëm dhe i ngufatin zërat e të tjerëve. Sa i përket Nismës së Fatmir Limës, pas LDK, ajo ka më së shumti njerëz të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në parti”, u shpreh ai.

Teksa ka komentuar paraqitjen e disa zyrtarëve të LDK-së në emisionin e Baton Haxhiut, Miftari ka thënë se në atë studio promovohen të rekrutuarit nga SHIK-u, ku pastaj dërgohen në parti tjera për t’i përdorur si “kalë i Trojës”.

“Sa i përket shkuarjes së disa zyrtarëve të lartë të LDK-së në Klan Kosovë, mysafir të Baton Haxhiut, ku ky televizion është si një zyre ndërlidhëse e ish UDB dhe SHIK-ut dhe nga ku aty promovohen si në trampolinë analistët, panelistët, deputetë dhe politikanët e ardhshëm të rekrutuar nga SHIK nga ku dërgohen në parti tjera për t’i përdorë për më vonë si “Kali i Trojës” në parti tjera siç ishte storia në Vetëvendosje e cila fillojë t’i rrezikojë seriozisht pushtetin dhe planet e klanit Pronto. LDK sot i ka punët më së keqi pasi pikërisht kjo parti është në thumb të PDK të Thaçit dhe Veselit që nëse e rrezikojnë, pushtetin e tyre do ta bëjnë LDK pik e pesë prapë ndoshta edhe e copëtojnë në disa fraksione pasi SHIK veç ka instaluar nga pas lufta njerëzi të tyre në LDK njerëz të dërguar ,njerëz të blerë, njerëz të shantazhuar, por edhe njerëz të LDK që nga koha e luftës dhe pas lufta punojnë bashkë, bëjnë biznes dhe kontrabandë me SHIK-un në krimin e organizuar në Kosovë dhe ca nga ta janë të implikuar direkt bashkë edhe në disa vrasje apo "vetëvrasje" të ndodhura në Kosovë. Sipas mendimit tim, çdo bashkëpunim me Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun është bashkëpunim direkt me BIA ( UDB) Serbe të Aleksander Vuçiçit dhe me FSB(KGB) Ruse të Vladimir Putinit”, ka përfunduar Miftari për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat