“Tani për mbulesë, mbështetën planet serbe për ndarje, apo për eksterritorialitet të segmenteve serbe brenda Kosovës”

Politika

“Tani për mbulesë, mbështetën planet serbe për ndarje, apo për eksterritorialitet të segmenteve serbe brenda Kosovës”

Nga: D. B. Më: 14 qershor 2019 Në ora: 18:34
Harta e Kosovës

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj gjatë manifestimit për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës ka thënë se "Ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë", ndërkohë i ka bërë thirrje kësaj të fundit që të njohin Kosovën si shtet.

Është e çuditshme se si kryeministri Haradinaj flet për një “guxim” ndaj Serbisë, kur dihet mirë që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra, dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.

Analisti politik Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se thirrja në emër të guximit, automatikisht hapë mundësinë e interpretimeve të ndryshme, kjo për faktin pasi në emër të guximit, mund të ndodhin edhe lëshime.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, çështja e bisedimeve Kosovë - Serbi është hiperbolizuar së tepërmi dhe ka dy fytyra.

“Nga njëra anë, ndikon të përshpejtohet procesi i përfundimit të gjendjes së "Status Quo", ndërsa nga ana tjetër, e që për mendimin tim është për t'u shqetësuar, është hapja e temave dhe opsioneve të mëdhatë cilat mund të jenë të qëllimshme në mënyrë që të ndodhin kompromise "të vogla" në krahasim me këto, por që mendoj do jenë të dëmshme. Kësaj i ka kontribuar paaftësia politike e Kosovës për dy dekada e njëherësh edhe vullneti i madh për të plaçkitur çdo segment, dhe çdo pasuri të përbashkët. Tani për mbulesë, mbështetën planet serbe qoftë për ndarje, qoftë për eksterritorialitet të segmenteve serbe brenda Kosovës”, ka thënë Duhanaj.

Ai konsideron se nëse ndodh marrëveshja sipas planit serb, njohja mund të ndodhë, por problemet megjithatë do të mbetën.

“Jam i bindur se Serbia përmes segmenteve të saja do ta mbaj ndikimin e vetë në Kosovë në çfarëdo varianti. Kur jemi tek pjesa e kërkim faljes, duhet theksuar se shqiptarët janë të njohur për simptomat e "Sindromit të Stokholmit", për t'iu nënshtruar ish-okupatorëve. Këtë e kemi dëshmuar menjëherë pas luftës duke u ngopur me produkte serbe. Po ashtu e kemi dëshmuar tash njëqind vjet në raportet me Turqinë, as ata asnjëherë s'kanë kërkuar falje për gjenocidin e shkaktuar ndaj shqiptarëve. Madje kanë shprehur hapur ambiciet anti-shqiptare, por ne megjithatë nga disa çarqe i trajtojmë si "vëllezër". Nuk do me befasonte fakti, nëse kjo, pas një periudhe kohore do të ndodhë edhe me Serbinë. Ne thjeshtë jemi popull që e urrejmë vetveten dhe për ketë s'kemi kënd ta fajësojmë”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat