Zbulohet data e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë?

Politika

Zbulohet data e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë?

Nga: N.H Më: 14 qershor 2019 Në ora: 23:37
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka pohuar se javët në vazhdim janë të një rëndësie të veçantë për mbajtjen ose jo të Samitit të Parisit.

Burjani gjithashtu thekson se gjasat janë të mëdha që në korrik të këtij viti në Paris të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, duke folur për taksën për mallrat serbe, njohësi i çështjeve juridike ka nënvizuar se vendimi për heqjen e saj mund të bëhet në momentin kur qeveria  e voton pezullimin ose heqjen e saj.

“Heqja e taksës ndodhë kur e voton qeveria pezullimin ose heqjen, pra nuk mund të ndodhë nga Parisi, nuk ka shumë shenja të qarta se mund të ndodhë që taksa të hiqet. 30 për qind e çmimeve janë rritë në Kosovë, jeta gjithnjë e më shtrenjtë po bëhet për shkak se Kosova nuk plotëson nevojat e plota me produkte vendore, përderisa importi i shtrenjte nga BE-ja dhe me larg kushtojnë shumë më shtrenjtë”, është shprehur ai.

Mes tjerash ai ka deklaruar se hezitimi i Serbisë për të marrë pjesë në këtë samit është një sinjal tjetër sa është larg të ndodhë marrëveshja finale mes dy vendeve.

“Samiti i Parisit nuk po duket të jetë optimist për shkak se palët ende nuk kanë një dokument kornizë ku do te pajtoheshin në Samit. Pra, s’ka ende së paku për publikun ndonjë dokument. Hezitimi i Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim është një sinjal tjetër sa është largë të ndodhë marrëveshja , përderisa SHBA-ja dhe BE-ja nuk bëhen bashkë për t‘ i shtyrë palët të pajtohen me një dokument kornizë”, tha mes të tjerave ai.

Në fund Burjani potencon se javët në vazhdim janë të rëndësishme për fatin e Kosovës.

“Pra, ende duket larg kjo çështje. Javët në vazhdim janë të një rëndësie të veçantë për mbajtjen ose jo të këtij samiti, ku mund të jetë gjasë e mirë të arrihet ndonjë marrëveshje”, ka përfunduar Burjani.

Ndryshe, dihet se takimi i Parisit do të mbahet më 1 korrik. Ai është organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndërsa aty do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, të cilët do të provojnë edhe një herë të sqarojnë se në çfarë formati do të vazhdojnë dialogun mes vete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat