Bindja qorrazi ndaj kryetarit, dëmtoi kuadrot e LDK-së

Politika

Bindja qorrazi ndaj kryetarit, dëmtoi kuadrot e LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 15 qershor 2019 Në ora: 12:31
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në qeverinë e kaluar

Qeveria Mustafa me të drejtë është vlerësuar për konsolidimin e buxhetit shtetëror. për administrimin me duar të pastra, pa afera korruptive dhe në mënyrë shumë profesionale. Por, si lopa qumështore, e shqelmoi këtë begati. Vendimi për financimin e mbrojtjes të kriminelëve, vrasës të shqiptarëve të pafajshëm si dhe të familjarëve të tyre, në ecejaket numerike, për vizita dhe shërbime tjera, është paradoks.

Ardhja e dyshimtë në krye të LDK-së e Isa Mustafës, do të përcillej me vëmendje të shtuar. Ndonëse trashëgoi një klan puthadorë, punoi shumë në konsolidimin e tij, gjithnjë në dëm të LDK-së, por, edhe të Kosovës. Klani fatalisht, servilë e karrieristë, trimëroi shumë Isën. Mjeshtër i intrigave moniste, kolaboroi, konspirativisht, me Hashim Thaçin, i dyshuar për shumëçka, madje, edhe për krime serike vrastare politike. Për çudë, ky fakt rrëqethës, nuk e pengoi fare Isa Mustafën, për të kolaboruar me atë!

Po sjellim disa nga vendimet fatale për Kosovën, që morën tandemi Hashimi-Isa:

1) Këta, në ujdi me njëri-tjetrin, heshtën eskalimin e dhunshëm të serbëve, ndaj shqiptarëve në Veriun e Mitrovicës. Kundërshtia, deri në përgjakje, e vajzave dhe të djemëve të Vetëvendosjes, aprovuan dhunën.

2) Hashimi dhe Isa do ta aprovonin Asociacionin, më saktë, "Zajednicën", bashkimin e komunave serbe brenda Kosovës, rrjedhimisht, një biçim "Republika Srpska".

3) Zgjedhja e Hashimit president, përkundër porosisë të Dr. Rugovës, që kjo të mos ndodhë, "sepse është i rrezikshëm për Kosovën", nuk ka asnjë alibi lehtësuese. Këtë porosi, tani, amanet, e dinte edhe klani aprovues.

4) Betimi i Hashim Thaçit dhe i Isa Mustafës, se "me Demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë", duke qenë, përkatësisht, në cilësinë e presidentit dhe të kryeministrit, ishte përcaktues për humbjen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës. Edhe për këtë gjëmë që po i bëhej Kosovës, klani rreth Isës e dinte. Megjithatë, turpshëm e kriminalisht, agjitoi për aprovim dhe e realizoi.

5) Anëtarësia, elektorati i LDK-së dhe strukturat e partisë kundërshtuan koalicionin me partinë-bandë të krimit të organizuar vrastar dhe të korrupsionit, hajnisë zyrtare, PDK-në. Megjithatë Isa tha unë jam kryetar, unë bëj çfarë të dua, anëtarësia mos të hajë m...! Dhe, e bëri koalicionin marroq e kriminal. Edhe klani i tij e mbështeti me hamendje e në surdinë, të bindur se po fuqizojnë partinë-bandë, PDK-në, por, po fitojnë pushtet personal.

6) Koalicioni heterogjen VLAN bllokoi bandën e PDK-së. Ishte rast ideal, për ta larguar krimin nga pushteti. Ishte tradhtia tipike komuniste e Isa Mustafës, i cili theu besën dhe, si pulë, iu miklua gjelit Hashim. LDK-ja humbi shansin ideal, për të qenë e parë. Por, SHIK-u aktiv, me shantazhimin me dosje, e tejkaloi krizën serioze, duke e përfenë edhe të gjithë Kosovën.

7) Rektori kurajoz e dinjitoz, Ramadan Zejnullahu, kishte hetuar se "komandantët" kriminelë dhe dostat e tyre kishin uzurpuar e ngulfatur Universitetin e Prishtinës. Andaj, ndërmori hapin e parë, për të verifikuar diplomat dhe titujt shkencorë të tyre, me dyshimin e bazuar se ka shumë falsifikime. Në këtë mënyrë Rektori në fjalë synonte spastrimin e kësaj vatre piedestale të dijës.

Por, PDK-ja, me SHIK-un e saj vendosi stopimin e kësaj nisme diskredituese për "komandantët profesorë". Në votimin për shkarkimin e Rektorit, përcaktues ishin dy anëtarët e Komisionit, Hevzi Berisha e Roberta e Troni, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, të emëruar nga Isa Mustafa, të cilët votuan për shkarkimin e Rektorit Zejnullahu!

8) Qeveria Mustafa me të drejtë është vlerësuar për konsolidimin e buxhetit shtetëror. për administrimin me duar të pastra, pa afera korruptive dhe në mënyrë shumë profesionale. Por, si lopa qumështore, e shqelmoi këtë begati. Vendimi për financimin e mbrojtjes të kriminelëve, vrasës të shqiptarëve të pafajshëm si dhe të familjarëve të tyre, në ecejaket numerike, për vizita dhe shërbime tjera, është paradoks.

Ky financim është një përdhosje e viktimave, kryesisht, veprimtarë e kuadro të LDK-së, si dhe ushtarakët luftë bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Është një provokim i rëndë, i paprecedent, paraprijës, për familjarët e viktimave dhe pjesën më të madhe të popullit shqiptar, i distancuar nga kriminelët nën akuzë, shefat e tyre kryekriminelë dhe bandës në koalicion - PAN.

9) Qeveria Mustafa e filloi mbarë dhe përgjegjshëm administrimin buxhetor. Por, i kërcënuar nga krerët banditë të Shoqatës të Veteranëve të "UÇK-së", nga frika e humbjes të postit të kryeministrit, filloi livrimin, dhënien e parave për 46.600 "veteranë", prej tyre 33.300 veteranë të rrejshëm.

Për rrjedhojë, deri para ca muajve janë abuzuar 68 milion euro dhe me kalimin e viteve, shifra vjedhëse, abuzuese, do të arrijë në miliarda euro. Dhe, kjo përbën një krim të rëndë ekonomik. Sepse Isa Mustafa nuk duhej t`i pranonte listat e falsifikuara nga "komandantët", me porosi të kryekomandantëve".

Falsifikimi i listave të veteranëve, u bë për dy arsye:

a) Për përfitim material personal, familjar e guporë;

b) Për të siguruar një klientelë elektorale afatgjate, pothuajse, të përhershme.

Renditëm vetëm 9 (nëntë) makro-shkeljet që bëri Isa Mustafa, përgjatë kryeministrimit të tij, të ndërprerë dhunshëm nga partitë-banda, më vonë të koalicionuara në PAN, si dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe AKR-ja e besëprerit Pacoll matrapazi!

E keqja më e madhe është se LDK-në e implikuan në këto çështje, disa syresh me elemente të qarta të tradhtisë kombëtare. Ndërkohë që, realisht, nuk ishin pyetur as anëtarësia dhe as strukturat e LDK-së. Pra, është një çorbë e gatuar nga Hashimi dhe Isa, duke e aprovuar nga klanet e tyre.

Në favor të këtij mendimi flet edhe ndëshkimi që u bëri anëtarësia, në zgjedhjet e fundit qendrore. Pothuajse, të gjithë ata që mbështetën shefin e partisë, duke u thirrur në zbatim të urdhrit institucional e partiak, edhe pse disa syresh nuk ishin pjesë e klanit Mustafa, nuk fituan ulëse në Parlament. Për keqardhje, disa nga ato apo ata, ishin viktima e drejtpërdrejtë e besnikërisë qorrazi, më saktë, të mos kundërshtisë të Isë kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat