Guximi tragjik i Haradinajt, i ofroi pajtim Serbisë kriminale

Politika

Guximi tragjik i Haradinajt, i ofroi pajtim Serbisë kriminale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 qershor 2019 Në ora: 21:06
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri vendit Ramush Haradinaj, ditë më parë gjatë manifestimit për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës ka thënë se "Ne guxojmë me u pajtua me Serbinë", ndërsa i ka bërë thirrje kësaj të fundit që ta njoh Kosovën.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe presidentit Vuçiq që ta njeh Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet, në mënyrë që të fokusohemi për një qeverisje më të mirë në luftimin e korrupsionit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit”.

Kjo kërkesë e kryeministrit, erdhi në kohën kur Serbinë vazhdojnë ta drejtojnë pasardhësit e kriminelit Sllobodan Millosheviqit, i cili me ushtrinë e tij bëri gjenocid të tmerrshëm gjatë luftës.

Retorikën e Millosheviqit e ndjekin edhe pasaardhësit e tij me deklarata që nxisin urrejtje ndaj Kosovës.

Kërkesa e Haradinajt për njohje e madje edhe për pajtim nuk mund të konsiderohet e duhura, në kohën kur Serbia nuk e ka marrë mundin që të kërkojë falje për krimet që ka kryer në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike në vend dhe njohës të Integrimëve Evropiane, kanë vlerësuar se kërkesa ndaj Serbisë për kërkim falje si dhe të dhënit informacion për të zhdukurit, duhet të jetë kushti kryesor që ajo të ecë tutje drejt BE-së.

Sipas tyre, me një politikë serbe, në mentalitetin politik të së cilës gënjeshtra ngritët si virtyti më i lartë serb vështirë se mund të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe paqe në Ballkanin perëndimor.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për “ Bota sot” se pikërisht kjo është tragjedia jonë, sepse në vend që Serbia të na kërkojë falje ne i ofrojmë falje dhe në një mënyrë e ulim vlerën tonë si komb dhe i injorojë sakrificat tona për liri.

Image
Drita Millaku

“Nuk duhet falur Serbia nga në deri sa ajo të dënojë kriminelët që kryen krime dhe derisa të mos i kthej të pagjeturit dhe ti paguaj të gjitha dëmet e luftës, dhe vetëm kur kjo, të përcillet edhe me një kërkim falje të sinqertë. Prandaj në krye të institucioneve shtetërore duhet të jenë njerëz të ditur e të përgjegjshëm që kanë koshience dhe ngritje intelektuale, por edhe takt diplomatik. Sepse të gjitha këto i mungojnë përfaqësuesve institucional të Kosovës”, ka thënë deputetja Drita Millaku.

Voca: Të pagjeturit dhe kërkim falja do të duhej kërkesë e cilitdo përfaqësues

Image
Mirsad Voca

Ndërsa, njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, ka thënë se Kosova duhet si prioritet mbi të gjitha prioritetet, të kërkoj nga Serbia zbardhjen, sqarimin, gjetjen e trupave të zhdukur.

Sipas tij, kjo do të duhej të jetë si pikënisje e një pajtimi eventual me Serbinë.

“Serbia në formë zyrtare duhet të njoh dhe pranoj krimet që ka kryer në Kosovë, dhe kjo duhet të shoqërohet patjetër me kërkim falje nga ana e saj. Kur të kalohet ky proces atëherë Kosova do të mund të shprehte gatishmërinë e plotë për një pajtim me Serbinë, me kusht që kjo e fundit de facto do ta pranonte mëvetësinë e Kosovës. Pa këto dy elemente çdo nismë për pajtim me Serbinë do të jetë e mangët dhe me gjasë do të dështonte sidomos kur kemi edhe tani një politikë serbe që funksionon ngjashëm me atë mentalitetin e viteve të 90-ta. Fryma demokratike në Serbi është e brishtë, sepse edhe në Serbi shteti duket të jetë i kapur dhe sidomos politika e jashtme e Serbisë është e orientuar kah Rusia më shumë sesa kah perëndimi. Nëse vështrojmë nga ky prizëm vështirë se Serbia do i merr në konsideratë ato dy elemente të lartcekura të cilat ajo nuk është në gjendje t’i përmbushë e pa të cilat Kosova nuk do duhej të bëj asnjë lloj pajtimi me Serbin”, ka thënë Voca.

Ai konsideron, se gjetja e të zhdukurve dhe kërkim falja do të duhej të ishin para së gjithash çdo herë kërkesë e cilitdo përfaqësues që ka detyrën të komunikoj si me shtetet mike ashtu dhe me Serbinë.

Ai thotë se me një politikë serbe “oxymorone”, në mentalitetin politik të së cilës gënjeshtra ngritët si virtyti më i lartë serb, vështirë se mund të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe paqe në Ballkanin perëndimor.

“Përderisa Serbia nuk e dëshmon të kundërtën e kësaj, Kosova nuk do të duhej të guxoj të futet në aventura të rrezikshme në planin afatgjatë. Nga një këndvështrim i tillë, besoj se shtetet mike nuk do të bënin presion ndaj Kosovës. Dhe e them me bindje se një pajtim i keq dhe i përshpejtuar gabimisht mund t’i konvenojë vetëm Serbisë dhe disa individëve apo grupeve në Kosovë për interesa strikte personale. Edhe po të na njihte sot Serbia, Kosova nuk do të përfitonte asgjë nga aspekti i brendshëm. Ndërsa, me përforcimin e drejtësisë, si shtyllë qendrore e Shtetit, me zhvillimin e ekonomisë dhe ngritjen e cilësisë së jetës, do të përfitonte Populli dhe Shteti i Kosovës jo vetëm brenda tij por kjo do të ndikonte patjetër në politikën e saj të jashtme”, ka thënë Voca.

Mehmeti: Kryeministri Haradinaj duhet të jetë më i qartë se çfarë do të bëj Kosova nëse Serbia vazhdon me agresionin e saj

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Kosova duhet të fuqizojë ndikimin e saj përmes fuqizimit të një shteti të fortë ekonomikisht, me drejtësi të pa kapur dhe hapje të perspektivës për të rinjtë, pastaj mund të jetë më kompetent për të bërë kërkesa ndaj të tjerëve.

Sipas tij, kërkesa ndaj Serbisë për kërkim falje si dhe të dhënit informacion për të zhdukurit, duhet të jetë kushti kryesor që ajo të ec tutje drejt BE-së.

“Gjithsesi Kosova duhet të punoj edhe në rregullimin e saj të brendshëm megjithëse është Kosova ajo që mund dhe duhet të bllokojë Serbinë dhe jo e kundërta, pasi ne jemi viktima dhe kemi të drejtën e botës për të kërkuar të drejtat tona që na takojnë. S’duhet të sillemi si qyqanë ndaj Serbisë por si viktima triumfues, sepse vetëm kështu tregojmë dinjitet dhe integritet. Kryeministri Haradinaj duhet të jetë më i qartë se çfarë do të bëj Kosova nëse Serbia vazhdon me agresionin e saj, cilat janë masat përveç taksës, që në fakt ka dhe duhet të ketë më shumë”, ka thënë analisti Mehmeti.

Burjani: Serbia ka nevojë të paditet në Tribunalet Ndërkombëtare

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike e juridike, Blerim Burjani, ka thënë se Kosovës i duhet njohja nga Serbia, aq sa Serbisë për të integruar në BE.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet patjetër të kenë një normalizim të marrëdhënieve, pasi Kosova është më larg proceseve të BE-së.,

“Kosova është shumë larg në kuptimin teknik, sepse përveç liberalizimit që edhe aty është larg për shkak mungesës së rendit dhe ligjit, është larg edhe shumë proceseve tjera duke filluar edhe nga funksionimi normal i organeve shtetërore duke respektuar bilancin e pushteteve dhe mos ndërhyrjen. Serbia po ashtu ka nevojë të paditet në Tribunalet Ndërkombëtare për gjenocid të ushtruar në Kosovë dhe duhet të kompenzojnë madje edhe dëmet e luftës dhe familjet e viktimave civile. Një dokument teknik në përkufizimin e kufirit në mes shteteve është po ashtu e domosdoshme, por jo edhe negociata politike të kota”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Në vend se të kërkojnë nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës, ata kërkojnë pajtim me xhelatin

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi konsideron se askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t'i kërkoj pajtim vrasësit, kurse në bëjmë kërkesa të tilla.

“Është shumë e çuditshme se çfarë kërkesa bën lidershipi ynë, me të vërtetë kjo është një marrëzi. Në vend se të kërkojnë nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës, ata kërkojnë pajtim me xhelatin. Në anën tjetër Serbia edhe pse agresore lere që nuk dëshiron të pajtohet me ne, por kërkon edhe që të na fshijë nga faqja e dheut. Sa ka gjasa të ndodh një pajtim me Serbinë. Në këto rrethana mision i pamundur për shkak të pretendimeve të Serbisë territoriale ndaj Kosovës. Kosovës nuk i duhet fare njohja nga Serbia dhe nuk ka pse të pajtohemi me Serbinë. Me Serbinë duhet pajtuar vetëm atëherë kur t`i kërkojë falje Kosovës dhe qytetarëve të saj, për të gjitha krimet e bëra ndaj shqiptarëve. Vetëm atëherë kur të mësojë se çka është “falja” dhe vetëm atëherë kur ti paguajë të gjitha dëmet e luftës mund të pajtohet me Kosovës, dhe nëse dëshiron raporte të mira fqinjësore, atëherë së pari duhet ta njoh Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat