Kuvendi i dështuar me deputetë kauboj!

Politika

Kuvendi i dështuar me deputetë kauboj!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 qershor 2019 Në ora: 10:40
Kuvendi i Kosovës

Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës nuk po respektohet nga Komisionet Parlamentare, të cilat sipas rregullores duhet të mbajnë së paku dy mbledhje brenda muajit, ndërsa që pesë komisione kanë mbajtur vetëm nga një gjatë muajit maj.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes platformës “Vota ime”, ka nxjerrë përfundimet se mungesa e kuorumit vazhdon ta pamundësojë marrjen e vendimeve në seancat e Kuvendit, e ngjashëm po ndodhë edhe në komisione, për po të njëjtën arsye.

Sipas kësaj platformë, numri i mbledhjeve të dështuara të komisioneve për mungesë kuorumi është rritur dukshëm gjatë muajit maj. Për vetëm një muaj, 11 mbledhje të planifikuara kanë dështuar të mbahen si rezultat i mungesës së deputetëve, që janë anëtarë të komisioneve përkatëse duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhje.

Haxhiu: Mungesa e kuorumit po e pamundëson marrjen e vendimeve

Se si vlerësohet kjo, që seancat e Kuvendit dhe mbledhjet e komisioneve të mos mbahen, derisa dihen pagat e larta të deputetëve, hulumtuesja Agnesa Haxhiu nga KDI, ka thënë se është rritur numri i mbledhjeve të komisioneve të dështuara dhe e gjithë kjo për shkak të mungesës së deputetëve.

Image
Agnesa Haxhiu

“Mungesa e kuorumit po e pamundëson marrjen e vendimeve jo vetëm në seancat e Kuvendit por edhe në komisionet parlamentare. Mungesa e kuorumit, ndonëse më pak e theksuar se në seanca, ka bërë që disa mbledhje me radhë të dështojnë. Përderisa në muajt paraprak numri i mbledhjeve të dështuara të komisioneve për mungesë kuorumi ka qenë më ulët deri në 3 raste, ky numër është rritur dukshëm gjatë muajit maj. Për vetëm një muaj, 11 mbledhje të planifikuara kanë dështuar të mbahen si rezultat i mungesës së deputetëve, që janë anëtarë të komisioneve përkatëse duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhje (50% +1 e anëtarëve). Duke llogaritur numrin e tërësishëm të mbledhjeve të mbajtura gjatë muajit maj (36 takime të komisioneve) bashkë me këto që kanë qenë të planifikuar por kanë dështuar si rezultat i mungesës së kuorumit (11 takime) i bie që rreth 23% e mbledhje të planifikuar nga komisionet gjatë muajit maj kanë dështuar të mbahen për këtë shkak. Ndonëse Rregullorja e Punës së Kuvendit obligon Komisionet Parlamentare të mbajnë së paku dy mbledhje brenda muajit, kjo dispozitë nuk është respektuar nga pesë komisione, të cilat kanë mbajtur më së shumti nga një mbledhje gjatë muajit maj”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhiut, bllokimi i pikave në seanca për shkak të mungesës së kuorumit ka ndikuar shumë në këtë dinamikë të ulët të punës tek komisionet, pasi nuk po arrijnë të marrin aprovimin në parim në seancë.

“Bllokimi i pikave në seanca për shkak të mungesës së kuorumit, sidomos pikat që kanë për shqyrtim projektligjet në parim ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në këtë dinamikë të ulët të punës tek komisionet parlamentare në procesin e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë. Përderisa në punimet plenare ka mungesë të kuorumit në votim për shkak të bojkotimit të votimeve nga një pjesë e opozitës, në mbledhjet e komisioneve, ka mungesa të kuorumit të nevojshëm edhe për mbajtjen e mbledhjeve që vjen si rezultat i mungesës fizike të deputetëve në ato mbledhje”, ka deklaruar Agnesa Haxhiu për “Bota sot”.

Abazi: Ky parlament është shpenzues i kotë i buxhetit të vendit

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Parlamenti i Kosovës është në krizë është që nga largimi i Listës Srpska dhe vendet e tyre në parlament janë kancer i demokracisë së Kosovës.

“Që nga largimi i Listës Srpska, Parlamenti i Kosovës është në krizë dhe qeveria është me legjitimitet të cunguar. Lista Srpska dhe vendet e tyre të garantuara në parlament janë kanceri i demokracisë në Kosovë. Me votat e tyre është bërë qeveria dhe është bërë e mundur që PDK të jetë në pushtet. Kjo është pjesë e marrëveshjes Thaçi Vuçiq që ata duke i bërë favore njëri-tjetrit kanë mundësuar që të mbajnë peng Kosovën në proceset legjislative dhe në progresin që i duhet për të ecur drejt zhvillimit dhe integrimeve evropiane”, është shprehur ai.

Sipas Abazit parlamenti është shpenzues i buxhetit të vendit, nuk është kuvend por arenë e pazareve, duke shtuar se deputetët nuk meritojnë asnjë pagesë, sidomos të pozitës pasi nuk po kryejnë detyrat sipas betimit.

“Ky parlament është shpenzues i kotë i buxhetit të vendit dhe shumica e parlamentarëve të pozitës dhe disa të opozitës kryesisht nga PSD janë aty për përfitime personale dhe për favoret që ju krijon kjo pozitë edhe kundrejt bosave të politikës por edhe përfitimet që i kanë nga votimi i tyre i orkestruar. Ky që kemi sot nuk është parlament,është një arenë e pazareve. Aty nuk ka shumicë parlamentare dhe aty nuk ka vullnet nga pozita që të ngritët llogaridhënia dhe transparenca e funksionimit të shtetit dhe mbrojtjes së Kushtetutës. Deputetët sidomos të pozitës nuk meritojnë asnjë pagesë, ata nuk janë duke kryer punën dhe detyrat sipas betimit të deputetit”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Abdullahu: Për më shumë koalicioni PAN është i përçarë dhe nuk mund të merr vendime unike

Image
Faton Abdullahu

Në anën tjetër, sipas njohësit të çështjeve politike, Faton Abdullahu, ka kohë që në Kuvend bëhen llafe e nuk kuvendohet e për të mbuluar dështimet, kryetari i Kuvendit sjell vendimet ad-hock.

“Koalicioni PAN nuk e ka shumicën dhe shumë procese në pamundësi që t’i shtyjë përpara për çka duhet vota e shumicës ato vend numrojnë. Kjo ndodh edhe në Kuvend. Ka kohë që në Kuvend bëhen llafe e nuk kuvendohet. Në pamundësi që të funksionojnë si duhet komisionet, të mbahen seancat, të diskutohet gjerë e gjatë e të merren vendimet. Kryeparlamentari për t’i eklipsuar dështimet, vjen me propozime ‘adhock’ nxit debate koti, apo ja kris llafeve që të mos kuvendohet si duhet, as të mos vije deri te vendimmarrja”, ka vlerësuar Abdullahu.

Ai thotë se koalicioni PAN është i përçarë dhe nuk mund të merr vendime unike, e kjo ka bërë që Kuvendi të mos ketë strategji, sidomos dhe kur dihet ndikimi i presidentit tek shumë deputetë.

“Për më shumë koalicioni PAN është i përçarë dhe nuk mund të merr vendime unike dhe me strategji të përpunuar gjithanshëm. Kjo ka bërë që Kuvendi të mos ketë as strategji, as të bëhet unik sa i përket dialogut. Kur kësaj i shtohet ndikimi i madh i Presidentit të vendit tek jo pak deputet, sidomos të PDK-së, qasja e tij jo e njëjtë sidomos sa i përket dialogut me Kryetarin e kësaj partie dhe qasje e tij krejt e ndryshme me Kryeministrin aktual, mund të kuptohet pse ky Kuvend ngec”, ka theksuar ai.

Abdullahu thotë se Kuvendi e ka dëshmuar se nuk mund të jetë funksional dhe për këtë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Për rrjedhojë po ngec dhe po dëmtohet thelbi i demokracisë si dhe po dëmtohet dialogu si proces vital për vendin tonë. Kuvendi e ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur dhe bindëse se nuk mund të jetë funksional. Nuk ka shpresa se do të ndodh e kundërta. Prandaj zgjidhje janë zgjedhjet”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

Krasniqi: Kjo legjislaturë e Kuvendit, do të mbahet mend si legjislatura më e dobët në Kosovën e pas luftës

Image
Faik Krasniqi

Kurse, njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se kjo legjislaturë do të mbahet mend si legjislatura më e dobët në Kosovën e pas luftës, me deputetë të tipit kaubojs.

“Kjo legjislaturë e Kuvendit, do të mbahet mend si legjislatura më e dobët në Kosovën e pas luftës. Nëse në dy legjislaturat e para të pas luftës jemi përfaqësuar nga intelektualë të mirëfilltë duke filluar nga doktorë shkencash, profesorë, akademikë etj, në legjislaturat e fundit jemi përfaqësuar nga deputetë të tipit kaubojs. Shumica e deputetëve janë treguar të papërgjegjshëm gjatë seancave”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, deputetët shkojnë në Kuvend vetëm për ta shënuar emrin për mëditje, por duhet të ketë një ligj që një deputet nuk mund të marrë mëditje nëse nuk qëndron në sallën e Kuvendit.

“Kanë shkuar në Kuvend vetëm sa për të shënuar emrin për mëditje, dhe direkt janë larguar nga Kuvendi. Duhet të ekzistojë një ligj, që një deputet s'mund të marrë mëditje nëse nuk qëndron në sallën e Kuvendit pa përfunduar seanca, sepse janë votuar nga qytetari për t'ua përmirësuar jetën. Por deri më tash e kanë dëshmuar që nuk janë asgjë tjetër veçse marioneta të liderëve të partive dhe grupeve të ndryshme të interesit, dhe zhvatës të buxhetit të Kosovës”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat