Skenar i heshtur për ndarjen e Karaçevës, Komuna e Kamenicës merr një vendim të rrezikshëm për banorët e brezit kufitar!

Politika

Skenar i heshtur për ndarjen e Karaçevës, Komuna e Kamenicës merr një vendim të rrezikshëm për banorët e brezit kufitar!

Nga: v.r Më: 17 qershor 2019 Në ora: 19:52
Fshati Karaçevë

Revolta e qytetarëve kamenicas po vazhdon ndaj nismës së kryetarit të Komunës në fjalë për mbylljen e disa shkollave.

Në ambientet e zyrës së Gazetës Bota sot, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani, ka rrëfyer shqetësimin e tij për situatën e krijuar së fundmi në komunë të Kamenicës, ku kryetari i saj, Qëndron Kastrati, po kërkon mbylljen e disa shkollave fillore.

Kështu deklaron Lenjani duke treguar se kjo nismë e kryetarit Kastrati, ka shqetësuar jo pak banor të Komunës.

“Ankesat janë të bashkësisë lokale, arsimtarëve, qytetarëve dhe nxënësve të fshatit Karaçevë ku me një brengë shumë të madhe e kanë përjetuar këtë projekt të kryetarit të Komunës, Qëndron Kastratit, me reduktimin e disa shkollave ku sipas këtij projekti, i bie që 19 shkolla të mbyllen”, thotë Lenjani.

Ai, tregoi se në mesin e shkollave që pritet të mbyllen është edhe shkolla fillore Asllan Thaçi.

“Në mesin e këtyre 19 shkollave është edhe shkolla fillore Asllan Thaçi, që është marrë si propozim por kjo kalon shumë shpejt edhe në vendim”, tha ai.

Megjithatë, siç shprehet Lenjani, Komuna e Kamenicës ka premtuar që do t’i heq të gjitha shpenzimet e transportit të nxënëseve dhe stafit mësimor për në shkollat tjera. Por, sipas tij, kjo nuk është e nevojshme sepse shkollat janë të kompletuara dhe posedojnë të gjitha mjetet për të pasur një mësim të rregullt.

 

“Të gjitha shpenzimet pretendon se do t’i heq komuna, por megjithatë është brengë shumë e madhe sepse kjo shkollë numëron mbi 100 nxënës dhe stafi arsimor është i kompletuar dhe përveç kësaj, kjo shkollë posedon të gjitha mjetet e nevojshme për t’u zhvillu mësimi”, vazhdon ai.

Për shkak të kësaj nisme të kryetarit Kastrati, Lenjani, pohon se kjo ka çuar në revoltë qytetare për ta kundërshtuar këtë vendim të Komunës.

Lenjani, theksoi se ka dërguar thirrje edhe tek Presidenti vendit dhe Kryeministri që sa më parë t’i marrin masat e të ndalojnë nismën e Komunës së Kamenicës.

“Prandaj ne jemi obligu që të marrim një iniciativë më shkrim m’i njoftu të gjitha institucionet relevante për problemin e brezit kufitar që po pretendon kryetari komunës ta mbyll këtë shkollë.

Ne iu kemi shkruar Presidentit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit të Republikës së Kosovës si dhe Kryetarit të Kuvendit, Ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi”, tha ai.

Lenjani, theksoi se Komuna duhet të hapë shkolla të reja e jo t’i mbyllë ato ekzistueset, pasi që, siç shprehet ai, mjaftë kemi qenë të mbyllur në okupim.

“Ne duhet të hapim shkolla e jo të mbyllim. Ne mjaft të mbyllur kemi qenë në okupim dhe jemi detyru që t’jetojmë e t’veprojmë që ta zhvillojmë sistemin arsimor ngase unë mendoj që arsimi është shtylla e parë e kombit shqiptar dhe atë nuk guxojmë të ndërhyjmë apo të pengojmë pavarësisht a të pengon buxheti kosovës apo i komunës së Kamenicës”, tha ai.

I revoltuar, Lenjani, shprehi dyshimet se kjo nismë e kryetarit Kastrati, mund të jetë nga qarqe të caktuara që nuk i’a duan të mirën vendit. Nisur nga këto dyshime, ai bëri një thirrje ndaj Komunës së Kamenicës.

“Ju Komuna dhe Drejtoria e Arsimit ju bëj thirrje që të tërhiqeni nga kjo kauzë e dëmshme për komunitetin dhe qytetarët në tërësi.

19 shkolla po rrezikohen në komunën e Kamenicës dhe posaçërisht e brezit kufitar që është pikë e ndjeshme. Nga erdh kjo urdhër? Vallë mos po i shkon për shtati shtetit fqinjë atje Serbisë.

Është shumë rrezik permanent por kam një shpresë shumë të madhe se institucionet të marrin vendimet e prera e të duhura për t’i mbrojtur shkollat shqipe.  Kemi mbrojtë në okupim përmes tytave të xhandarmeria serbe”, tha ai.

Gazeta Bota sot, ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratin si dhe zyrtarë tjerë komunal, por se nuk deshën të përgjigjeshin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat