Loja antishqiptare e Beogradit për ç`njohjen e Kosovës e ndihmuar nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Politika

Loja antishqiptare e Beogradit për ç`njohjen e Kosovës e ndihmuar nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 qershor 2019 Në ora: 22:33

“Në Prishtinë, Hashim Thaçi u bë ndihmës i Beogradit në këtë lojë antishqiptare të tij. Po të ishte Ibrahim Rugova, edhe nëse do binte dakord për bisedime me Serbinë, në momentin që do shihte se Beogradi po spekulonte, ai do ta kishte ndërprerë dialogun. Hashim Thaçi, jo vetëm nuk e ndërpreu, por e zhvilloi miqësinë dhe bëri shërbime ndaj Beogradit si asnjë shqiptar tjetër në historinë e re të Kosovës e të Shqipërisë, derisa erdhi të shkëmbimi i territoreve dhe ndarja e Kosovës”, thotë Prof. dr. Enver Bytyçi.

Ka kohë që nuk kemi marr lajme për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Që nga shkurti i vitit të kaluar, kur Barbados njohu shtetin e Kosovës, nuk ka njohje të reja.

Gazeta ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, lidhur me njohjet e reja, mirëpo ata nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Kosova deri më tani ka arritur të sigurojë 116 njohje, për 11 vite pavarësi. 53 nga këto njohje kanë ardhur vetëm vitin e parë, në kohën kur Ministër i Punëve të Jashtme ishte Skender Hyseni nga LDK-ja. Gjatë mandatit të tij, deri më 18 tetor 2010, janë siguruar edhe 17 njohje të tjera. Më pak njohje u siguruan në mandatet e ministrave të tjerë të Jashtëm pas pavarësisë, nga Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Hashim Thaçi dhe tani ministri aktual, Behgjet Pacolli.

Bytyçi: Hashim Thaçi u bë ndihmës i Beogradit në këtë lojë antishqiptare të tij

E lidhur me këtë çështje profesori, Enver Bytyçi thotë se ndonëse në Kosovë kanë munguar njohjet, në Beograd zyrtarët serbë mburren me ç’njohjet.

Image
Enver Bytyçi

“Njohjet për shtetësinë e Kosovës ka disa vite që kanë ngecur, ndërsa në Beograd mburren karkalecat si Daçiç edhe për atë që ata I konsiderojnë çnjohje! Në fakt Beogradi ka arsye të jetë i kënaqur me ecurinë e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë shpallur këtë akt. Kanë arsye të jenë të kënaqur, sepse ka funksionuar strategjia e Beogradit për këtë”, thekson profesor Bytyçi.

Ai thotë më tutje se në vitin 2011, kur qeveria serbe kërkoi dialog me Prishtinën, ajo nuk pati si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, por pikërisht stopimin e njohjeve të shtetit të saj.

“Që atëherë kam theksuar se impakti më i dëmshëm i bisedimeve të Prishtinës me Beogradin ka të bëjë me ngecjen e njohjeve. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur tashmë. Beogradi i përdori bisedimet jo për të përmirësuar marrëdhëniet me Prishtinën, por për t'u thënë shteteve që ende nuk kanë bërë njohjen se "Statusi i Kosovës ende nuk është përcaktuar. Ne po bisedojmë për këtë dhe është mirë që derisa ne të kemi përfunduar bisedimet, ju të qëndroni në pritje të rezultatit të tyre"! Çdo shtet normal, kur mendon dhe beson se po kryehet një proces I shtendërtimit, pret dhe disa kohë për njohjen e tij”, thekson ai.

Më tutje profesor Bytyçi thotë se ndonëse Presidenti Thaçi u bë ndihmës i Beogradit, Presidenti Ibrahim Rugova do të kishte ndërprerë bisedimet në momentin që do të shihte se Beogradi po spekulon.

“Në Prishtinë, Hashim Thaçi u bë ndihmës i Beogradit në këtë lojë antishqiptare të tij. Po të ishte Ibrahim Rugova, edhe nëse do binte dakord për bisedime me Serbinë, në momentin që do shihte se Beogradi po spekulonte, ai do ta kishte ndërprerë dialogun. Hashim Thaçi, jo vetëm nuk e ndërpreu, por e zhvilloi miqësinë dhe bëri shërbime ndaj Beogradit si asnjë shqiptar tjetër në historinë e re të Kosovës e të Shqipërisë, derisa erdhi të shkëmbimi i territoreve dhe ndarja e Kosovës”, thotë ai.

Faktorët tjerë

Ai ka përmendur edhe disa faktorë që kanë ndikuar në këto ngecje të njohjeve për shtetin e Kosovës.

“Ajo që përmenda më lart është faktori kryesor i ngecjeve të njohjeve të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Por ka dhe faktorë të tjerë. Ndër këta faktorë mund të veçoj pasivitetin e diplomacisë shqiptare në këto gjashtë vitet e fundit. Aktiviteti I kësaj diplomacie në drejtim të njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme ka qenë e nivelit zero. Unë besoj se ka një strategji dhe synim të caktuar në këtë ndodhi. Dhe kjo nuk lidhet me afeksionin shpirtëror e miqësor Rama-Vuçiq, por dhe me një urrejtje patologjike ndaj Kosovës nga disa politikanë të Shqipërisë së sotme. Njerëzit shpesh herë nisen nga fjalët e deklaratat, sepse e kanë të vështirë të shohin punën dhe rezultatet e saj. Por puna dhe angazhimi konkret e bëjnë diplomacinë dhe politikën e një vendi efektive”, thekson profesor Bytyçi.

Ai thotë më tutje për “Bota sot”, se edhe kryeministri shqiptar Edi Rama u investua në ndarjen e Kosovës. Energjia që shkoi në funksion të ndarjes ishte energji që iu vodh përpjekjeve për njohjen e shtetit. Ndërkaq, me ndarjen si Rama dhe Thaçi, por edhe liderët politikë e shtetërorë në Beograd, kanë planifikuar që pjesën e mbetur të Kosovës ta bashkojnë me Shqipërinë.

“Kjo e ka ndihmuar Beogradin të paraqesë një arsye më shumë te shtetet mos njohëse të Kosovës, që t'u thotë atyzre: "Ne jemi marrë vesh me kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Kosovës që Kosovën ta ndajmë midis nesh dhe shteti I Kosovës më pas nuk do të ekzistojë! Atëherë pse ju doni të njihni një shtet që shumë shpejt nuk do të gjendet në hartën politike të Evropës"! Beogradi punon me perfeksion për interesat e tij. Sidomos kur është fjala për të bërë destruksion kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinjë. Qeveria shqiptare dhe presidenti i Kosovës u vunë në veprim pro këtij destruksioni. Prandaj kemi jo vetëm ngecje, por edhe një proces të ri, atë të ç`njohjeve të shtetit e të pavarësisë së Kosovës”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, problem mbetet gjithashtu fakti që pesë vende anëtare të BE-0së ende nuk kanë marrë vendimin për njohjen e Kosovës.

“Kjo do të thotë inkurajim i vendeve të tjera jo europiane për të mos e bërë këtë. Ndërsa në ekulibrat ndërkombëtarë mendoj se pozicioni i Turqisë ka ndryshuar disi. Sa më shumë afrohet presidenti turk me Moskën e Beogradin, aq më pak do të kërkojë dhe ndikojë për njohjen e shtetit të Kosovës. Madje, fatkeqësisht, vërej se këtë çështje ai po e përdor si presion ndaj Prishtinës. Pikërisht për këtë arsye do të duhej që pesë vendet e BE-së ta njohin menjëherë pavarësinë e shtetësinë e Kosovës. Në Kosovë do të bëjë një vizitë numri dy i Vatikanit. Unë shpresoj shumë se klerikët katolikë të Kosovës, më së pari besoj te Don Lush Gjergji, të cilin e njoh nga afër, se do të ndikojnë dhe do të këmbëngulin që Vatikani ta njohë shtetin e Kosovës. Në momentin që Vatikani do ta njohë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, në atë moment unë do ta besoj plotësisht se Kosova nuk do të mund të kërcënohet nga mosnjohjet, nga ndarja, nga shuarja e shtetësisë së saj. Ajo do të mbetet një shtet i njohur dhe i pranuar nga e gjithë bota. Ky do të ishte suksesi më i madh për Kosovën. Nuk është e nuk do të jetë sukses kaq i madh as njohja nga Serbia”, vlerëson profesori Enver Bytyçi, për “Bota sot”.

Mehmeti: Presidenti aktual i vendit i ka hyrë një loje të rrezikshme që ka vënë në pezullim statusin e vendit

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, thotë se Kosova ka ngecur në njohje për shkak të Hashim Thaçit.

Image
Faton Mehmeti

“Presidenti aktual i vendit i ka hyrë një loje të rrezikshme që ka vënë në pezullim statusin e vendit, për shkak edhe të cilave kanë ngecur njohjet. Duke e vënë në pikëpyetje statusin e vendit Thaçi i ka dhënë të drejtën Serbisë të lobojë kundër njohjeve me arsyetimin se "statusi është ende i padefinuar". Në këtë sens asnjë shtet serioz nuk ndërhyn në një proces të padefinuar, andaj edhe kanë ngecur njohjet. Pastaj edhe mos serioziteti i diplomacisë sonë karshi njohjeve ka qenë i zbehur, duke vënë kështu në vështirësi njohjet të cilat edhe janë të nevojshme. Ngecjet do ë duhet të pasonin me shkarkimin edhe të presidentit dhe ministrit të jashtëm, si kompetent që përfaqësojnë shtetin. Dështimi duhet të pasohet me ndëshkim, ndryshe kjo gjë do të vazhdoj të na shoqëroj edhe në të ardhmen”, thekson Mehmeti.

Krasniqi: Nuk do të ketë njohje deri sa të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi thotë se ngecja e dialogut me Serbinë, ka bërë që të ndalen edhe njohjet për Kosovën. Sipas tij, një ndër arsyet është edhe propaganda e egër serbe ndaj Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

“Serbia ka diplomaci të fuqishme qysh prej kohës së mbretërisë dhe është më se normale që shumë shtete hezitojnë të na njohin për shkak të këtyre lidhjeve miqësore. Edhe ekonomia serbe është shumë e fuqishme, dhe çdo shtet shikon edhe anën ekonomike. Prandaj nuk do të ketë njohje deri sa të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, vlerëson analisti Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat