Këshilli i Ministrave të BE-së “liberalizoi” rrenën e radhës të Haradinajt për vizat

Politika

Këshilli i Ministrave të BE-së “liberalizoi” rrenën e radhës të Haradinajt për vizat

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 19 qershor 2019 Në ora: 07:58
Këshilli i Ministrave të BE-së

As qershori nuk solli ndonjë hap pozitiv për liberalizimin e vizave. Për rrjedhojë, premtimi i Kryeministrit Haradinaj lidhur me këtë çështje nuk mbeti tjetër veçse një gënjeshtër e tij e radhës. Keqqeverisja dhe veprimet jo të mira të koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, solli notën negative të Këshillit të Ministrave në Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave. Shoqëria Civile dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, fajësojnë qeverinë aktuale për këtë dështim.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Bashkimin Evropian, të martën u dha notë negative ndaj Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave.

Punësimet e njerëzve me precedent penale, mos implementimi i Asociacionit, mos çelja e Urës së Mitrovicës, mënyra si po trajtohet Gjykata Speciale, janë pikat që Kosova nuk u tregua efikase që t’i zbatojë.

BE përmend procedurat, Haradinaj pa përgjigje konkrete

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar zyrtaren e lartë të BE-së, Frederika Mogherinit, e cila ka thënë se Bashkimi Evropian, në njëfarë mënyrë ka bërë të vetën dhe se përgjegjësia për dështimin e liberalizimit të vizave, i takon qeverisë së Kosovës.

“Në korrik 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, duke përfshirë dy kërkesat e mëparshme: 1. Ratifikimi i marrëveshjes së ndarjes së kufirit me Malin e Zi dhe 2. Përforcimi i një rekordi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni. Tani është në dorën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të miratojnë propozimin e Komisionit për dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga BE-ja.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke tentuar ta anashkaloj tërësisht dështimin e tij, tha se Këshilli njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai shtoi se Komisioni ka bërë një propozim zyrtar në muajin Maj të 2016 që ta transferojë Kosovën në listën e shteteve që mund të udhëtojnë pa viza.

“Këshilli e njeh rëndësinë e e liberalizimit të vizave për Kosovën. Komisioni ka bërë një propozim zyrtar në muajin Maj 2016 që të transferojë Kosovën në listën e shteteve që mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, ashtu siç është prezantuar në raportin e Korrikut 2018 rreth përmbushjes së kritereve të mbetura. Në Mars 2019, Parlamenti Evropian përkrahu propozimin e Komisionit Evropian në lexim të parë. Vendimi për këtë propozim është duke u konsideruar nga Këshilli.”, përkthim i saktë i Konkluzionit preliminar (pika54), të Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë Haradinaj, duke cituar konkluzionin.

Nagavci: Me këtë nivel të lartë të korrupsionit dhe me këtë keqqeverisje s’mund të pritet asgjë ndryshe

Image
Arbërie Nagavci

Lidhur me këtë çështje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë nivel të lartë të korrupsionit dhe me këtë keqqeverisje s’mund të pritet asgjë ndryshe.

“Me këtë nivel të lartë të korrupsionit dhe me këtë keqqeverisje s’mund të pritet asgjë ndryshe. Është deklaruar disa herë tashmë dhe është raportuar se po ashtu nuk ka hap përpara në luftimin e korrupsionit, ashtu si në sektorët tjerë të rëndësishme si arsimit, shëndetësia dhe të ngjashme”, tha ajo.

Një gjë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme sipas Nagavcit, mbetët zhvillimi ekonomik në vend dhe mundësitë për punësim të të rinjve në vend.

“Përderisa për shkak të keqqeverisjes dhe pamundësisë për punësim, shumë të rinj po largohen nga vendi, nuk ka asnjë veprim konkret për përmirësimin e gjendjes ne Republikën e Kosovës dhe as gjasa që shpejt të kemi rekomandime pozitive nga BE”, tha Nagavci.

Sherifi: Faji është i dyanshëm

Image
Bilall Sherifi

Kurse, Bilall Sherifi, nga partia Nisma Socialdemokrate, për gazetën “Bota sot”, theksoi se faji për dështimin e liberalizimit të vizave sa është tek politika e Kosovës e po aq edhe tek politikat e BE-së.

“Unë mendoj se faji është i dyanshëm. Edhe institucionet tona edhe institucionet e BE-se!”, tha ai.

Shqipe Pantina nga PSD-ja, për Bota sot, ka thënë se është për keqardhje që Kosova vazhdon të jetë i vetmi vendi që i nënshtrohet regjimit të vizave.

Sipas saj fajin kryesor për këtë dështim e mbajnë bartësit e institucioneve tona.

“Është për keqardhje se Kosova është i vetmi vend që i nënshtrohet regjimit të vizave dhe fajin kryesor e mbajnë bartësit e institucioneve tona, qeveria dhe gjyqësor në veçanti që kanë dështuar t’i përmbushin kushtin për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Çfarë duhet bërë është forcimi i sundimit të ligjit dhe rendit në vend dhe sjellja para drejtësisë dhe dënimi i merituar për të përfshirët në korrupsion dhe krim të organizuar”, tha ajo.

Kryeziu: Kosova nuk ka treguar shembuj që është e gatshme për t`i hetojë dhe gjykojë profilet e larta politike

Image
Taulant Kryeziu

Taulant Kryeziu nga Instituti i politikave evropiane të Kosovës, EPIK, tha se çështja e vizave është çështje që ju takon vendeve të anëtarëve të BE-së, të cilat, me gjasë, konsiderojnë se në Kosovë, krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk po luftohen aq sa duhen. Shkak ky që do të jetë mundësi për ta fitu liberalizimin e vizave.

“Realisht çështja e vizave është çështje që ju takon vendeve anëtarë te BE-se, kjo vendimmarrje realizohet brenda këshillit te Bashkimit Evropian e ne e dimë se cili është pozicioni i disa vendeve të cilat janë skeptike rreth këtij procesi e këtu po përmendi Francën, Holandën , vende të cilat realisht theksin e kanë tek luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionin”, tha Kryeziu.

Sipas Kryeziut, Kosova nuk ka treguar shembuj pozitiv që është e gatshme për t`i hetuar dhe gjykuar profilet e larta politike. Ai potencoi se, sundimi i ligjit është kryefjala e procesit integrues dhe i cili mundëson vendimmarrjen për çështjen e vizave.

“Ne i kemi parë qëndrimet zyrtare qoftë te Francës,Holandës , qoftë të zyre së BE-së në Kosove. Krejt aspektin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave e kane kryekëput të lidhur me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nëse analizojmë prej kur ka filluar matja e rasteve të shënjestruara ne vitin 2016 e deri me sot, ne nuk kemi asnjë aktgjykim përfundimtar dënues për korrupsion , të profilit të lartë, andaj mendoj se institucionet duhet të koncentrohemi më shumë në këtë segment përpara se të bredhin nëpër kryeqendrat e Bashkimit Evropian pa asnjë rezultat në xhep”, tha ai.

Kryeziu, është i mendimit se afati me i afërt për këtë vendimmarrje është në fund të këtij viti, pra momenti i parë kur sipas tij mund ta testojmë disoponimin e Francës, sidomos pas humbjes që ka pësuar presidenti Makron.

“Pra fundit viti është një test rreth gatishmërisë së këtyre vendeve hezitues për me pas një vendimmarrje që hapë rrugë me ndodh lëvizja e lirë në vitin 2020 por sidoqoftë, Kryeziu pohoi së është akoma herët për me pa saktësisht, se cili është disponimi i tyre. Ajo që po shihet është se liberalet edhe të gjelbrit janë kingmakers të institucioneve të reja të BE-së, duhet me pa se si po ndërtohet koalicioni ardhshëm brenda BE-së, dhe mbase me vlerësu se cili është disponimi i Francës për këtë çështje. Nëse edhe Franca jep një sinjale pozitive ne fundvit atëherë mund të shpresohet diçka mirëpo institucionet nuk duhet mu marrë me këto matematika. Institucionet tona duhet ta kuptojnë që adresimi reformave evropiane, krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për një sistem të drejtësisë me njerëz të cilët janë të aftë të guximshëm për me i hetu qoftë edhe profilet e larta politike, është ndihmesa që mund t’i jepet këtij proçesi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat