Tendenca e rrezikshme e PDK-së për ta ngufatur zërin e qytetarit

Politika

Tendenca e rrezikshme e PDK-së për ta ngufatur zërin e qytetarit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 qershor 2019 Në ora: 22:09
Kadri Veseli

“Kosova mbikëqyret nga ky subjekt politik, ku të tillët e kontrollojnë vendi dhe pasurohen përmes parasë publike. Dhe deri sa të pasurohen përmes parasë publike, punët i kanë i kanë mirë. Madje, nuk ka as pakënaqësi në këtë subjekt për shkak të marrëveshjes për kontrolle të pasurive publike dhe përfitimeve që kanë. Ky subjekt politik përpara shuhet se sa reformohet, sepse shefat dhe shefi kryesor funksionoi në këtë parti me argat dhe servilë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Partia Demokratike e Kosovës gjatë ditës së hënë ka penguar shoqërinë civile të afrohet pranë zyrave të partisë, të cilët po e kundërshtonin Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. E njëri nga zyrtarët i cili besohet të jetë sigurim në partinë e Kadri Veselit, ka kërcënuar me armë aktivistët që të mos i afrohen zyrave të partisë. Më pas përfaqësuesit e OJQ-ve janë larguar me dhunë nga sigurimi i PDK-së. Ndryshe, gjatë ditës së hënë organizatat e shoqërisë civile kanë marshuar në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës së 100 organizatave të Shoqërisë Civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, për shkak se ata vlerësojnë se Projektligji, është në kundërshtim me frymën kushtetuese, dhe cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Publicisti Faton Abdullahu, ka thënë për “Bota sot” se të sulmohet shoqëria civile nga pjesëtarët e sigurimit të një partie politike është skandaloze.

Ai ka thënë se, vështirë shpjegohet ky sulm, pasi në këtë rast sulmi tregon për konfidencën e plotë dhe arrogancën hamshore të atyre që jetojnë e veprojnë brenda një rrethi ku shprehja e disiplinës qorre është premisë për ngjitje në shkallët e hierarkisë.

Image
Faton Abdullahu

“Fakti se partitë tjera politike nuk vepruan kështu njëjtë edhe pse kështu njëjtë u soll shoqëria civile me të gjitha partitë politike, përkatësisht afër të gjitha selive të tyre në Prishtinë, e bën edhe më me faj PDK-në. Lind pyetja se përse PDK-ja veproj kështu duke sulmuar? Nga kush vallë pati kaq frikë, dhe prej nga ky reagim në disproporcion me rrezikun që në të vërtetë nuk vinte nga askush?? Së paku PDK-ja duhet të kërkoj falje nga protestuesit e qetë, të cilët kishin qëllim të qartë se çfarë duan dhe si duan ta bëjnë këtë”, ka thënë publicisti Abdullahu.

Mushkolaj: Me këtë qasje PDK-ja tregon se nuk e respekton qytetarin

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë se sulmi ndaj Shoqërisë Civile është një veprim i pa pranueshëm, që tregon se çfarë në të vërtetë është PDK-ja.

Image
Imer Mushkolaj

“Qytetarët protestonin në hapësirë publike, por njerëzit e PDK-së donin t'ua uzurponin edhe atë hapësire. Me këtë qasje PDK-ja tregon se nuk e respekton qytetarin, e as zërin e qytetarit, por provon ta ngufasë atë,” ka thënë Imer Mushkolaj.

Luzha: Protestat janë mjet ligjor demokratik, i lejuar me Kushtetutën e Kosovës

Kurse, Besa Luzha, nga Shoqëria Civile ka thënë se protestat janë mjet ligjor demokratik i lejuar me Kushtetutën e Kosovës, pavarësisht se a i do PDK-ja apo jo.

Image
Besa Luzha

“E dimë që pushteti nuk i ka qejf protestat kundër tij, por ato janë mjet ligjor demokratik i lejuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Jo vetëm shoqëria civile e organizuar, por edhe vetë qytetarët kanë të drejtë për të shprehur pakënaqësi, mos pajtim, revoltë e çka do tjetër, në format e lejuara demokratike. Marshi ishte i tillë, ligjor dhe demokratik. Andaj, sjelljet e sotme të pjesëtarëve apo të sigurimit të PDK-së kundër protestuesve i takojnë kohëve të kaluara, kur pushteti të burgos e që besa edhe të vret për ide e shprehje të lire, dhe assesi këto sjellje nuk i shkojnë përshtati "dekadës së re", ka thënë Luzha.

Burjani: Kosova mbikëqyret nga ky subjekt politik

Kurse, njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani, ka thënë se ky subjekt politik zhvatës dhe i korruptuar skajshëm nuk e duron asnjë përpjekje të Shoqërisë Civile dhe botës akademike.

Sipas tij, kërkesat që ky subjekt të bashkëpunojë me organet e rendit për shkak të problemeve me krimin e organizuar është hasë në vesh të shurdhër.

Image
Blerim Burjani

“Kosova mbikëqyret nga ky subjekt politik, ku të tillët e kontrollojnë vendi dhe pasurohen përmes parasë publike. Dhe deri sa të pasurohen përmes parasë publike, punët i kanë i kanë mirë. Madje, nuk ka as pakënaqësi në këtë subjekt për shkak të marrëveshjes për kontrolle të pasurive publike dhe përfitimeve që kanë. Ky subjekt politik përpara shuhet se sa reformohet, sepse shefat dhe shefi kryesor funksionoi në këtë parti me argat dhe servilë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Krasniqi: Në gjithë botën Shoqëria Civile respektohet

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë kjo ngjarje tregon që partitë politike ne Kosovë, janë shumë larg demokracisë së botës së civilizuar.

Sipas tij, në gjithë botën Shoqëria Civile respektohet, madje edhe nëse është bartëse e ndërtimit të shtetit, institucioneve dhe demokracisë.

Image
Faik Krasniqi

“Tek ne në Kosovë është e kundërta, pasi Shoqëria Civile ose përdoret nga partitë politike për interesa të tyre, ose ajo pjesa e paanshme politike shtypet nga pushteti. Pra PDK-ja e dha shembullin e keq që Shoqëria Civile në Kosovë duhet të shtypet barbarisht”, ka thënë politologu Krasniqi.

Kajtazi: PDK-ja duhet t`i kërkojë falje Shoqërisë Civile

Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se dhuna pa dyshim se i dërgon gjërat në ekstreme dhe ajo nuk është e pranueshme.

Sipas tij, kjo është universale dhe po t'i pyetesh palët secila do ta thoshte këtë, por ja që ajo ndodhi.

Image
Fadil Kajtazi

“Në këtë rast Shoqëria Civile kishte një kauzë e cila është në dobi të qytetarëve dhe shtetit të varfër të Kosovës. Ajo nuk demonstronte për ndonjë kauzë të saj politike, sepse ajo ngjarje nuk iu adresuar vetëm një partie politike. Ajo njëjtë manifestoi edhe tek selite e partive tjera dhe nuk pati ndonjë problem. Problemi ndodhi vetëm para selisë së PDK –së. Andaj konsiderojë që PDK-ja duhet të kërkojë falje Shoqërisë Civile. Dua të besoj se kjo më tepër ka ndodhur si rezultat i mos ushtrimit të funksionit në mënyrë profesionale nga ana e bodygardeve (truprojave) të PDK-së” ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat