Kadri Veseli fillon qërimin e hesapeve brenda PDK-së!

Politika

Kadri Veseli fillon qërimin e hesapeve brenda PDK-së!

Nga: N.Sh Më: 20 qershor 2019 Në ora: 09:09
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme ka larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Me këtë vendim të Veselit janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

E ky veprim i Veselit është kryer për qërim hesapesh brenda partisë së tij.

Image
Haki Abazi

Kështu mendon, njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Haki Abazi, i cili shton se, vet Kadri Veseli është pjesë e skandalit PRONTO.

“Veprimet e Kadri Veselit janë qërim hesapesh brenda partisë jo për të respektuar ligjin dhe as për të ngritur standardin por për të konsoliduar fuqinë përmbrapa partisë. Vet Kadri Veseli është pjesë e PRONTO-s, është i apostrofuar në rastin e pasaportave ku është përfshirë Natalia Velija, dhe dhjetëra apostrofime tjera si udhëheqësi i SHIK sidomos në dëshmitë e Nazim Bllaces dhe Naim Miftarit”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Abazi shton se, kjo edhe përpara mundësisë së Gjykatës Speciale lufta ndërmjet krerëve të PDK-së mund të shndërrohet në gjuajtje të shtrigave dhe kuptohet që hedhja e fajit dhe drejtimi i gishtit ndaj njeri tjetrit është se si përfundojnë storiet për bandat.

“Kreu i PDK-së është në mëkate të thela për atë që ka bërë në të kaluarën dhe çfarë ka bërë në 20 vitet e fundit gjithashtu. Sigurisht që nga këto mëkate po mundohen të shpëtojnë duke bërë manovrime të brendshme dhe duke tentuar që të paraqesin një çasje të re por me njerëzit e vjetër e që poashtu është një tentim të dërgojnë mesazhe tek ambasadorët se janë duke ndryshuar”, thekson ai.

Sipas tij, kjo është kuptuar mirë tanimë dhe nuk e beson që dikush beson që ata që i janë kërcënuar prokurorëve dhe kanë kapur gjyqësinë dhe bordet publike kane vullnet që të zbatohet ligji.

“Kosovës i duhet një situatë e njëjtë me atë të rënies së komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore për të dal nga kapja e shtetit që i kanë bërë neokomunistet e ish LPK-së e që tani e quajnë veten PDK”, përfundon Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat