"Komandantët" të konvertuar në politikanë u pasuruan me korrupsion, haraç e fajde

Politika

"Komandantët" të konvertuar në politikanë u pasuruan me korrupsion, haraç e fajde

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 20 qershor 2019 Në ora: 09:50
Foto ilustruese

Sot, 20 vjet pas çlirimit, Republika e Kosovës vazhdon të jetë një ndër vendet më të pa-zhvilluara në rajon, sidomos në aspektin ekonomik, pasi vazhdojmë të kemi papunësinë më të lartë në raport me vendet e rajonit. Republika e Kosovës edhe më tutje vazhdon të ketë importin më të lartë, madje edhe në produkte ushqimore, në krahasim me vendet e rajonit. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj vazhdojnë që edhe 20 vjet pas çlirimit, mirëqenien e tyre, ekzistencën e tyre ta kenë të varur nga remitencat, nga të ardhurat e atyre që nuk gjenden në Republikën e Kosovës, nga puna që bëjnë familjarët e shqiptarëve të Kosovës që veprojnë e punojnë nëpër vendet evropiane, pa të cilët sipas ekonomistëve, nuk mund të paramendohet momentalisht jeta në Kosovë.

Pas çlirimit, siç e dimë, bashkësia ndërkombëtare me anë të organizatave të saja si USAID, UNHCR apo organizata tjera të cilat duke ndarë fonde për sektorë të ndryshëm të organizimit të jetës në Kosovë, kanë tentuar që Republikës së Kosovës në një farë forme t’ia trasojnë rrugën e saj drejt pavarësimit jo vetëm faktik, por edhe ekzistencial të shtetësisë së Kosovës.

Rreth keqpërdorimit të parasë së gatshme, të ardhur nëpërmjet formave të ndryshme është shkruar vazhdimisht, vazhdimisht këto keqpërdorime kanë ardhur nga ata që kanë guxuar që t’i fusin duart në “grumbull parash”, duke mos e harruar edhe “grumbullin” tek fondi “Vendlindja thërret”, as tek “Fondi i 3 %-shit”, të gjitha këto deri para luftës, e duke vazhduar pastaj pas luftës ku e kanë pasur më të thjesht.

Derisa kanë ardhur në pushtet, komandantët në vazhdimësi janë akuzuar për uzurpime të pronave si private ashtu edhe ato shoqërore, e sidomos ato shoqërore, duke i defunksionalizuar si veprimtari e duke i shndërruar në magazina apo lokale me qera. I njëjti avaz ka vazhduar edhe me anë të procesit të privatizimit, ku janë shkatërruar të gjitha fuqitë ekonomike të vendit, të gjitha burimet e vendeve të punësimit duke i privatizuar pa kurrfarë kriteri, apo të paktën asnjë kriter nuk është zbatuar pasi ka kaluar në pronë të privatit, ani pse thuajse të gjitha janë privatizuar me siç quhej “spioff-special”.

Së fundi, Agjencia Kundër Korrupsionit i ka publikuar pasuritë e personave në detyra zyrtare të shtetit të Republikës së Kosovës, ku siç edhe nuk jemi habitur, e kemi parë se shumica e krerëve të institucioneve, sidomos e atyre që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe jo vetëm, kanë paraqitur pasuri të cilat prekin shifra qindra mijëra euro, e deri tek milionat. Duke pasur parasysh dyshimet që të gjithë i kanë, se pasuria të cilën zyrtarët e kanë prezantuar përpara AKK-së, është vetëm maja e “ajsbergut”, të asaj që ata posedojnë, të gjithë i ngrehin natyrshëm pyetjen se nga burojnë të gjithë ato para? Çka punojnë tjetër liderët tanë, kokat e shtetit që në pronësi të tyre kanë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me shifra astronomike për shoqërinë tonë?

Se të zhvaturit institucionet, është diçka normale për krerët e shtetit apo më mirë të themi disa prej tyre, e dëshmon edhe deklarata e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili në një emision televiziv i kishte deklaruar gazetarit se gjithkush në Kosovë i ka nga 2 apo 3 milion euro dhe se kjo nuk është diçka që duhet të na bëjë përshtypje, ani pse pas një kohe i kishte rënë pishman për atë deklaratë të thënë duke u shprehur se nuk i ka 2 milion e as 1 milion euro, megjithatë nuk ka arritur ta bind opinionin se pse kishte deklaruar ashtu.

Pasurimi përmes korrupsionit, haraçit e fajdeve

Image
Drita Millaku

Lidhur me këtë çështje, e kontaktuar nga “Bota sot”, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim që këta që na qeverisin deri sot, pasurimin e tyre e kanë arritur përmes korrupsionit, haraçit e fajdeve.

“Tanimë është e ditur se këta që qeverisin tash e 20 vjet pas luftës, pasurinë e tyre e kanë bërë përmes korrupsionit, haraçit, fajdeve, kjo nuk do koment për shkak se është shumë e thjeshtë të dihet. Pasurimi i këtyre njerëzve ka ardhur nëpërmes privatizimit të ndërmarrjeve dhe tokave në Kosovë, por edhe të krijimit të monopoleve, pasurimi më i madh i tyre ka ardhur nga të ashtuquajturat projekte të mëdha siç janë autostradat, kontratën e autostradës Ibrahim Rugova nuk mund ta sheh askush athu pse? Autostrada për Shkup përveç shumës fillestare edhe 53 milion kush i ka marrë. E njëjta gjë po ndodhë edhe me autostradën e dukagjinit, aty ka filluar dhe po përgatitet një korrupsion i përmasave gjigante”, është shprehur deputetja Millaku.

Luftimi i rrejshëm i korrupsionit

Image
Mustafë Kadriaj

Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, duke folur për këtë temë mjaftë të ndjeshme në shoqërinë tonë, ka thënë se shembulli më i mirë për dallaveret politike ndërmjet liderëve, duke bërë akuza të ndërsjella për duke tentuar që para popullit ta nxjerrin veten të fuqishëm, e kemi rastin e 70 dosjeve të cilat Shpend Ahmeti ia kishte dërguar në gjykatë ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, për të cilat dosje asnjëherë nuk është ndërmarrë asgjë, as nuk është gjykuar Isa Mustafa, e as nuk është dënuar për shpifje Shpend Ahmeti.

“Thuhet që gjithnjë krimi është një hap para mekanizmit të shtetit, sepse edhe shteti merr hapa në bazë të praktikave të krimit dhe kjo dëshmoi më së miri tek ne që edhe zhvatësit e buxhetit të Kosovës. Me këtë dua të theksoj që kjo vonesë e organeve antikrim të krijon dozën e dyshimit që janë lënë të lirë njerëzit e politikës që të mbulojnë me letra pasurinë si fizike dhe monetare. Po të merren për bazë të hyrat e tyre si dhe luksi i jetës si në ushqime dhe gardërobë, po ashtu edhe shkollimi i tyre sepse një pjesë e tyre janë shkolluar mbas lufte së paku janë pajisur me diploma po ashtu edhe shkollimi i fëmijëve të tyre në kolegje ku dihet kosto e tyre, nuk e pranon logjika ekonomike sepse nuk mund të shpenzon më shumë sesa të hyrat”, ka deklaruar ai.

Kadriaj ka shtuar se, liderët vendorë kanë filluar me deklarata për luftimin e korrupsionit, pas presionit nga ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe si dhe Bashikmi Evropian.

“Me këtë ata do të shtyjnë organet e rendit që të bëjnë fushatë duke arrestuar zyrtarë dhe biznese, të cilat nuk kanë ndikim në shtet. Me këtë do të realizohen dy qëllime, pastrimi i liderëve politk para bashëksisë ndërkombëtare, duke bërë që të amnistohen njerëzit e fortë të politikës si dhe bashkësia ndërkombëtare do të arsyetojë vetveten para qytetarëve njëherit taksapaguesve të tyre për fondet e derdhura në Kosovë që nga pas lufta”, është shprehur analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Origjina në veprimtaritë kriminale

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, analisti Nexhat Haziri, pasurimin e krerëve të shtetit dhe prejardhjen e pasurisë së tyre e ka ndërlidhur ndër të tjera edhe me drogën, cigaret, derivatet e naftës e madje edhe me trafikimin me qenie njerëzore, për qëllime të përdorimit seksual.

“Mënyra e funksionimit të tyre që u ngjanë kapove të organizatave mafioze siç është ajo siciliane, ka bërë që "komandantët" të konvertuar në politikan, pas lufte të arrijnë për të përfituar pasuri gati përrallore për veten e tyre. Kjo formë e pasurimit të tyre e ka origjinën në veprimtarinë e tyre kriminale, duke nisur që shpërdorimi i fondit "vendlindja thërret" e deri të uzurpimi i pronës shoqërore, haraçi, fajdet, kontrabanda me armë dhe drogë, cigare, derivate të naftës, trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime prostitucioni, monopol në sfera të caktuara të biznesit, privatizime të pronës shoqërore ne mënyrë anti-ligjore, korrupsioni dhe gjithçka që lidhet e format e krimit të organizuar. Këta janë të tillë dhe kështu kanë funksionuar”, është shprehur analisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat