Treni i fundit për PDK-në e përfshirë në krim e korrupsion 

Politika

Treni i fundit për PDK-në e përfshirë në krim e korrupsion 

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 qershor 2019 Në ora: 13:46
PDK

Dy ditë më parë tha se siç ka luftuar në luftë, tani do ta luftojë korrupsionin në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi  se nuk do të lejoj që asnjë person me aktakuzë për korrupsion të mbajë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj.

“PDK nuk do të kandidojë persona të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, në asnjë pozitë publike. Dhe, as nuk do t’i mbështesë kandidatët e tillë që mund të propozohen nga partitë tjera ose qytetarët”, tha ai.

E të mërkurën, Veseli ka larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Vendimi

Në një konferencë me gazetarë, lideri i PDK-së bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike, ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministrin e FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziun, të cilët janë në procese gjyqësore.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore - si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.

Por, ndonëse në pamje të parë duket si hap pozitiv i Veselit, ky vendim po konsiderohet i vonuar nga përfaqësues të partive të tjera dhe analistë.

Në Qeverinë Mustafa nuk është lejuar asnjë individ i tillë

Image
Bajram Gecaj

Kështu, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vendimi i tij është i vonuar dhe i marrë nën presion ndërkombëtarë, duke shtuar se marrëveshjet që ka bërë me personat e shkarkuar janë të kënaqshme, sa që nuk do të ketë pakënaqësi brenda tyre.

“Vendimi i Kadri Veselit është shumë i vonuar dhe i ndërmarrë nën presionin e miqve ndërkombëtarë. Në Qeverinë Mustafa nuk është lejuar asnjë individ i tillë me aktakuzë që nga dita e parë. Unë besoj se Veselit i është dashur të gjejë ndonjë mënyrë kompensimi për individët e shkarkuar, e të cilin kompensim ka gjasa ta marrim vesh por ndoshta edhe nuk do ta kuptojmë kurrë! Jam i sigurt se marrëveshjet me individët e shkarkuar janë aq të kënaqshme sa që nuk do të ketë ndonjë pakënaqësi të shprehur në mënyrë të ashpër dhe me pasoja të rënda”, ka vlerësuar ai.

Gecaj mendon se kjo pavarësisht se kjo mund të jetë ide e Veselit për zgjedhje, nuk mund të jetë shtytje që ato të ndodhin, derisa ka shtuar se PDK do të mbetej pa shumicën e lidershipit, nëse sistemi juridik do të ishte në rregull në Kosovë.

“Nuk e besoj se kjo çështje në vetvete mund të jetë shtytje për zgjedhje të reja, por koka e Veselit mund ta ketë zier edhe një çështje të tillë! Nëse do të ishte sistemi juridik në rregull dhe nëse do të vepronin organet e hetuesisë si duhet, PDK do të mbetej pa shumicën dërmuese të lidershipit të tyre, ndërsa vendi pa titullarët kryesorë të institucioneve te Republikës”, ka deklaruar Bajram Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Unë nuk i besoj deklaratave të kreut të PDK-së

Image
Faik Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se PDK është partia më e zhytur në krim dhe korrupsion dhe nëse fillon pastrimi i saj, partia do të mbetet pa pjesën më të madhe të anëtarëve të saj.

“PDK-ja është partia më e zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion. Nëse fillon pastrimi i PDK-së nga të korruptuarit dhe të kriminalizuarit brenda partisë, partia do të ngelet pa pjesën më të madhe të anëtarëve të saj”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë se nuk i beson deklaratave të Veseli, pasi prej kohësh po përpiqet ta luajë rolin e një lideri të përgjegjshëm, por që deklaratat e tij janë tallje me opinionin.

“Unë nuk i besoj deklaratave të kreut të PDK-së. Po ta kishte me seriozitet Kadri Veseli pastrimin e partisë, nuk do t'i fustë në Këshillin Drejtues njerëz të njohur për pisllëqe. Kadri Veseli prej kohesh mundohet ta luajë rolin e një lideri të përgjegjshëm, por nuk është gjë tjetër veçse një demagog. Deklaratat e tij janë shumë qesharake kur flet për gjendjen politike, ekonomike dhe çështje tjera. Më shumë bën deklarata tallje me opinionin”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Lepaja: PDK e ka prekur fundin dhe nëse tash nuk fillon një proces i kthimit të besimit ajo do të rrënohet

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka vlerësuar se pavarësisht se është i vonuar, vendimi i Veselit duhet përshëndetur dhe që është dashur të bëhet me çfarëdo çmimi, por që kjo nuk mjafton për ta liruar shoqërinë nga korrupsioni.

“Pavarësisht sa është i vonuar, një vendim i tillë është gjithnjë me vend dhe duhet përshëndetur.Madje, diçka e tillë është dashur të bëhet me çfarëdo çmimi, por kjo nuk mjafton për të e liruar shoqërinë nga korrupsioni i përgjegjësve, por duhet angazhim i jashtëzakonshëm për reformë , ndërrim të zyrtarëve në sistemin e drejtësisë, sepse kështu rrezikon që krimin e vërtetë të mos e luftojë, por të merret vetëm me zyrtarë të dorës së dytë apo të tretë, ndërkaq krimi luftohet nga koka, gjithnjë me ligj dhe me procedura të rregullta”, ka theksuar Lepaja për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Veseli e ka bërë për shkak se është vetëdijesuar se PDK e ka prekur fundin dhe nëse nuk bën ndonjë proces të kthimit të besimit, ajo do të rrënohet, e sipas Lepajës, Veseli po ashtu këtë e ka si hyrje në promovimin e tij për kryeministër të ardhshëm që më vonë do të shndërrohet në fushatë.

“Gjithsesi, pas rizgjedhjes në krye të PDK kjo paraqet vetëdijen e tij se PDK e ka prekur fundin dhe nëse tash nuk fillon një proces i kthimit të besimit ajo do të rrënohet. Njëherësh kjo është hyrje në promovimin e tij për kryeministër të ardhshëm, fillimisht përpara faktorit ndërkombëtar e më vonë do të shndërrohet në fushatë paraelektorale nëse nuk është e mundur që kjo të bëhet pa zgjedhje”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat