LDK, shënjestër e nëntokës së “klanit pronto” - Bota Sot
LDK, shënjestër e nëntokës së “klanit pronto”

Politika

LDK, shënjestër e nëntokës së “klanit pronto”

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 21 qershor 2019 Në ora: 10:49
Lidhja Demokratike e Kosovës

Analistët i konsiderojnë përleshjet në kuvendet zgjedhore, paaftësi të LDK-së!  Analistët kanë komentuar ngjarjet e fundit që kanë ndodhur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata i kanë vlerësuar si dështime, paaftësi mirëpo edhe infiltrime të anëtarëve të partive tjera në përleshje, pa e shfajësuar LDK-në për veprimet e anëtarëve të tyre në proceset zgjedhore. Ata gjithashtu kanë thënë se përjashtimi i Abrashit dhe Borovcit ka qenë veprim antidemokratik i kësaj partie.

Mushkolaj: Përjashtimet, veprim antidemokratik

Analisti Imer Mushkolaj e ka konsideruar antidemokratike përjashtimin e Hazir Borovcit dhe Arban Abrashit nga gara për kryetar të degës së tretë.

“Për përjashtimin e Abrashit dhe Borovcit, për mua është veprim antidemokratik, për shkak se askush nuk mund të përjashtohet nga gara, me përjashtim nëse dihet se ata janë njerëzit që po ndikojnë të ndodhin këto përleshje dhe një partie si LDK-ja që në emërtimin e saj e ka fjalën demokratike nuk do duhej që të veprojë në këtë mënyrë, pra është antidemokratik”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket përleshjeve fizike që po ndodhin në nëndegët e kësaj partie, Mushkolaj ka theksuar se ky është një dështim I LDK-së.

“Përleshjet brenda LDK-së na tregojnë se sa e ashpër do të bëhet gara për kreun e partisë. Për LDK-në do të duhej të ishte shqetësuese se si nuk po mundet t’i menaxhojë këto përleshje që po ndodhin edhe në nëndegë, në kuvende të nëndegëve, e ne e dimë se në nëndegë numri i delegatëve është i vogël....pra ky është një dështim i partisë. Në anën tjetër e kemi dëgju arsyetimet e LDK-së duke thënë se në këto përleshje të partisë po marrin pjesë edhe anëtarë të partive tjera edhe ky është një arsyetim kot për shkak se LDK-ja si parti e madhe mundet që të menaxhojë kuvendin edhe nëse ka anëtarë të partive tjera, thjesht mos t’i lejojë që të marrin pjesë. ‘’

Analisti Imer Mushkolaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe në kuvendin zgjedhor të ketë të tilla probleme.

Image
Imer Mushkolaj

‘’Nëse vazhdon ky trend i përleshjeve që nënkupton se nëse vazhdon kjo mënyrë e mbajtjes së kuvendeve zgjedhore të LDK-së, atëherë unë nuk e përjashtoj mundësinë që edhe në kuvendin qendror, kurdo që të mbahet, të ketë këso probleme, për shkak se duket se beteja për të parin e LDK-së, e që i bie edhe beteja për kryetar të nëndegëve dhe të degëve paraprakisht është aq e ashpër dhe kjo po reflektohet edhe në këto përleshje që po ndodhin’’, ka thënë Mushkolaj.

Struktura e vjetër brenda LDK-së, s'po lejon që të rinjtë të avancohen

Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti thekson se shkaktar i këtyre situatave është struktura e vjetër e cila nuk po lejon avancimin e të rinjve. Ai gjithashtu ka potencuar për “Bota sot” se LDK duhet urgjentisht që ta trajtojë këtë çështje.

''LDK duhet me urgjencë të trajtojë këtë fenomen që po e përcjellë pothuajse në shumicën e degëve të saj. Gjithsesi mendoj se grupacionet brenda LDK-së si dhe mos hapja e partisë për gjenerata të reja ka acaruar këta të fundit të cilët po kërkojnë që kësaj partie t'i lirohet frymëmarrja. Faktikisht ekziston struktura e vjetër brenda LDK-së që s'po lejon që të rinjtë të avancohen, duke shkaktuar kështu pakënaqësi e të cilat po shkaktojnë këso situate.

Mehmeti: Besoj se ka infiltrime brenda LDK-së nga nëntoka e klanit ''Pronto”

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti ka konsideruar se këto zgjedhje janë test për LDK-në, duke vënë në pah mendimin e tij se ka infiltrime brenda partisë nga ''nëntoka e klanit Pronto''.

''Mendoj se LDK duhet nga fillimi të shpallë zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët e saj, duke konsideruar garë të ndershme dhe fer, me gjeneratën e vjetër që duhet të hapë rrugë për të rinjtë, ndryshe kjo parti rrezikon shumë që edhe më tutje të humbas elektorat. Këto zgjedhje brenda LDK-së janë test për këtë parti, e të cilat nuk duhet assesi të prodhojnë përçarje por bashkim, duke e bërë edhe më të fortë këtë parti përballë të keqes në pushtet. Besoj se ka infiltrime brenda LDK-së nga nëntoka e klanit ''Pronto”, të cilët pasi ndanë Vetëvendosjen po mundohen që të përçajnë LDK-në, me çka do i siguronin vetes qëndrim në pushtet edhe më gjatë. Pa hapjen e rrugës për gjeneratën e re, LDK rrezikon të shndërrohet në satelit të PDK-së, çka më së paku i nevojitet Kosovës”, është shprehur Mehmeti.

Haziri: Këto sondazhe sikur e kanë dehur para kohe LDK-në

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot” ka thënë se LDK ka hyrë në proces zgjedhor pa një koncept të përgatitur mirë si dhe këto tensione nxjerrin në pah paaftësinë e lidershipit të kësaj partie.

''Kjo gjendje konfliktuoze në LDK po vjen si pasojë e futjes në një proces zgjedhor brenda partiak pa projekt dhe pa koncept të mirë përgatitur, gjë që po prodhon pasoja. Tensionet të cilat kanë shkuar edhe deri te përleshjet fizike në procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, nxjerrin në pah paaftësinë e lidershipit të kësaj partie për ta organizuar një proces zgjedhor të hapur, demokratik dhe garues që do ta bënte atraktiv edhe për prurje të reja, që do ta bënin LDK-në më të bindshme dhe më të besuar në opinion se kjo parti mund t'ia kthej shpresën këtij vendi.''

Haziri më tutje ka theksuar se sondazhet janë ato që ua kanë rritur ambiciet grupeve të interesave për t'i ruajtur lidhjet biznesore.

Po ashtu, si një faktor tjetër e shoh edhe rezultatin e sondazheve që LDK e nxjerrin të parën, dhe siç po shihet më shumë i ka bërë dëm se sa u ka shërbyer lidershipit të kësaj partie për të reflektuar për moblizim dhe avancim të demokracisë së brendshme. Këto sondazhe sikur e kanë dehur para kohe LDK-në, duke bërë që të prodhojë një luftë të ashpër për pushtet të brendshëm nga grupet e interesave të cilave edhe ua ka rritë ambiciet synimi i të cilave është që në rast të ardhjes së tyre në pushtet, t'i ruajnë lidhjet biznesore në çfarëdo kombinatorike politike.''

 

Emisarë të PAN-it brenda LDK-së

Analisti Haziri është shprehur se PAN e kanë interesin e tyre që LDK të dobësohet, por kjo nuk e shfajëson LDK-në për procesin zgjedhor.

''Ndërsa faktori tjetër që është përfolur këto ditë të infiltrimit të njerëzve nga partitë e caktuara politike sidomos atyre nga PAN në procesin zgjedhor të LDK-së, unë nuk e përjashtoj pasi partitë e koalicionit qeverisës PAN duke gjetur emisarë të tyre brenda LDK-së, natyrisht që kanë interesin e tyre që LDK-ja të dalë sa më dobët dhe më e deorganizuar nga ky proces, e që mos të jetë njëra nga partitë që ua rrezikon sundimin e tyre. Por, kjo nuk e shfajëson lidershipin e LDK-së nga paaftësia për ta bërë një proces të mirë zgjedhor, transparent, demokratik dhe garues.

Abrashi, një nga kuadrot e respektuara në LDK

Ai ka shprehur keqardhje për përjashtimin e Abrashit dhe Borovcit, duke thënë se njerëzve të tillë LDK-ja duhet t'u krijojë mundësi për të garuar për shkak të vlerave që kanë.

''Ndërsa sa i përket përjashtimit të Abrashit dhe Borovcit nga gara, është për keqardhje sidomos nëse ky përjashtim është bërë pa një analizë të ngjarjeve që çuan në përleshje në kuvendin e një dege, ku këta të dytë ishin pretendent për kryetar. E themi për keqardhje sidomos përjashtimin e z. Abrashi i cili është një nga kuadrot e respektuara në LDK dhe në elektoratin e kësaj partie, e që u dëshmua në zgjedhjet lokale në garën për kryetar të Prishtinës. Njerëzve të tillë si z. Abrashi, LDK-ja duhet t'u krijojë hapësirë dhe mundësi për të garuar pasi paraqesin vlera të mirëfillta politike dhe intelektuale.''

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...