Si po heshtet atentati ndaj Rugovës dhe cilët politikanë të njohur u akuzuan për këtë krim?!

Politika

Si po heshtet atentati ndaj Rugovës dhe cilët politikanë të njohur u akuzuan për këtë krim?!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 qershor 2019 Në ora: 11:56
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, para 3 viteve ka kërkuar zbardhjen e krimeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë.

Nëpërmjet 4 letrave që Presidenti Thaçi ua ka dërguar Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Speciale, ka kërkuar që në mesin e tyre të zbardhet edhe atentati ndaj ish presidentit Rugova dhe të gjithë akteve të tjera të vrarë pas luftës në Kosovë.

“Arsyeja pse tani po kërkohet kjo është se tani drejtësia ndodhet në duart e vendorëve dhe fakti se unë jam president”, ka thënë Thaçi në tetor të vitit 20016.

Në mesin e katër letrave dërguar prokurorisë, në letrën e dytë, Thaçi ka kërkuar që organet e drejtësisë të merren me krimet serioze që janë kryer menjëherë pas luftës, apo edhe më vonë, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyqi, atentati ndaj Ibrahim Rugovës, etj.

Tentimi për ta vrarë Rugovën

Një nga sulmet e pasluftës ku vriteshin njerëzit e LDK-së, ishte edhe ai që kishte ndodhur në mars të vitit 2004, në momentin kur presidenti Rugova po shkonte drejt Presidencës së Kosovës nga rezidenca e tij në Velani, dhe pritej të takohej me sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Javier Solana.

Presidenti Rugova i mbijetoi edhe këtij sulmi, ndërsa Agim Hoti, kishte pretenduar se është autor i dy tentim atentateve ndaj tij.

Nga burgu i Dubravës, Hoti disa herë ka thënë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj.

Këto akuza asnjëherë nuk janë vërtetuar, pasi që deklaratat e Hotit kanë qenë kontroverse dhe të pabesueshme.

Mirëpo që nga ajo kohë, prokuroria siç duket nuk ka arritur të punojë asgjë në drejtim të ndonjë piste të re hetimesh, ku do të mund të zbardhej atentati i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot”, kur është pyetur se a ka ndonjë zhvillim të ri rreth zbardhjes së këtij atentati.

Presidenti s’lejohet të përzihet te gjyqësori

Image
Fadil Lepaja

Publicisti Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është mjerim institucional kur presidenti i një vendi ka nevojë me ndërhy te prokurori për t’u bërë një punë.

“Është mjerim institucional kur presidenti i një vendi ka nevojë me ndërhy te prokurori për t’u bërë një punë të cilën ai e ka përgjegjësi ligjore e kushtetuese, dhe për të cilën në rast neglizhimi do të përgjigjej penalisht”, ka thënë Lepaja.

Tutje, Lepaja thotë se në momentin kur presidenti ndërhynë në punën e gjyqësorit, krijohet ideja se ai mund të ndikojë në institucionet e drejtësisë.

“Presidenti nuk është i thirrur e as se ka të lejuar të ndërhyj në punë të gjyqësorit, madje ndërhyrja për të nxitur një proces mund të krijojë idenë e gabuar se ai mund të ndikojë në gjyqësorë, për të nxitur apo frenuar një proces hetimi. Po të ketë fakte se prokuroria nuk po bënë gjithçka që është e mundur lidhur me një rast të profilit të tillë, kjo do të ishte e mjaftueshme për shkarkim të stafit drejtues në këtë institucion”, është shprehur Lepaja.

Miftari: Mjegull e krijuar nga presidenti kur ai vet e kontrollon prokurorinë

Image
Naim Miftari

Ndërsa ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, duke folur për “Bota sot” rreth kësaj teme, mendon se Thaçi i ka nën kontroll institucionet e drejtësisë.

“Letrat e dërguara nga presidenti Thaçi drejtuar prokurorisë që e kontrollon vet ai, për zbardhjen kinse të vrasjeve politike dhe po ashtu zbardhjen e tentim/atentateve kundër Ibrahim Rugovës janë vetëm hapa politikë kinse me arsyetuar veten dhe me bërë veten të pa fajshëm para opinionit publik asgjë më shumë. Kjo thirrje ngjan sikur kur Pilati Romak i lau duart me ujë nga dënimi që e dha vet për ta kryqëzuar Jezus Krishtin. Po të dëshironte Hashim Thaçi t’i zbulonte shumicën e vrasjeve politike dhe tentimeve apo atentateve, do të vetdorëzohej vullnetarisht në hetuesi, por para se të dorëzohej në hetuesi do duhej me dhanë së pari dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare,politike dhe ekzekutive. Por kjo nuk do të ndodh kurrë. Çka ka nevojë presidenti me ju shkru letra hajgare prokurorëve kur i ka në xhep të vogël të vetin të gjithë prokuroritë, gjykatat, hetuesit, inteligjencën(AKI) etj, dhe i përdor këto institucione të shenjta si kukulla teatri kur i duhen vetëm atij dhe klanit të tij”, potencoi Miftari.

Ai akuzon se kush qëndron mbrapa këtij atentati, ndërsa përmend edhe deklaratën e atentatorit.

“E them me përgjegjësi të plotë pa kurrfarë inati se pothuajse asnjë vrasje politike në Kosovë e Shqipëri dhe tentimet e atentatet ndaj Ibrahim Rugovës nuk janë bërë pa miratimin e presidentit Hashim Thaçi personalisht dhe pa dijen e Veselit. Pse Hashim Thaçi e as askush tjetër nuk kërkoj të zbardhet atentati ndaj Rugovës kur foli vet atentatori për tentim të vrasjes të Ibrahim Rugovës me eksploziv TNT pse vetëm kur ja mbyllen gojën atentatorit me para (dikun mbi 130.000 euro) dhe me premtim se do të gjejnë mënyrë ta amnistojnë, por duhet mos me fol kurrë më”, theksoi ai.

Miftari tutje thotë se edhe kërkesa e Veselit për ta ndalur korrupsionit, është e njëjta ‘lojë’ si e Hashim Thaçit.

“Tash këto ditë njëjtën lojë e luajti si Thaçi me letra publike e luajti Kadri Veseli kur tha po i shpalli luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar kur vet z.Veseli është ndër të korruptuarit kryesor dhe ndër kumbarët kryesor të krimit të organizuar. Njëjtën luftë kundër krimit deklaronte Adem Grabovci shefi i Pronto-s para televizioneve”, tha Miftari.

Ai thotë se veprimi i presidentit është një mjegull për të mbetur sa më gjatë në pushtet.

“Këta janë ka shesin pluhur e mjegull, po blejnë kohë me çdo mënyrë tentojnë për të mbetur në pushtet, por atë ditë që shkojnë mbesin jashtë pushtetit Hashim Thaçi me PDK, do zbardheshin menjëherë vrasjet politike por edhe do të fillonin vrasjet politike prapë nëse do ju jepej kohë ta fillonin ta përdornin pasurin/parat të vjedhura, haraqi, korrupsioni, parat e Oligarkëve të tyre, firmat fantome të tyre me qindra miliona, ndoshta miliarda që qëndrojnë jashtë Kosovës, shumica në vendet islamike por edhe në vendet tjera. Ku mendoni se përfunduan parat e fondeve të luftës dhe parat nga shitja falja e pasurive kryesore të shtetit me konversione dhe përmes mafies zyrtare e quajtur AKM”, është shprehur ai.

Vrasësit mund t’i kemi kudo

Image
Faik Krasniqi

E analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se pasiviteti i prokurorisë për zbardhjen e këtij atentati, tregon se këta mbrapa këtyre krimeve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës.

“Pas luftës në Kosovë janë vrarë me dhjetëra veprimtarë dhe ish pjesëtarë të UÇK-së. Ndër to edhe me dhjetëra plagosje. Asnjë rast deri më tash nuk është zbardhur nga organet tona të drejtësisë. Vrasësit dhe urdhërdhënësit vazhdojnë të shëtisin lirshëm. Ata mund t'i kemi kudo. Në institucione. Zyrtarë të lartë. Mund t'i kemi edhe nëpër partitë politike, njerëz me poste të larta. Heshtja e prokurorisë për atentatin ndaj ish presidentit Rugova, tregon se këta mbrapa këtyre krimeve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës”, vlerësoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat