Afera e fajdeve dhe afera Pronto, “inkriminojnë” edhe Kadri Veselin, a ka kush i kërkon dorëheqjen?

Politika

Afera e fajdeve dhe afera Pronto, “inkriminojnë” edhe Kadri Veselin, a ka kush i kërkon dorëheqjen?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 qershor 2019 Në ora: 08:00
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e PDK-së, që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë. Megjithatë edhe vet Kadri Veseli është i përfshirë në aferën “Pronto”, ndërsa emri i tij së fundi është përmendur edhe në aferën e fajdeve lidhur me ndërtimin e spitalit të Prishtinës.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se Kadri Veseli, nëse do ta kishte përnjëmend, edhe ai do duhej që të jepte dorëheqje. Por, sipas tyre ai këtë veprim e bën për ndonjë hakmarrje brenda PDK-së, në mënyrë që të sjellë njerëzit e rijnë përkrahës të tij dhe jo krahut tjetër të Thaçit. Pasi Veseli prej kohësh mundohet ta luaj rolin e një lideri të përgjegjshëm, por nuk është gjë tjetër veç se një demagog.

Gashi: Sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë i kapur nga politika dhe nga PDK-ja

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, konsideron se sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë i kapur nga politika dhe posaçërisht nga PDK-ja, por nuk janë hiç më mirë as partitë tjera në pushtet.

“Ne nuk kemi harruar dhe dikujt besoj se ende i kujtohet gara në mes politikanëve dhe bartësve të funksioneve shtetërore të cilit po e ofendonin dhe kërcënonin shumë edhe ish prokurorin Elez Blakaj, për shkak të punës së tij. Dhe duke pas kësi sistemi të kapur drejtësi nuk ka pasur, sepse asnjë akuzë dhe as hetim formal nuk ka pasur nga prokurorët e Kosovës ndaj Kadri Veselit. Madje as që ka mundë të ketë për shkak të arsyeve të lartcekura. Për këtë arsye iniciativa e tij është diçka e mirë dhe presim që këtë ta bëjnë edhe shefat e partive të tjera që janë në koalicion qeverisës”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Kurse, publicisti Faton Abdullahu, ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i PDK-së i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike, ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministrin e FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziun, të cilët janë në procese gjyqësore.

Image
Faton Abdullahu

Sipas tij, mbetet të shihet nëse nga ky vendim, kjo parti do të lirohet edhe nga mendësia që e ka bërë që të ketë në mesin e saj shumë të akuzuar, duke shtuar se këta persona që janë liruar nga detyra, kanë marrë shumë vota në konventën e fundit.

“Lirimi nga detyra i personave me aktakuzë mbetet të shihet se a do ta lirojë këtë parti edhe nga mendësia që e ka bërë që në mesin e saj të ketë kaq shumë të akuzuar. Në konventën e fundit këta që janë liruar nga detyra kanë marrë shumë vota por dhe kanë votuar. Nga ky proces kanë dalë strukturat e reja që do t’i ketë për kohë të gjatë PDK-ja. Por për të qenë i besueshëm, Veseli duhet të ndërmarrë edhe shumë veprime tjera të ngjashme për t’i besuar, Sepse kjo bëhet edhe më e komplikuar, pasi emri i tij është i përmendur në një incizim për një aferë për fajde, sado që Veseli nuk ka një akuzë të tillë”, ka thënë Abdullahu.

Ai konsideron se në anën tjetër në një rreth ku ka shumë të akuzuar dhe të meta të ndryshme, një vendim krejt normal që është parim i thjeshtë dhe zbatohet në vende normale, mund të lë përshtypje e të bëj bujë të madhe, jo zakonshëm.

“Nga ky prizëm duhet parë edhe vendimin e Veseli. Për të qenë i besueshëm në gjithë këtë ai duhet të ndërmarrë edhe shumë veprime të ngjashme për t’i besuar. Kjo bëhet edhe më e komplikuar kur nuk janë të paktë ata të cilët mendojnë se edhe Veseli nuk është i liruar nga një akuzë e tillë, sado që jo nga ndonjë gjykatë, por nga disa incizimi, ku emri i tij përmendet në konotacion të involvimit të fajdeve”, ka thënë publicisti Faton Abdullahu.

Krasniqi: Partia do të ngelet pa pjesën më të madhe të anëtarëve të saj

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi ka thënë se PDK-ja është partia më e zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion.

Sipas tij, nëse fillon pastrimi i PDK-së nga të korruptuarit dhe të kriminalizuarit brenda partisë, partia do të ngelet pa pjesën më të madhe të anëtarëve të saj.

“Unë nuk i besoj deklaratave të kreut të PDK-së, por po ta kishte me seriozitet Kadri Veseli pastrimin e partisë, nuk do t'i fuste në Këshillin Drejtues njerëz të njohur për pisllëqe. Kadri Veseli prej kohësh mundohet ta luaj rolin e një lideri të përgjegjshëm, por nuk është gjë tjetër veç se një demagog. Deklaratat e tij janë shumë qesharake kur flet për gjendjen politike, ekonomike dhe çështje tjera. Më shumë e bën deklarata tallje me opinionin, nëse e ka seriozisht Kadri Veseli, nuk mjafton vetëm shkarkimet, por të apostrofuarit të përgjigjen për veprat kriminale që i kanë shkaktuar vendit dhe qytetarëve të saj. Dënime dhe konfiskim të pasurisë së vjedhur nga qytetarët e këtij vendi, duke filluar nga vetja e tij”, ka thënë Krasniqi.

Ai konsideron se edhe më qesharake është deklarata e ambasadores Apostolova, e cila e lavdëroi Kadri Veselin për shkarkimin e zyrtarëve të partisë, por nuk kërkoi që të njëjtëve t'u konfiskohet pasuria dhe të dënohen për krimet që dyshohet se i kanë shkaktuar.

“BE-ja me veprimet e saja po tregon që është në mbështetje të politikës kriminale. Goditë popullatën me izolim në emër të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga politika dhe politikanët e tillë duke i shpërblyer”, ka thënë politologu Krasniqi.

Mehmeti: Përpjeke e Kadri Veselit për të larguar njerëzit e besuar të Thaçit nga pozitat

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se e gjitha kjo ngjan si një përpjeke e Kadri Veselit për të larguar njerëzit e besuar të Thaçit nga pozitat, se sa një reformë e vërtetë.

Ai ka thënë se, PDK-ja për tu reformuar së pari duhet të dal në opozitë, pastaj të filloi nga vet Veseli reforma, çdo gjë tjetër është jo serioze, aspak e besuar dhe krejtësisht propagandë.

“Natyrisht se PDK ka nevojë për reforma por jo me këtë mënyrë dhe duke bërë spektakël sa për vota. E gjitha kjo është lojë politike, propagandistike që nuk do të sjell asnjë ndryshim esencial. Duhet kujtuar se edhe vet Veseli është i përfshirë ne aferën " Pronto" dhe në aferën tjetër të fajdeve, që do të duhet të rezultonte me dorëheqje. Duke mos ndodhur kjo nënkupton sa qesharake është e gjitha kjo lojë e Kadriut me vartësit e tij”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat