Bardhyl Ajeti, cak i forcave të errëta që kishin  për qëllim kapjen e pushtetit

Politika

Bardhyl Ajeti, cak i forcave të errëta që kishin  për qëllim kapjen e pushtetit

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 08:25
Bardhyl Ajeti

Sot u bënë 14 vite nga vrasja e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajetit. Ai më 3 qershor të vitit 2005, u qëllua nga persona që ende janë të panjohur, derisa vdekjen e gjeti në një spital të Milanos në Itali, 3 javë më vonë, ku ishte dërguar për shërim.

Derisa Bardhyl Ajeti po shkonte rrugës për në Gjilan, më saktësisht në fshatin Bresalc, u qëllua me armë zjarri, ku fillimisht mbeti i plagosur. Njëri plumb e kishte goditur në kokë, i dyti në shpatull të krahut dhe i treti në veturë.

Edhe pse kanë kaluar 14 vjet që nga atëherë, autorët e kësaj vrasje nuk dihen. Edhe kjo vrasje sikur shumë të tjera është kryer në pikë të ditës dhe ka pasur edhe një dëshmitar dhe që zbardhja e saj mbetet akoma mister. I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje ishte një taksist, i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishjeje që kishe pësuar. Por, ky dëshmitar me inicialet M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit, ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Familjarët shpresojnë te Gjykata Speciale

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me motrën e të ndjerit, Luljeta Ajeti Behluli, e cila thotë se ajo dhe e tërë familja, shpresat i kanë vetëm te Gjykata Speciale, teksa thotë se atë e vranë ata që ju pengonte e vërteta dhe donin të hidhnin hi syve.

“Qershori i 2005 ishte dita kur vëllait tim iu ndal penda. Ia ndalën ata që iu pengonte e vërteta dhe donin të hidhnin hi syve. Vrasjet politike në Kosovë kanë shuar jetën e personaliteteve të shquara intelektuale, atdhetare dhe që institucionet e Kosovës nuk u kanë dhënë sa duhet trajtim meritor. Të vetmen shpresë familja jonë e ka tek Gjykata Speciale. Shpresoj që ajo ta zbardhe errësirën e vrasjes së vëllait tim”, ka thënë motra e Bardhyl Ajetit, Luljeta Ajeti Behluli.

Ai shpreson që në këtë përvjetorë të gjenden vrasësit e Bardhylit.

“Krejt në fund urojmë që në këtë përvjetorë më në fund të gjenden vrasësit e Bardhylit, të dënohen nga drejtësia ata që ia privuan jetën vetëm se e tha të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, përfundon motra e Bardhyl Ajetit.

Mirëpo prokuroria e Kosovës siç duket e ka harruar këtë rast.

Ata prapë nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës “Bota sot”, për t’u informuar se a ka zhvillime të reja për zbardhjen e Bardhyl Ajetit.

Bardhyl Ajeti, cak i forcave të errëta që për qëllim kanë pasur kapjen e pushtetit

Image
Haki Abazi

Ndërsa, publicisti Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Bardhyl Ajeti u vra nga qarqe të errëta, pasi ai ishte në anën e lëvizjes demokratike dhe shtetfromuese.

Sipas Abazit, vrasja e tij nuk po zbardhet pasi që drejtësia është e kapur.

“Bardhyl Ajeti si gazetar dhe veprimtar është gjendur në anën e lëvizjes demokratike dhe shtetfromuese dhe si rrjedhojë është bërë traget i forcave të errëta që për qellim kanë pasur kapjen e pushtetit. Vrasja e tij dhe shumë veprimtarëve tjerë që kanë kundërshtuar kapjen e shtetit dhe proceseve, ende ka mbetur e pasqaruar për shkak se drejtësia është e kapur dhe një numër i njerëzve të cilëve ju përmendet emri si urdhërdhënës të këtyre vrasjeve, janë ende në pushtet”, u shpreh Abazi.

Ai habitet me komunitetin e gazetarëve dhe shoqërinë civile, të cilët po janë të heshtur dhe pasiv karshi këtij rasti.

“Habit fakti që edhe komuniteti i gazetarëve por edhe shoqëria civile është e heshtur në rastin e Bardhylit dhe gazetarëve tjerë. Sigurisht që kjo tregon se ka frikë dhe se ata janë të rrezikuar që publikisht të dalin dhe kërkojnë drejtësi”, tha tutje Abazi.

Si u vra Bardhyl Ajeti?

Image
Fadil Kajtazi

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, për “Bota sot” e ka komentuar mundësinë e mënyrës së vrasjes së Bardhyl Ajetit, ku thotë se mbrapa vrasjes së tij, qëndron një grupim i organizuar dhe profesional.

“Vrasjet ordinere, pa marr parasysh se mund të bëhen në mënyrë të fshehët, në prita dhe në qetësi, ato lënë gjurmë në vendin e krimit, të cilat pastaj në kombinim me rutinën e përditshmërisë së kriminelit, i japin faktin një hetuesi të mirë për të zbardhur aktin e krimit. Vrasjet e porositura, siç është kjo e gazetarit Bardhyl Ajetit, kanë dimension tjetër, pasi prapa tyre qëndron një grupim i organizuar dhe profesional”, ka thënë Kajtazi.

Teksa dyshon për përfshirjen e strukturave shtetërore në vrasjen e Ajetit, Kajtazi tregon edhe manipulimet që mund të bëhen.

“Ajo që edhe më shumë e komplikon zbardhjen e kësaj kategorie të vrasjeve, është fakti kur pjesë e logjistikës janë edhe strukturat shtetërore. Në radhë të parë ekipi i forenzikes i cili mund t’i manipulojë provat, se dyti hetuesi polici, së treti prokurori dhe së fundit gjykatësi. Ne jemi dëshmitar ku me aktgjykim është vërtetuar në disa raste përfshirja e zyrtarëve policorë në akte të tilla kriminale, qoftë drejtpërdrejt qoftë si logjistikë. Si duket edhe te rasti i Bardhyl Ajetit, ky cikël ka funksionuar për mrekulli dhe ky funksionim do të ishte i pa mundur pa një mbështetje të fortë nga struktura politike që qeverisin shtetin”, theksoi Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat