Një gjykatë amerikano-gjermane për t`i kapur “peshqit e mëdhenj" të Kosovës

Politika

Një gjykatë amerikano-gjermane për t`i kapur “peshqit e mëdhenj" të Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 qershor 2019 Në ora: 12:00
Ilustrim

Fjalë shumë e realizime pak nga krerët e shtetit të Kosovës. Premtim pas premtimi nga ata për liberalizmin e vizave por prapë asgjë.

Dialogu i cili u iniciua më 19 Janar të vitit 2012 në mes të Kosovës dhe Komisionit Evropian, vazhdon të jetë ende aktual dhe temë e pazgjedhur, ani pse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Ramush Haradinaj kanë thënë që kjo punë është e përfunduar.

Për të koordinuar dialogun për liberalizimin e vizave, u themeluan strukturat përkatëse përkatësisht, Komiteti Drejtues për Liberalizimin e Vizave.

Më 14 qershor 2012, Kosova pranoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave ku identifikoheshin të gjitha masat që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Në prill të vitit 2013, Qeveria miratoi planin e veprimit për liberalizimin e vizave ku u zotua të përmbushë hapat e arritjes së objektivave të vendosura nëpërmjet një qasjeje dinamike.

Me 4 maj 2016, Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën pasi që është vlerësuar që Kosova ka zbatuar obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Më18 Korrik 2018 u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve. Bazuar në këtë raport, me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018 është përmbushur edhe njëri nga dy kriteret e mbetura. Kurse, sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni ka monitoruar të arriturat në këtë fushë dhe ka mbajtur një mision teknik në Kosovë më 3-4 maj për të vlerësuar më tej progresin e bërë.

Mirëpo, kushti për korrupsion dhe krim të organizuar nuk ka treguar rezultatet pozitive sipas Bashkimit Evropian.

Ndër të tjera kusht për liberalizim të vizave tashmë ka dalë edhe heqja e tarifave ndaj mallrave serbe.

Por sërish nuk lihen anash edhe korrupsioni i cili dita ditës veçse po rritet dhe po ndikon negativisht në liberalizim të vizave.

Këto janë përfundimet që ka nxjerrë Këshilli Evropian për Kosovën:

“Në përfundimet e Këshillit shprehet keqardhja e thellë me “vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifat të njëanshme prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2018, në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”. Këshilli nënvizon se “ky vendim pengon bashkëpunimin rajonal dhe duhet të tërhiqet menjëherë”.

Ndërsa mirëpret miratimin e ligjeve të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave administrative, Këshilli thekson se “korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të trajtohen me vendosmëri. Këshilli mbetet i shqetësuar me ndërhyrjet politike dhe rekrutimet jomeritore dhe i zhgënjyer me emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat Evropiane”.

Voca: Krimi i organizuar dhe korrupsioni nëse  luftohen seriozisht atëherë edhe liberalizimi i vizave do të mund të realizohet shumë shpejtë

Image
Mirsad Voca

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca në një prononcim për “Bota sot” tha se nëse Gjykata Speciale do të kishte arrestuar edhe njerëzit, të cilët kanë lejuar lulëzimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë liberalizimi i vizave do të mund të realizohej më shpejtë.

“Krijimi i gjykatës speciale është ndërtuar për tu gjykuar krimet gjatë dhe eventualisht pas luftës. Ato krime kanë të bëjnë zakonisht me vrasje dhunë dhe trajtime jo humane ndaj çfarëdo përkatësie etnike.

Tani nëse kjo gjykatë arreston dhe gjykon persona të kyçur në pozita të larta shtetërore e që kanë kryer krime të tipit të lartcekur dhe nëse njëkohësisht këta persona kanë lejuar me apo pa dëshirën e tyre që të lulëzoj krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë, atëherë mund të themi se ka një shpresë për luftimin e këtyre dukurive negative për shoqërinë.

Natyrisht, nëse krimi i organizuar dhe korrupsioni luftohen seriozisht atëherë edhe liberalizimi i vizave do të mund të realizohet shumë shpejtë”, tha Voca për “Bota sot”.

Sipas Vocës, të gjitha dukuritë negative duhet luftuar nga Institucionet e Kosovës dhe se duhet zhvilluar më shumë drejtësi dhe ekonomia e vendit. Dhe se shpresa e vetme sipas Vocës është pushteti të bëhet i përgjegjshëm.

“Në njërën anë, këto dukuri negative duhet luftuar nga vet institucionet e Kosovës dhe nuk duhet pritur që shtetin ligjor të na importojë dikush nga jashtë. Në anën tjetër pa një gjyqësor e drejtësi neutrale, është e pamundur të jetësohet një Shtet ligjor dhe nuk mund të pretendohet as në zhvillim ekonomik të vendit.

Pastaj shteti ligjor nuk mund të ndërtohet nga i njëjti mentalitet politik i cili i ka lejuar ato fenomene negative dhe është ende i ndërlidhur me krime ekonomike, korrupsion, zhvatje, nepotizëm, dhe krim të organizuar.

Shpresa e vërtetë për prosperitet shoqëror do të nuhatet atëherë kur vet pushteti bëhet më i përgjegjshëm, mëson të dënoj krimin në përgjithësi në mënyrë strikte neutrale madje dhe kur bëhet fjalë për t’u vetëndëshkuar”, përfundoi për “Bota sot”, Voca.

Mehazi: Gjykatë Speciale duhet të jetë e jashtme e kurrsesi Gjykatë e brendshme e Kadri Veselit apo e Thaçit.

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, lidhur me këtë çështje theksoi se duhet një gjykatë e cila nuk lidhet me Kadri Veselin e as Hashim Thaçit. Sepse Mehazi bënë një krahasim me gjykatën e brendshme në Maqedoni e cila nuk burgosi askënd.

“Hetimi i "Peshqve të mëdhenj" është i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm, se përndryshe s'bën. Mirëpo, kjo Gjykatë Speciale duhet të jetë e jashtme e kurrsesi gjykatë e brendshme e Kadri Veselit apo e Thaçit. Shembullin e Gjykatave të brendshme e kemi në Maqedoni, mirëpo cili prej "peshqve të mëdhenj u burgos?,Askush”, tha Mehazi për “Bota sot”.

Tutje, Mehazi zgjedhje kryesore e  sheh Amerikën dhe Gjermanin për ta integruar Kosovën në instancat më të larta politike dhe ekonomike.

“Për t'u ndjekur kriminelët, të korruptuarit e mëdhenj të Kosovës, për të marrë dënimet e merrituara e për të shpëtuar Kosova nga kjo gjëmë apo sëmundje ngjitëse sociale, ekonomike shtetërore duhet një gjykatë amerikane-gjermane, vetëm Gjykata Speciale e këtyre dy shteteve e shpëton Kosovën nga kjo diagnozë vdekjeprurëse shtetërore. Vetëm amerikanët e gjerman mund ta shpëtojnë Kosovën nga këto kthetra, njëkohësisht, Kosovën ta integrojnë në BE e në instancat më të larta politike e ekonomike”, përfundoi për “Bota sot”, Mehazi.

Shahu: Liria nuk është dhuratë e komandantëve

Image
Rexhep Shahu

Njohësi politik Rexhep Shahu, për “Bota sot” tha se kjo Gjyaktë e tillë është dashur të krijohet më herët, mirëpo e sheh të arsyeshme edhe tash të ndodhë. Ai tutje beson se nëse nuk merren masa atëherë Kosova do të bie në komunizmin e Tiranës.

“Kjo është domosdoshmëria e kohës tonë, është vone, por me mire vone se kurrë. Krijimi një gjykatë të tillë pengohet nga komandantët dhe zyrtarët e thirrur argatë prej Thaçit, pengohet edhe pse me fjalë ata janë demagoge. Por unë besoj se po nuk ndodhi kjo Kosova ka më ra në komunizmin e Tiranës te cilin e dekoron me bujë Presidenti Thaçi, aksidenti me i rëndë politik i Kosovës. Asgjë nuk është korrupsioni në ryshfete e të tjera sa është korrupsioni politik, veshja me pushtet politik i bosëve të krimit, e njerëzve që mashtrojnë me luftën dhe UÇK. Liria nuk është dhuratë e komandantëve”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat