Tomë Gashi: Kriminelët e llojit më të keq vranë Bardhyl Ajetin, turp për drejtësinë e Kosovës

Politika

Tomë Gashi: Kriminelët e llojit më të keq vranë Bardhyl Ajetin, turp për drejtësinë e Kosovës

Nga: D.B Më: 25 qershor 2019 Në ora: 20:31
Gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti

Edhe pse kanë kaluar 14 vite nga vrasja misterioze e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajetit, autorët e kësaj vrasje, nuk dihen dhe bredhin lirshëm rrugëve të qytetit.

Kjo për faktin se drejtësia e dështuar në Kosovë, nuk ka bërë aq sa do duhej, apo nuk ka bërë fare, për të zbardhur rastin e vrasjes  së gazetarit Ajeti, dhe për ti dërguar autorët e krimit prapa grilave.

Madje edhe pas 14 viteve, pavarësisht spekulimeve rreth vrasjes së Bardhyl Ajetit, autorët e vrasjes mbetën “ të panjohur”  për organet e drejtësisë, derisa i ndjeri Bardhyli barti me vete nën dheun e zi misterin e heshtur të kësaj vrasje kaq të padrejtë, ndaj fjalës së lirë.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Bota sot” se edhe pas 14 viteve nga vrasja e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajetit, kryerësit e kësaj vrasje tinëzarë nuk u zbuluan kurrë.

“Është tepër e dhimbshme të përkujtohet vrasja e secilit njeri, pa marrë parasysh profesionin e tij, dhe pa marr parasysh se çka ka punuar ai njeri nëse është vrarë për shkak të punës së tij. Por kur vriten gazetarët në paqe dhe në liri, siç është  vrarë gazetari i gazetës të përditshme “Bota sot”, tashmë i ndjeri Bardhyl Ajeti, vetëm e vetëm për shkak të punës së tij si gazetar, vetëm për shkak të fjalës së lirë, dhe vetëm e vetëm që dikujt apo një grupi të interesit qofshin ata njerëz të politikës apo të çfarëdo lloj grupi të jenë, dhe vetëm pse shkrimet e tij i kanë penguar dikujt, apo disave atëherë kjo është vrasje e pafalshme e fjalës së lirë, është vrasje  e dyfishtë e fjalës së lirë, së shprehjes, është vrasje makabre e  mendimit të lirë, në liri dhe të guximit për të shkruar drejt dhe saktë, siç kanë qenë rrethanat në Kosovën tani të lirë nga okupimi serb”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Ai ka thënë se kjo vrasje ka qenë vrasje me paramendim, dhe fatkeqësisht edhe pas 14 viteve Organet e Drejtësisë nuk kanë askënd të arrestuar, për këtë vrasje të porositur.

Image
Tomë Gashi

“Pa dyshim, se vrasja e Bardhyl Ajetit ka qenë një vrasje me paramendim e që fatkeqësisht edhe pas kaq viteve nuk kemi askënd të dyshuar e të arrestuar prapa grilave. Por ajo që mund ta them, është që kjo vrasje ka qenë e porositur nga kriminelet e llojit më të keq që ka pjell nëna shqiptare. Të vritet një djalë i ri, dhe një gazetar me profesionist vetëm se paska shkruar për të vërteta , dhe me shkrimet e tij objektive, ka prekur grupet kriminale, është e pafalshme. Unë si avokat ngre zërin që ky rast i vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti të zbulohet dhe të akuzohen  e të prangosen përgjegjësit e veprës kriminale, sepse gazetari Bardhyl Ajeti, nuk u vra në luftë, por u vra në liri”, ka thënë avokati Tomë Gashi duke shtuar se të gjitha vrasjet e gazetarëve dhe atyre që lanë gjurmë me shkrimet e tyren duhet të zbardhen.

“Dhe ajo çfarë mund të them për fund, është respekt për punën e Bardhyl Ajetit si gazetar,dhe turp për sistemin juridik, që asnjë fjalë se tha deri më tani, për 14 vite me radhë. Pos asaj fjalës ofenduese, për intelektin e qytetarit të lirë, se “ rasti është nën hetim edhe pas 14 viteve. Turp prej të gjithëve që nuk nxorën dot një  përgjigje të duhur dhe me vend” , ka thënë avokati Tomë Gashi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat