24 vjet në shërbim të kombit, të drejtës dhe të së vërtetës

Politika

24 vjet në shërbim të kombit, të drejtës dhe të së vërtetës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 qershor 2019 Në ora: 22:28
Foto ilustrim "Bota sot"

“Për 24 vite gazeta ka luajtur dhe vazhdon të luaj një rol mjaft të rëndësishëm tek lexuesit e saj besnikë. “Bota sot”, është gazeta e vetme që gjithmonë e ka transmetuar të vërtetën tek lexuesit të saj, duke luftuar dukuritë nga më të këqijat që i kanë ndodhur vendit, gjë që edhe i ka kushtuar me jetën e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj”, tha drejtoresha e gazetës kombëtare “Bota sot”, Dafina Xhemaj Vidishiqi.

Gazeta kombëtare “Bota Sot” po shënon 24 vjetorin e themelimit të saj. Ishin vitet e të errëta të informimit, dhe vendi veç kishte filluar të përballej më një situatë të jashtëzakonshme, gazeta kombëtare “Bota sot” nisi udhëtimin e saj drejt informimit të drejt dhe të saktë.

Kjo gazetë që nga vitet e 90-ta po përçonte mesazhe të fuqishme te qytetarët e saj, po frymëzonte veprimin politik dhe rezistencën, për të ngritur përpara idenë dhe në të njëjtën kohë edhe për të kërkuar liri dhe pavarësi.

Kombëtarja “Bota sot” për vite të tëra është përballur me vrasje, shantazhe, në të njëjtën kohë edhe me kërcënime, mirëpo rruga e saj, e që ishte informimi i drejt dhe i paanshëm i qytetarëve, nuk iu ndalë asnjëherë, ndërsa, e tillë po vazhdon të mbetët edhe sot.

Me rastin e 24 vjetorit të themelimit të gazetës “Bota sot”, shumë personalitete të jetës politike, arsimore e shkencore kanë folur për rolin e sajë në informimin e publikut gjatë kësaj periudhe.

Xhemaj-Vidishiqi: “Bota sot”, është gazeta e vetme që gjithmonë e ka transmetuar të vërtetën

Drejtoresha e gazetës “Bota sot”, Dafina Xhemaj-Vidishiqi, duke folur për 24 vjetorin e themelimit shtoi se gazeta “Bota sot”, pavarësisht sfidave vazhdon të ruaj hapësirën e lirisë së komunikimit pa asnjë lloj censure.

Image
Dafina Xhemaj-Vidishiqi

“Gazeta kombëtare “Bota sot”, për 24 vite ka qenë dhe është urë komunikimi dhe vetëdijesimi i çështjes kombëtare ndër botën shqiptare. Gazeta ka arritur të ruaj identitetin e saj përgjatë këtyre 24 viteve, pavarësisht shumë peripecive që ka kaluar”, është shprehur Xhemaj-Vidishiqi.

Sipas saj, “Bota sot” është gazeta e vetme që gjithmonë e ka transmetuar të vërtetën tek lexuesit e saj, gjë për të cilën shprehet se edhe i kanë kushtuar me jetën e gazetarëve.

“Për 24 vite gazeta ka luajtur dhe vazhdon të luaj një rol mjaft të rëndësishëm tek lexuesit e saj besnikë. “Bota sot”, është gazeta e vetme që gjithmonë e ka transmetuar të vërtetën tek lexuesit të saj, duke luftuar dukuritë nga më të këqijat që i kanë ndodhur vendit, gjë që edhe i ka kushtuar me jetën e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj”, tha ajo.

Ajo mes tjerash ka shpjeguar se “Bota sot” është një nevojë jetësore e informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë.

“Gazeta “Bota sot”, me profesionalizëm vazhdon të ruaj hapësirën e lirisë së komunikimit pa asnjë lloj censure, ku ky model ka bërë padyshim që përmes kësaj gazete zërat, opinionet, angazhimet dhe kontributet intelektuale të ketë hapësirën e vetë në politikë. Pra, gazeta kombëtare “Bota sot”, është një nevojë jetësore e informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë”, ka thënë në fund, drejtoresha e gazetës “Bota sot”, Dafina Xhemaj-Vidishiqi.

Major Ramabaja: “Bota sot” ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kohën e luftës

Major Nazif Ramabaja, bashkëpunëtori i afërt i kolonelit Tahir Zemaj, është shprehur se ka një lidhje emocionale me të përditshëm “Bota sot”.

Ai me nostalgji ka treguar edhe momentet kur menjëherë pas përfundimit të luftës filloi t’i botoheshin edhe shkrimet e para, e që këtë ekskluzivitet tregon se e kishte vetëm “Bota sot”.

Image
Major Nazif Ramabaja

“Kur është në pyetje “Bota sot”, zakonisht kam edhe lidhje emocionale me të, por edhe ditore, si dhe të përgjithshme, për shkak se gjatë gjithë kohës e kam shfletuar dhe e kam lexuar e kam mbajtur afër vetës, sidomos shkrimet e mija të para që kanë filluar të botohen në fillim të vitit 2000, që kanë qenë ekskluzivisht në gazetën “Bota sot”, tregoi Ramabaja.

Major Ramabaja, me tej shton se kjo gazetë që nga koha e luftës ka qenë një dritare e informimit publik, të përgjithshëm, sidomos me korrektësi dhe në mënyre faktografike.

“Kështu që nga koha e luftës e kam vlerësuar se “Bota sot”, ka qenë një dritare e informimit publik, të përgjithshëm, sidomos me korrektësi dhe në mënyre faktografike ajo i ka përcjellur ngjarjet dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kohën e luftës për informimin publik, dhe natyrisht me këtë ritëm ka vazhduar edhe pasluftës

Në fund, bashkëpunëtori i afërt i kolonelit Tahir Zemaj, ka nënvizuar se “Bota sot”, vazhdon ta mbajë gjallë frymën e atdhetarizmit dhe informimit publik.

“Përzemërsisht urojë këtë 24 vjetor, me dëshirë dhe me shpresë që “Bota sot” si gazetë kombëtare ta vazhdojë misionin e saj e që është informimi e gjithanshëm i publikut, edhe në këtë kohë kur janë shtuar dhe ekziston një numër i madh i medieve publike, por përsëri gazeta “Bota sot” vazhdon ta mbajë gjallë frymën atdhetarizmit, informimit publik, korrekt dhe të paanshëm”, është shprehur Major Nazif Ramabaja.

Kelmendi: “Bota sot” në shërbim të kombit

E, profesori i shkencave të politikës dhe njëherit njohës i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi, duke folur për rrugëtimin e gazetës “Bota sot”, ka thënë se ky medium i ka shërbyer më shumë përkushtim qytetarit të Kosovës, duke e informuar atë në vazhdimësi.

Sipas Kelmendit, ky medium jo rrallëherë ka qenë edhe viktimë, kur janë vrarë gazetarët, është paditur është gjobitur, madje është shpifur për të në forma të ndryshme.

Image
Jeton Kelmendi

“Gazeta “Bota sot”, është një medium e cila i ka shërbyer më shumë përkushtim qytetarit të Kosovës duke e informuar atë. “Bota sot”, karakterizohet me guximin për ta thënë të vërtetën, qoftë edhe me kusht, ky medium jo rrallëherë ka qenë edhe viktimë kur janë vrarë gazetarët, është paditur është gjobitur, madje është shpifur për të, kinse si gazetë e UDB-së dhe epitete të tjera. Pra, kjo gazetë e ka paguar çmimin e fjalës së lirë”, është shprehur Kelmendi.

Tutje, Kelmendi ka theksuar se “Bota sot”, vazhdon të jetë në hap me informacionin, ndërsa ka bërë me dije se elementi kryesor që e veçon këtë gazetë është se përkushtimi i saj është i madh ndaj gazetarisë profesionale.

“Ky medium vazhdon të jetë në hap me informacionin dhe informatat i ka të shpejta dhe natyrisht ka qasje shumë interesante në politikanët e caktuar, dhe është ndër të parët që e posedon burimin. Ndërsa, edhe një veçori, që ka kjo gazetë është përkushtimi ndaj gazetarisë profesionale”, ka potencuar ai.

Në fund, ai ka nënvizuar se “Bota sot”, gjithmonë ka qenë në shërbim të qytetarit, dhe për këtë arsyeje ai mendon se është një gazetë e cila me të drejt mund të quhet në shërbim çdoherë të kombit të saj.

“Pra, janë këto komponentë; e para është guximi, e dyta është shpejtësia dhe e treta janë burimet të cilat i posedon dhe janë burime të sigurta të cilat i siguron vetëm gazeta “Bota sot”, gjithmonë në shërbim të qytetarit, dhe për këtë arsyeje mendoj se është një gazetë e cila me të drejt mund të quhet në shërbim çdoherë të kombit”, ka thënë mes të tjerash Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat