Kërkesa e rrezikshme e Serbisë për “ripushtim” të Kosovës dhe frika nga vasaliteti i ekipit negociator

Politika

Kërkesa e rrezikshme e Serbisë për “ripushtim” të Kosovës dhe frika nga vasaliteti i ekipit negociator

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 27 qershor 2019 Në ora: 10:54
Ekipi Negociator në Bruksel

Deri më sot, është folur për mjaft kompromise, sa i përket arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njëra ndër to ishte edhe ideja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbimin e territoresh apo korrigjim kufiri, e cila tashmë po konsiderohet si e vdekur.

Ditë më parë, Shpend Ahmeti, Kryetar i Grupit Negociator për bisedimet Kosovë-Serbi, ka deklaruar se Serbia po kërkon nga Kosova që ta paguajë një çmim për të arritur njohjen e saj.

“Na thanë që duhet paguar një çmim, por nuk mund të dijë se për çfarë çmimi bëhet fjalë..”, ka deklaruar Ahmeti.

Megjithatë, Kosovës nuk është se i hynë në punë njohja nga Serbia, kur dihet se në krah të saj ka shtete të fuqishme si SHBA, Britania, Gjermania, Franca etj.  

Edhe palët e kontaktuara nga gazeta “Bota sot”, mendojnë se Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë, dhe siç shprehën ata, është Serbia ajo e cila i ka borxh Kosovës.

Haxhiu: Ne nuk i kemi asnjë borxh Serbisë

Image
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar për gazetën “Bota sot,  se në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk duhet të sillemi si vasal dhe t’i nënshtrohemi Serbisë.

“Ne nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, është Serbia që na ka borxh neve dhe nuk duhet të sillemi si vasal dhe t’i nënshtrohemi Serbisë, e cila ndonëse kanë kaluar mbi 20 vite që nga lufta, ka mbetur e njëjta. Secili shtet normal duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme në mbrojtje të vendit dhe të qytetarëve.”, tha ajo.

Haxhiu, shtoi se Kosova, fatkeqësisht ende sot e kësaj ditë po përfaqësohet nga njerëz të papërgjegjshëm.

“Por, për fatin tonë të keq, Kosovën e kanë përfaqësuar dhe vazhdojnë ta përfaqësojnë njerëz të tillë, pa asnjë integritet, e që flasin e veprojnë thuajse ne i paskemi borxh Serbisë. Kjo qasje e ky nënshtrim duhet të marrë fund. Pa largimin e këtyre njerëzve që i kanë shkaktuar dëme vendit, kjo nuk mund të arrihet.”, tha ajo.

Gecaj: Thuhet se duhet të ketë situatë “uin-uin”

Image
Bajram Gecaj

Ndërkaq, Bajram Gecaj, ish-zëvendësministër në Qeverinë e mëparshme të Kosovës, u shpreh se është për keqardhje që dikush, filluar nga Presidenti e duke vazhduar më poshtë, ende flasin për çmimin që duhet paguar shtetit i cili deshi të na shlyej nga faqja e dheut.

Gecaj, për “Bota sot”, tha se Kosova e ka të qartë qëllimin e saj, ndërkaq Serbia, jo.

“Thuhet se duhet të ketë situatë “uin-uin” apo situatë në të cilën dy palët përfitojnë. Deri Kosova e ka të qartë “uin-in” e saj, njohja e shtetit tonë, është i paqartë perceptimi për “uin-in” e Serbisë: është ndarja e një cope toke, autonomi përmes asociacionit apo diçka në mes. Unë them se i vetmi “uin” për Serbinë, duhet të jetë zbatimi i dispozitave ekzistuese mbi të drejtat e serbëve të Kosovës. Çdo gjë tjetër shpie drejtë pasigurisë dhe jo-stabilitetit.”, tha ai.

Dauti: Kosova natyrisht që mund të funksionoj pa njohjen e Serbisë

Image
Daut Dauti

Daut Dauti, njohës i politikave ndërkombëtare, për “Bota sot”, tha se Kosova e ka paguar shtrenjte çmimin e lirisë dhe ndarjes nga Jugosllavia, gjegjësisht Serbia dhe se sipas tij, nuk ka çmim tjetër që i ka mbetur Kosovës për ta paguar.

Dauti, tha se arsyeja që Serbia kërkon çmim tjetër është se fatkeqësisht Kosovën e përfaqësoi një klasë e dobët politike.

“Serbia tashti kërkon pagesa të reja për shkak se këta ia ka mundësuar një klasë e dobët politike e Kosovës. Këta politikan të dobët i kanë mundësuar Serbisë që ajo të mos ndjehet fajtore dhe të kaloj në rolin e viktimës që kërkon kompenzim për diçka nga Kosova.”, tha ai.

Dauti, theksoi se Kosova mund të funksionoj fare mirë edhe pa njohjen e Serbisë.

“Kosova natyrisht që mund të funksionoj pa njohjen e Serbisë. Por, Serbia mundohet të paraqes pengesa serioze në këtë funksionim pasi që nuk dëshiron që Kosova të shënoj përparim ekonomik dhe shoqëror. Këtë pengesë Beogradi e bënë me qëllim që të përfitojë sa më shumë në negociatat me Kosovën.”, tha ai.

Kelmendi: Serbia po kërkon ripushtim të ri

Image
Muhamet Kelmendi

Nga ana tjetër, juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, për “Bota sot”, ka thënë se Serbia ka vite që ka kërkon të marrë diçka nga Kosova por se kjo në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar.

“Serbia ka kohë që ka kërkuar veriun e Kosovës si dhe eksterritorialitet për tri qendra të Kosovës, të cilat duhet të kalojnë nën sovranitetin e Serbisë. Qendrat janë: Graçanica, Patriarkana dhe Manastiri i Deçanit”, tha Kelmendi.

Veç kësaj Kelmendi, përsëriti se Serbia, ka kërkuar edhe asociacionin për viset tjera ku ka serb.

“Si kundërvlerë ka ofruar disa fshatra dhe Preshevën, 8 fshatra te Medvegjës dhe një territor të ngushtë të Bujanovcit. Këto janë pretendimet e shtetit serb mbi Kosovën. De-fakto ripushtim të ri.”, tha ai.

Kelmendi, potencoi se këtë nuk mund të pranoj kurrsesi Kosova.

Ai, për “Bota sot”, u shpreh se njohje reciproke brenda kufijve po, marrëveshje tjetër nuk duhet dhe nuk i duhet Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat