Rreziku për ndarje, Kosova nuk guxon të shndërrohet në pronë private të Thaçit

Politika

Rreziku për ndarje, Kosova nuk guxon të shndërrohet në pronë private të Thaçit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 qershor 2019 Në ora: 18:24
Hashim Thaçi

Në Samitin e Berlinit u varros njëherë e përgjithmonë plani për ndarjen e Kosovës. Gjermania i dha fund kësaj ideje ruso-serbe, të përkrahur dhe mbështetur nga dyshja Thaçi - Rama.

E kryetari i VV-së, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës, dështuar ndonëse ideja nuk ka vdekur. Kjo sipas Kurtit pasi projekti në Serbi është quajtur kufizim me shqiptarët,  ndërkaq në Kosovë është quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm.

Në prani të presidentit Hashim Thaçi që ishte ideator për korrigjim të kufijve, Kurti ka thënë se tash ka arsye për gëzim mirëpo jo për festë.

“Projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës për ndarje të Kosovës ka dështuar ndonëse ideja nuk ka vdekur. Projekti në Serbi është quajtur kufiizim me shqiptarët për kufizim, ndërkaq në Kosovë është gjuajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm. Mund të themi që kemi arsye për gëzim por jo edhe festë”, ka deklaroi ai.

Ai ka përmendur edhe letrën që dy vite më parë, më 6 korrik, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ia kishte dërguar përfaqësueses së BE’së Federica Mogherinit.

Kurti ka lexuar edhe letrën që ish’ kryenegociatorja Tahiri i ka dërguar Mogherinit, derisa ka thënë se sa i përket bashkimit me Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin, se pengesa për këtë është në Beograd.

“Është Vuçiqi ai që i diskriminon shqiptarët, e jo Prishtina ajo që po e ndaloka bashkimin me këto komuna, ka thënë Kurti duke shtuar se duhet të bëhet fillimisht anëtarësimi në OKB, të njihet Kosova e Serbia, e pastaj mund të flitet për korrigjim”, është shprehur ai.

Mehazi: Serbisë mund t'i themi vetëm "lamtumirë" e asgjë tjetër

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për “Bota sot” se me Albin Kurtin edhe Kosova do të frymojë më lirshëm.

“Pajtohemi me Albin Kurtin se tani e tutje Kosova do frymojë më lirshëm, ndarja e Kosovës mori fund, serbët si gjithmonë do mbeten me iluzionet e tyre nacionaliste për pretendime territoresh, atyre do ju mbetet vetëm projekti ideor, abstraktë e i pa realizuar, kurse Kosova do i kundërvihet me projekte kushtetuese, fizike e reale shtetërore, të dukshme për ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen e tërësisë territoriale”, ka thënë Mehazi.

Sipas tij, ideja e serbëve do mbete e do zhduket dalëngadalë sikurse bora e shkrirë në pranverë, për t'u bindur se e kot është përpjekja serbe me ndihmën e Thaçit për shkëmbime territoresh.

“Serbisë e Vuçiqit si mbetet gjë tjetër, ose të pranojnë humbjen e Kosovës, ose t'i shpallë luftë jo vetëm Kosovës, por edhe BE-së dhe SHBA-së. Serbisë mund t'i themi vetëm "lamtumirë" e asgjë tjetër”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Krasniqi: Me ndarjen e Kosovës hapet kutia e Pandorës dhe nëse hapet kjo kuti lëvizin kufijtë në gjithë botën

Image
Faik Krasnqi

Ndërsa, politologu Faik Krasnqi, ka thënë se në Samitin e Berlinit u varros njëherë e përgjithmonë plani për ndarjen e Kosovës.

Sipas tij, Gjermania i dha fund kësaj ideje ruso-serbe, të përkrahur dhe mbështetur nga dyshja Thaçi-Rama.

“Do të ketë tendenca që kjo ide të riaktivizohet nga të lartpërmendurit, por nuk besoj që do të ketë efekt. Fuqitë e mëdha nuk e kanë hallin se ndahet Kosova apo ndonjë shtet tjetër i parëndësishëm si Kosova. Problemi është se me ndarjen e Kosovës hapet kutia e Pandorës, dhe nëse hapet kjo kuti lëvizin kufijtë në gjithë botën”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Shahu: Ky kërcënim hiqet kur këta Thaçit që shiten si pronare të lirisë së Kosovës të shkojnë në shtëpi

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë sa të jenë gjallë nacionalizmi dhe nevoja për kalë betejash politike në Serbi, aq herë do ngjallet ideja për ndarje të Kosovës nga ana e serbëve.

“Sa herë të ketë Hashim Thaça në pushtet në Kosovë aq kohë do të jetë nivel u ultë politik dhe do të shfaqet bamirës i Kosovës, por që në fakt vallëzon tango me Serbinë për interesa serbe. Ky kërcënim hiqet kur këta Thaçat që shiten si pronarë të lirisë së Kosovës të shkojnë në shtëpi”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Mehmeti: Deklarata e Albinit ishte goditje direkt për Thaçin

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se duke qenë se Thaçi ende është president i vendit, rreziku nuk ka kaluar dhe se kjo nënkupton se ideja ekziston gjithnjë, derisa Hashimi të jetë në presidencë.

Sipas tij, ishte pikërisht ky njeri, që inicioi një gjë të tillë dhe rrjedhimisht deklarata e Albinit ishte goditje direkte për Thaçin.

“Fatkeqësisht nuk kemi një kuvend të pavarur nga ndikimet politike, por që do të kishte synim mbrojtjen e vendit, pasi në të tilla raste do të dilte me një qëndrim unik se tërësia territoriale e Kosovës mbetet e paprekur, vetëm kështu do të mund të frenohet Thaçi, ndryshe rreziku mbetet permanent. Kosova nuk guxon të shndërrohet në pronë private të Thaçit, i cili për të mbrojtur fatin e tij, po mundohet ti fal Serbisë territor, që është dhe duhet të mbetet e pa pranuar”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Burjani: Kosova dhe Serbia duhet të kenë një zgjidhje normale ,optimale dhe të pranueshme

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se nuk ka ndarje dhe nuk do të ketë asnjëherë zgjidhje që ndanë shtetet dhe që krijon tragjedi të reja.

Sipas tij, kjo për faktin se nëse ndahet, duhet të ndahet edhe Serbia përfundimisht, pasi askush nuk i beson më, kësaj garniture politike që mendja i shkon vetëm mbrapsht.

“Kosova dhe Serbia duhet të kenë një zgjidhje normale ,optimale dhe të pranueshme. Andaj nuk mendoj se duhet të ketë negociata për ndarje por negociata për shënim përfundimtar të kufirit dhe nuk do të ketë ndonjë çështje politike. Ajo që është me rëndësi është se mund të diskutohet për pakicën serbe në Kosovë dhe shqiptarët në luginë e këto dy vende duhet të kenë marrëveshje për trajtimin e pakicave. Ideja se a është e vdekur a jo ndarja apo shkëmbimi, ende nuk është e dijshme, por ajo që është e dijshme është fakti se Serbia dhe Kosova duhet të kenë kufij reciprok të njohur ndërmjet vete dhe njohja reciproke, dhe këtu pastaj mund të përfundojë edhe kjo çështje”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat