Kosova në Interpol, njohësi i integrimeve evropiane tregon kush po e bllokon procesin

Politika

Kosova në Interpol, njohësi i integrimeve evropiane tregon kush po e bllokon procesin

Nga: G.B Më: 28 qershor 2019 Në ora: 14:44
Interpol

Kosova ka aplikuar sërish për tu anëtarësuar në Interpol.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se  Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon (Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit e cila këtë vit do të mbahet në Kili.

Sipas MPJ-së, Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.

Image
Sami Blakaj

Se sa ka shanse që Kosova këtë herë të bëhet anëtare e Interpol-it, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se do të jetë sfidë e vështirë, pasi edhe pse është çështje teknike, është politika ajo që vendos në fund.

“Arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore INTERPOL, edhe kësaj radhe do të jetë një sfidë e vështirë për vendin tonë.  Çështja e anëtarësimit në INTERPOL ndonëse do duhej të ishte krejtësisht teknike dhe shumë pak politike, megjithatë në fund është pikërisht politika ajo që vendos nëse Kosova do të anëtarësohet ose jo në këtë organizatë ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas tij, rrugëtimin e Kosovës në Interpol po e vështirëson më shumë bllokimi i dialogut Kosovë-Serbi si dhe vendimi për taksën.

“Mendoj se ajo që kësaj radhe e vështirëson edhe me shumë rrugëtimin e Kosovës drejt INTERPOL-it, është bllokimi i dialogut Kosovë-Serbi si dhe vendimi për taksën, vendim ky që buron pikërisht nga lufta e Serbisë për ta penguar Kosovën rreth anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar. Siç dihet, kundërshtimi i taksës nuk vjen vetëm nga Serbia, por edhe nga shumica e aleatëve të Kosovës, siç është Gjermania dhe Franca. Ky kundërshtim i fuqishëm ndërkombëtar padyshim se mund ta dobësojë pozitën e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme dhe rrjedhimisht Kosova të mos arrijë të marrë shumicën e nevojshme prej 2/3 të votave të vendeve anëtare”, ka vlerësuar Blakaj.

Andaj, ai thotë se Kosova nuk duhet të humbë kohë dhe të lobojë në institucionet përkatëse në vendet mike.

“Prandaj Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se intensivisht duhet avancuar në projektimin e planit dhe strategjisë së anëtarësimit. Pjesë e strategjisë padyshim se duhet të jetë lobimi i institucioneve gjegjëse tek të gjitha vendet mike, me theks të veçantë tek SHBA-të, Franca dhe Gjermania, me synim që të njëjtat të shfrytëzojnë autoritetin e tyre tek të gjitha ato vende që akoma janë skeptike rreth Kosovës dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Sipas Blakajt, skeptikëve duhet bërë e qartë se pranimi në Interpol është interes mbinacional dhe jo vetëm interes i Kosovës.

“Skeptikëve të Kosovës duhet bërë të qartë se pranimi në INTERPOL nuk është vetëm interes nacional i Kosovës, por i përgjigjet interesit mbinacional, që do të thotë se çdo anëtarësim në organizatën ndërkombëtare të policisë do t'i kontribuonte përpjekjeve të përbashkëta në luftën ndërkombëtare kundër krimit të organizuar, parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore si dhe shumë e shumë dukurive të tjera negative me të cilat sot përballet e gjithë bota”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat