Tensione të mëdha mes delegacionit serb e atij të Kosovës, zv.ministrja e Kosovës që ia përmendi Serbisë UÇK-në flet për “Bota sot”

Politika

Tensione të mëdha mes delegacionit serb e atij të Kosovës, zv.ministrja e Kosovës që ia përmendi Serbisë UÇK-në flet për “Bota sot”

Nga: N.H Më: 28 qershor 2019 Në ora: 17:47
Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi

Me tensione e përplasje të mëdha është zhvilluar mbledhja e CEFTA-së, në qytetin e Vlorës në Shqipëri, ku zëvendësministrja e Kosovës e ka kundërshtuar ashpër Serbinë kur kjo e fundit ju ka referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”.

Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi, që ka përfaqësuar Republikën e Kosovës, ka argumentuar dhe ka kundërshtuar Serbinë, duke kërkuar që të mos ndodhë më diçka e tillë.

“Metohija ka përfunduar së ekzistuari që nga viti 1998-99, kjo falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe natyrisht duke iu falënderuar miqve tanë ndërkombëtar Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008. Ne si përfaqësues të Republikës së Kosovës nuk lejojmë të përdorin terma fyes ndaj shtetit tonë. Kjo fyerja ndaj Republikës së Kosovës është e papranueshme dhe ne do ta lëshojmë takimin, derisa ta kuptoj Serbia se kështu nuk mund të vazhdohet, sepse këto terme janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministrja Krasniqi.

Menjëherë pas mbylljes së këtij takimi, zëvendësministrja e Tregtisë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar ekskluzivisht gjithçka çfarë ka ndodhur në Vlorë.

Krasniqi mes tjerash ka thënë se reagimi i saj i menjëhershëm ka ardhur në momentin që është përmendur termi “Kosova dhe Metohija”.

Ajo është shprehur se fal luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë, Kosova është shtet i pavarur.

Image
Arbëreshë Krasniqi

“Kur është përmendur termi jo kushtetues, “Kosova dhe Metohija”, kam reaguar dhe kam thënë se fal luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ndihmës së miqve ndërkombëtare Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran”, është shprehur zëvendësministrja Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Arbëreshë Krasniqi gjithashtu ka bërë të ditur se nuk do të lejojnë më të përdoren terme të tilla

“Nuk do të lejojmë terme të tilla më nëpër takime ku përfaqësohet Republika e Kosovës”, ka deklaruar në fund, zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, kujtojmë se Krasniqi gjatë mbledhjes së vendeve nënshkruese të CEFTA-së ka thënë se taksa 100 për qind, nuk është e rastësishme, dhe veprimet e tilla e kanë detyruar Kosovën ta marr këtë masë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat