Kosova ia mësyn sërish INTERPOL-it

Politika

Kosova ia mësyn sërish INTERPOL-it

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 qershor 2019 Në ora: 10:08
Interpol

Ende nuk është pjesë e saj, por po synon të bëhet. Kosova ka aplikuar sërish për anëtarësim në INTERPOL.

Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e Interpol-it filluan në vitin 2010, ku në atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare, ndërsa më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme

Ndërsa dy vite më parë, me 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Tani, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se  Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon(Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit e cila këtë vit do të mbahet në Kili.

Sipas MPJ-së, Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.

“Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme. Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë. Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Mazrreku pesimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Image
Avni Mazrreku

Se sa janë shanset që këtë vit Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it, njohësi i integrimeve evropiane, profesori Avni Mazrreku, ka thënë për gazetën “Bota sot” janë disa rrethana që e kanë pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, e para është roli dekonstruktiv i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol mendoj që rrethanat të cilat e kanë pamundësuar anëtarësimin kanë shkuar baraz. E para është roli dekonstruktiv i Serbisë dhe një politike destruktive lotuese anti anëtarësim të Kosovës në Interpol nga ana e Serbisë, pavarësisht vendosjes së taksës dhe pavarësisht proceseve tjera që kanë të bëjnë me negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pavarësisht tendencës për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Serbia vazhdon të jetë destruktive në procesin e konkludimit e sovranitetit të Kosovës, që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Prandaj, e  gjithë politika e jashtme e Serbisë me të gjithë mekanizmat e vet është e orientuar dhe e fokusuar që ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe ne deri tash nuk kemi parë asnjë shenjë se Serbia do ta ndryshojë trendin në raport me pengimin e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, por jo vetëm në këto”, është shprehur ai.

Ndërsa, si kriter të dytë, Mazrreku thotë se është dimensioni i politikës efektivë të Kosovës për arritjen e qëllimit, derisa shton se është pesimist që Kosova kësaj radhe të arrijë të anëtarësohet.

“Kriteri i dytë .0.është dimensioni i politikës efektive të Kosovës në funksion të arritjes së qëllimit, siç është anëtarësimi i Kosovës në Interpol në këtë rast, mekanizmat e politikës së jashtme nuk duket se kanë ndryshuar, prandaj numri i shteteve që e përbëjnë Interpolin dhe që do të votojnë në Interpol, në këtë rast për anëtarësimin e Kosovës, varet kryesisht nga dy faktorë por edhe nga raporti i forcave në nivel global. Edhe ai raport në nivel global nuk ka ndryshuar, madje në zona të caktuara ka shënuar rënie për përkrahjen e Kosovës. Prandaj situata aktuale nuk duket shumë optimiste se Kosova në këtë tentativë të saj të radhës të realizojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol”, ka deklarur Avni Mazrreku për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Kosova të aplikojë derisa të pranohet

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim derisa të pranohet, derisa shton se për shkak të politikës nënçmuese të vendeve anëtare të kësaj organizate, nëse nuk pranohet, Qeveria e Kosovës duhet të bllokojë bashkëpunimin me UNMIK dhe EULEX për nevoja të Interpol-it.

“Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim në Interpol derisa tëpranohet. Aq herë dhe aq kohë sa e lejojnë procedurat, derisa të bëhet anëtare me të drejta të plota. Përndryshe Kosova për shkak të kësaj politike nënçmuese të vendeve anëtare, për shkak të propagandës agresive të Serbisë dhe të miqve të saj që po e pengojnë dhe po votojnë kundër pranimit të Kosovës në Interpol, Qeveria e Kosovës për të treguar se ka një kontroll efikas në të gjithë territorin dhe se është përgjegjëse për të gjithë nënshtetasit e saj, duhet të bllokojë bashkëpunimin ndërkombëtar me këtë organizatë dhe të mos ju vë asnjë të dhënë relevante për qytetarët e saj as UNIMK-ut e as EULEX-it për nevoja të Interpolit dhe të organizatave ndërkombëtare. Le të shihet se këtu nuk është fjala për politikë por për çështje të procedurave dhe për respektim të ligjeve të vendit”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Serbia nuk mund ta ndalojë Kosovën të anëtarësohet në Interpol

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve aktuale, Rexhep Shahu, është shprehur optimist sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizma ndërkombëtarë.

“Unë gjithmonë jam optimist sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizma ndërkombëtarë, pasi besoj fort se ky shtet i ri, krijuar për shqiptarët si shpërblim ndaj tyre, do të pranohet në gjithë organizmat ndërkombëtarë. Edhe se ka përkrahjen e krijuesit, Amerikës falë të cilës kemi Kosovën shtet”, ka vlerësuar Shahu.

Sipas tij, pengesat serbe mund ta vonojnë trenin Kosovë, por nuk mund ta ndalin atë, pasi Kosova do të vlerësohet pozitivisht.

“Pengesat serbe mund ta vonojnë trenin Kosovë, por nuk e ndalojnë dot me këtë tren. Besoj se Kosova do të vlerësohet pozitivisht”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat