Rrëzimi i Ekipit Negociator, do ta “ngreh këmbën zhag” edhe për qeverinë Haradinaj

Politika

Rrëzimi i Ekipit Negociator, do ta “ngreh këmbën zhag” edhe për qeverinë Haradinaj

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 qershor 2019 Në ora: 08:04
Qeveria PANA-Lista serbe

Lënda e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nga dy deputetët opozitar, Albulena Haxhiu dhe Driton Selmanaj, për Ekipin Negociator, ka nxjerrë këtë të fundit si antikushtetues nga ajo Gjykatë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit".

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018, pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim.

Përmes një postimi në Facebook, Shpend Ahmeti ka thënë se PSD e pranon vendimin e Gjykatës dhe anëtarët e partisë së tij do të pushojnë të shërbejnë në këtë organ.

Tani, e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi, rikthehet prapë në dorë të presidentit Thaçi, i cili në kokë e ka idenë për ndryshimin e kufijve.

Rugova: Pas këtij vendimi të kushtetueses ditët e qeverisë së PAN-it janë shkurtuar dukshëm

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, e ka komentuar për “Bota sot” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky vendim është i drejtë dhe se Ekipi Negociator ishte mbulesë për presidentin Thaçi.

“LDK-ja me kohë ka reaguar lidhur me këtë përbërje të ekipit negociator që e kemi vlerësuar jo kushtetues. Po ashtu edhe ligjin që e miratuan e kemi konsideruar si jo kushtetues, dhe këtë e vërtetoj edhe aktgjykimi i gjykatës kushtetuese. Ky ekip dhe ky ligj ishin një farsë e improvizimeve antikushtetuese dhe mbulesë e mirë për Hashim Thaçin. Vendimi i gjykatës kushtetuese i demaskon këto veprime të dëmshme dhe antikushtetuese, prandaj ky proces është tani edhe juridikisht u ndërprerë”, është shprehur ia.

Ai mendon se pas këtij vendimi, ditët e qeverisë së PAN-it janë shkurtuar dukshëm.

“Këta njerëz që proceduan dhe miratuan këto vendime duhet të japin përgjegjësi politike, morale dhe penale. Rrugëdalja nga kjo situatë janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, nga të cilat do del qeveria e re që do i merr përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore dhe t’i heqë nga rendi i ditës këto tema që i janë bërë barrë e rendë ecjes së vendit drejt prosperitetit socio ekonomik dhe integrimit në BE. Besoj fuqishëm se pas këtij vendimi të kushtetueses ditët e qeverisë së PAN-it janë shkurtuar dukshëm”, tha Rugova.

Makolli: Koha për unitet

Image
Vesel Makolli

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, për “Bota sot” ka thënë se që tani është koha për një unitet të partive politike dhe jo hedhja e topit tek njeri –tjetri, pasi sipas tij, kjo shkon në dëm të vendit.

“Është koha që liderët tanë aktual politikë të unifikohen pa ekuivokë dhe të lënë anash kakofoninë politike që ka qenë prezentë tek ta gjatë gjithë kohës kur kemi të bëjmë me bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm. Hedhja e topit tek njeri -tjetri shkon në dëm të vet interesave të shtetit tonë , pasi që epilogu i bisedimeve me Serbinë i mbikëqyrur normalisht nga fuqitë relevante botërore do të varet shumë nga uniteti dhe qëndrimi jonë. Për të gjitha çështjet jetike të shtetit , e thuajse kryesorja prej tyre janë bisedimet me Serbinë, gjegjësisht arritja e marrëveshjes historike që do t`i hapte rrugë Kosovës për fitim e karriges se dyte shqiptare ne OKB, duhet të bëhen dhe udhëhiqen komforn Kushtetutës tonë”, potencoi Makolli.

Gjithçka çfarë del nga tavolina e bisedimeve, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, thotë tutje Makolli.

“Është e kuptueshme që zakonisht produkti që del nga tryeza e bisedimeve nuk i plotëson kërkesat maksimale të dy aktereve të bisedimeve, për ketë arsye liderët tanë duhet të jenë të përgatitur me informata të nevojshme , kuptohet unik dhe mos të e bëjnë koncesione që cenojnë Kushtetutën dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai.

Makolli tutje mendon se zhvleftësimi i grupit negociator nuk paraqet ndonjë problem.

“Zhvleftësimi i grupit negociator nuk paraqet ndonjë problem, pasi që ky grup apo i ngjashëm me ekspert eminent të lëmive te nevojshme, duhet të ekzistojë si logjistike e nevojshme për negociatorët , por jo në ballë të bisedimeve pasi që sipas Kushtetutës dhe kërkesave të faktorit ndërkombëtar dihet kush duhet të ju prij bisedimeve”, vlerësoi Makolli.

Teksa ka folur për ndikimin e Amerikës në dialog, Makolli ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka pse të ndikojë në qeverinë aktuale.

“Vendimet e fundit të Kushtetueses nuk kanë pse të ndikojnë në skenën aktuale politike në vend dhe në qëndrueshmërinë e koalicionit, pasi që edhe ashtu Samiti i Parisit ka qene i prolonguar për shkak të përgatitjeve më të mira duke përdorur ‘‘shuttle diplomaci’’ nga Gjermania dhe Franca. Po ashtu, është shumë me rendësi që tani është kyçur drejtpërdrejt diplomacia Amerikane e cila ka ndikim kryesor tek të dy palët dhe e cila po kërkon që bisedimet të vazhdojnë dhe te rezultojnë para se të mbahen zgjedhjet pranverore vitin e ardhshëm në Serbi. Kyçja e drejtpërdrejt e SHBA-ve krijon një siguri te liderët tanë dhe te populli i Kosovës, pasi që SHBA është nuni i shtetit tonë”, tha ai.

Krasniqi: Dialogu duhet të udhëhiqet nga kryeministri

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se ky ekip ka qenë joserioz, duke ditur se Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj nuk përfaqësojnë as shtatë përqind të elektoratit.

“Prej fillimit krijimi i këtij ekipi negociator ka qenë joserioz, i krijuar nga dy njerëz si Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, qe nuk përfaqësojnë as 7 përqind të elektoratit. Qëllimi i këtij ekipi negociator ishte zhvatja e atij buxheti të ndarë nga Qeveria e Kosovës, e veçanërisht akomodimin e familjarëve dhe militantëve të tyre. Dialogu duhet të udhëhiqet nga kryeministri, dhe në asnjë mënyrë nga dikush tjetër që nuk e ka mandatin. E aq më pak nga presidenti Thaçi!”, u shpreh Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat