Partia e Milaim Zekës, adresë e matrapazëve për ta zhvatur buxhetin apo një frymë e re në politikë-bërje

Politika

Partia e Milaim Zekës, adresë e matrapazëve për ta zhvatur buxhetin apo një frymë e re në politikë-bërje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 korrik 2019 Në ora: 08:07
Milaim Zeka në prezantimin e partisë së tij, PEK

Milaim Zeka, që ndryshe njihet edhe si deputeti më i zëshëm i kësaj legjislature në Kuvendin e Kosovës, e shpesh kontrovers për shkak të gjuhës që përdor dhe deklaratave të tij, së fundi ka prezantuar edhe partinë e tij politike.

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, këto ditë zyrtarizoi partinë e tij të re, të quajtur Partia Euroatlantike e Kosovës, ose ndryshe e njohur me shkurtesën PEK, ku në themelimin e saj morën pjesë deputetë të partive të tjera dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, Zeka premtoi se partia e tij do të sjellë një frymë të re të politikëbërjes në vendin tonë dhe se do të bëjnë gjithçka të kundërt çfarë është bërë deri më tani. Ai përmendi se prioritet për partinë e tij do të jetë investimi në arsim dhe shëndetësi si dhe përkrahje për bizneset përmes heqjes së disa obligimeve ndaj shtetit.

Njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se kjo parti është një kopje partive tjera politike, të cilat për 20 vite funksionuan në vend. Analistët hedhin dyshime dhe akuza për qëllimin e partisë së Zekës, ndërsa vlerësojnë se pjesëmarrja e Ganimete Musliut dhe e Nait Hasanit në zyrtarizimin e kësaj partie, tregon se ky subjekt mbetet brenda Klanit Pronto.

Rexhaj: Zeka, matrapaz e zëdhënës me dekada i krimit

Image
Sali Rexhaj

Ish-anëtari i Partisë Parlamentare të Kosovës, Sali Rexhaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka komentuar themelimin e partisë së deputetit Milaim Zeka.

Rexhaj ka deklaruar se pjesëmarrja e Ganimete Musliut dhe e Nait Hasanit në zyrtarizim të partisë tregon se ky subjekt mbetet brenda Klanit Pronto.

Ai thekson se Zeka e ka formuar këtë parti për përfitime politike e financiare.

“Nga Milaim Zeka, si matrapaz e zëdhënës me dekada i krimit, vrasjeve e hajnisë, kuptohet se partinë e ka formuar për përfitime politike e financiare. Vet pjesëmarrja e Ganimete Musliut e Nait Hasanit tregon se ky subjekt mbetet brenda Klanit Pronto”, ka thënë Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Rexhajt, Partia Euroatlantike e Kosovës është adresë e matrapazëve për ta zhvate e vjedhë shtetin.

“PEK është vetëm adresë e matrapazëve për ta zhvatë e vjedhë shtetin. Kjo parti nuk e kalon pragun zgjedhor kurrë, por në ndonjë koalicion eventual Zeka e kërkon rastin si Labi apo AKR-ja për të përfituar miliona me votën e tij. Një enverist i çartur po formuaka parti euro-atlantike. Vet emri tregon se për euro është fjala, sepse në shqip thuhet evroatlantike”, ka thënë në fund, Sali Rexhaj, ish-anëtar i Partisë Parlamentare të Kosovës.

Haziri: Zeka mashtrues, PEK tallje për qytetarët

Image
Nexhat Haziri

Nexhat Haziri, opinionit dhe njohësi i politikës në vend, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, formimi i Partia Euroatlantike e Kosovës nuk do të ketë asnjë rëndësi në skenën politike të vendit.

Haziri gjithashtu e ka quajtur Zekën si mashtrues, ndërsa për krijimin e kësaj partie ka thënë se është tallja më e madhe për demokracinë dhe qytetarët e vendit.

“Nëse një mashtrues si Milaim Zeka i cili ka edhe aktakuzë për mashtrim me viza të qytetarëve flet për shtet ligjor, është tallja më e madhe me demokracinë dhe qytetarët e vendit. Formimi i kësaj partie nuk do të ketë asnjë relevancë në skenën politike të vendit, përpos që do të jetë edhe një parti më shumë e regjistruar në KQZ”, është shprehur Haziri, për “Bota sot”.

Mes tjerash, ai ka theksuar se Zeka i ka bërë llogaritë edhe në problemet e shfaqura në PDK, për ta transferuar ndonjë “margaritarë” siç i ka quajtur Haziri, në partinë e tij.

“Është fakt se Zeka i ka bërë llogaritë edhe në problemet e shfaqura në PDK dhe lufta e ashpër mes “komandantëve” për të mbijetuar në skenën politike, dhe nga thyerjet eventuale të “transferojë” ndonjë “margaritarë” në partinë e tij. Mbase as kjo nuk do t’i ndihmoj Zekës e as PEK-ut të tij për tu bërë faktor në skenën politike”, ka përfunduar Haziri.

Burjani: PEK surrogat i PDK-së

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike kushtetuese, Blerim Burjani, ka deklaruar se partia e themeluar nga ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, është surrogat i PDK-së së Kadri Veselit.

“Partia Euroatlantike (PEK) e themeluar nga Milaim Zeka është surrogat i PDK-së. Partia Euro Atlantike e Kosovës nuk paraqet subjekt politik ndonjë vizion modernë dhe demokratikë në skenën politike”, ka thënë ai.

Burjani tutje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e Zekës nuk përben asnjë ndryshim në skenën politike të Kosovës.

“Si e tillë PEK-u nuk përbenë asnjë ndryshim në skenën politike të Kosovës. Janë përmend emra që fare nuk kane lidhje me PEK-un as që do të kenë ndonjëherë në të ardhmen”, ka thënë në fund, njohësi i çështjeve juridike kushtetuese, Blerim Burjani.

Duhanaj: Kopje e keqe e maskarallëkut!

Image
Leon Duhanaj

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” tha se kjo parti është një kopje e keqe e maskarallëkut që tashmë 20 vjet e kemi.

“Vet emërimi i partisë është absurd për mendimin tim, e gjithçka vjen pas, është një kopje e keqe e maskarallëkut që tashme 20 vjet e kemi ndër ne. "Partia Euroatlantike". Pse duhet ne ta potencojmë një gjë të tillë? A nuk jemi evropian apo nuk besojmë fare në ketë term dhe në vend të kësaj shërbehemi me parulla boshe?

Ne sikur edhe çdo ditë, në diskursin politik të Kosovës, i dëgjojmë frazat, integrime euroatlantike, kompani të ndryshme që para emërimit të tyre kanë fjalën euro dhe, pothuaj në çdo segment të jetës shërbehemi me këto fraza koti. Por, çfarë bëjmë ne vërtetë? Ne jemi evropian, por nuk besojmë në vlerat e këtij qytetërimi. Ky është problemi thelbësorë i shqiptarëve kudo”, tha Duhanaj për “Bota sot”.

Tutje, Duhanaj, theksoi që programi i kësaj partie nuk shpalosi asgjë të re dhe se kjo parti është si partitë e tjera dhe nuk ka asgjë përveç fjalëve të bukura që thur Milaimi.

“Për aq sa kam dëgjuar nga programi i shpalosur nga Milaim Zeka, nuk tha asgjë të re çfarë nuk e kemi. Do bëjë letë bëj atë, nuk është ky program politik evropian. Ky është program mjeran ashtu siç janë të gjitha programet e partive tjera. Evropa sot ka programe moderne politike, ku qytetarit i shërbehet vizioni për të ardhmen në nivel global. Ne jemi larg, shumë larg, për mos me thënë me shekuj! Prandaj, edhe kjo parti, "Euro - Atlantike" është si gjithë tjerat. Edhe Milaimi, përpos fjalëve të bukura sidomos ndaj diasporës ku synon të gjej donacione për parti, nuk është që ka ndonjë storie suksesi apo që është i larë nga akuzat”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat