Kosova në dorën e 4-5 bosëve të PDK-së, “sekreti publik” që e zbuloi Sami Lushtaku

Politika

Kosova në dorën e 4-5 bosëve të PDK-së, “sekreti publik” që e zbuloi Sami Lushtaku

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 korrik 2019 Në ora: 10:31
Sami Lushtaku dhe Kadri Veseli

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, tashmë kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku,i ka reaguar kryetarit të partisë, Kadri Veselit, pasi ky i fundit mori nismën të shkarkojë zyrtarë të PDK-së që janë nën akuza për korrupsion. Lushtaku ka thënë se janë 4-5 persona në PDK, që po e shkatërrojnë Kosovën dhe PDK-në dhe se ai nuk ka asnjë aktakuzë për korrupsion dhe se “askush nuk e ka qëllimin” që ta përjashtojë atë nga partia.

Madje, ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij në raport me vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për shkarkimin nga pozitat publike dhe partiake të anëtarëve të PDK-së, të cilët kanë aktakuza të konfirmuara nga Prokuroria e Shtetit.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

Ai, po ashtu i ka dalë në mbrojtje anëtarit të PDK-së, ish-gjeneralit të luftës, Agim Çeku, i cili u shkarkua nga pozita e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

“E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye”, ka thënë Lushtaku.

Por, kush janë këta 4-5 persona nga PDK, të cilët po kontrollojnë shtetin e Kosovës aktualisht.

Burjani: Nuk jam optimist se PDK-ja do të dekriminalizohet plotësisht

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike e juridike në vend Blerim Burjani, ka thënë për “ Bota sot” se disa zyrtar të lartë në thonjëza që janë shkarkuar nga Veseli, ishin servil të PDK-së, të tij, dhe të Hashimit por jo shefat.

Sipas tij, ata persona nuk kanë qenë persona që kanë vendosur për PDK-në por ishin vegla të bosëve të mëdhenj të PDK-së përfituese.

“PDK-ja ka shumë "argat " që ushtrojnë funksione me qëllime të caktuar që udhëhiqen nga bosët e PDK-së, (ka 3-4 bosa), të cilët nuk mund të shkarkohen kurrë nga askush, madje janë imun edhe nga organet e rendit. Prandaj, edhe nuk jam optimist në këtë çështje se PDK-ja do të dekriminalizohet plotësisht, i duhet shumë punë, duke e marrë parasysh se PDK-ja ka 15 sekretar nëpër ministri, dhe ka përplot njerëz nëpër borde të ashtuquajtura të pavarur. Ky subjekt politik ka edhe njerëz që i transferojnë prej posti në tjetër siç është rasti prej sekretarit të MPJ në kryetar në rregullator të energjisë, ARKEP e shumë e shumë të tjerë. Andaj nuk ia vlen të flitet për këtë subjekt nëse flasim seriozisht, sepse është plotësisht problematike dhe nuk ia vlen. PDK-ja duhet patjetër ta pushojë veprimtarin e saj politike për të ndalë korrupsionin, nepotizmin, punësim jo meritor nëpër ambasada, agjenci etj, edhe pse shumë larg është që të kryhet kjo punë”, ka thënë njohësi çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Mehazi: Nuk ka dobi në krye të partisë së PDK-së janë “Prontot”

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, ka thënë se Kadri Veseli para se të shkarkonte funksionarët e lartë të PDK-së në fillim duhej të shkarkonte veten, e pastaj të tjerët.

Sipas tij, Sami Lushtaku e ka shumë gabim, sepse nuk janë vetëm katër-pesë persona të cilët e kanë bllokuar PDK-në dhe Kosovën, sepse Kosova është e bllokuar nga gjithë PDK-ja.

“Kosova është e bllokuar nga e gjithë PDK, që nga kryetari, e deri në nivelet më të ulëta partiake. E keqja e PDK-së nuk vjen nga pesë persona, por nga gjithë partia. Se dimë se cili prej partisë së PDK-së s'është i korruptuar, ama bile dhe një s'mund ta gjejmë. Partia më krimogjene në Kosovë është PDK-ja, i dyshuari si kryekrimineli i partisë shkarkon të dyshuarit tjerë të padëgjueshëm për shkak konkurrencës korruptive e kurrsesi për të mirën e Kosovës. Deri sa në krye të partisë së PDK-së janë “Prontot” përveç dëmeve asnjëfarë dobie nuk ka popullata e Kosovës”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Krasniqi: Sami Lushtaku është njëri nga përfituesit më të mëdhenj në Kosovën e pasluftës

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Sami Lushtaku, është njëri nga përfituesit më të mëdhenj në Kosovën e pasluftës.

Sipas tij, ai ka përfituar milionat si pjesë e PDK-së dhe imazhit të të fortit.

“Do të ishte mirë që Lushtaku t'i tregojë emrat se kush janë ata 4-5 persona në PDK, që e kanë bllokuar Kosovën dhe kontrollojnë gjithçka. Sepse në PDK janë shumica që kontrollojnë gjithçka, madje nga të varfër që kanë qenë janë shndërruar në njerëzit më të pasur në Kosovë. Sikur të kishim shtet të mirëfilltë, me qindra politikan dhe bishtat e tyre, sot do të ishin mbrapa grilave, dhe pasuria e tyre e paligjshme do konfiskohej”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat