Momenti i fundit për mocionin e opozitës, kundër keqqeverisjes PAN

Politika

Momenti i fundit për mocionin e opozitës, kundër keqqeverisjes PAN

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 1 korrik 2019 Në ora: 22:12
Qeveria Haradinaj

''Natyrisht që është momenti, mbase i fundit që opozita të ndërmarrë tashmë iniciativën konkrete për mocionin ndaj qeverisë së koalicionit PAN. Më nuk e leverdisë opozitën që me deklarata në konferenca shtypi apo statuse në rrjetet sociale mbi mocionin ndaj qeverisë Haradinaj të blejë kohë. Çdo shtyrje e këtij mocioni shkon në favorin e kryeministrit Haradinaj,'' ka theksuar analisti Nexhat Haziri.

Analistët për Bota sot kanë thënë se është momenti i fundit që opozita të ndërmarrë iniciativë konkrete për mocionin ndaj qeverisë së koalicionit PAN.

Sipas tyre, çdo shtyrje e këtij mocioni është në favor të kryeministrit Haradinaj. Gjithashtu, ata kanë potencuar se opozita duhet të ketë kujdes, pasi që rrezikon të diskriminohet.
Më tutje kanë shtuar se ''opozita nuk duhet të inicojë mosbesimin në kuvend pa qenë i sigurt se i ka votat, pasi kështu vetëm sa e favorizon qeverinë.''

Ata i shohin të arsyeshme protestat të cilat sjellin mobilizim që të rrëzohet kjo qeveri.

Rugova: Do të procedojmë kur t`i kemi numrat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë se nënshkrimet janë të mbledhura dhe sapo të mblidhen votat do të procedojmë menjëherë me mocionin.

Image
Naser Rugova

''Kryetari i LDK ka takuar dy liderët tjerë opozitarë, nënshkrimet janë të mbledhura dhe përpjekjet për rrëzimin e qeverisë kanë vazhduar dhe vazhdojnë në drejtim të sigurimit të 61 votave, posa të jenë siguruar votat procedojmë menjëherë,'' ka theksuar ai.

Mehmeti: Kosova duhet të ketë tjetër qeveri

Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti, ka theksuar se opozita fillimisht duhet të jetë e sigurt që i ka votat, para se të iniciojë mocionin e mosbesimin në kuvend, ngase në këtë formë e favorizon qeverinë.

Image
Faton Mehmeti

''Opozita nuk duhet të iniciojë mosbesimin në kuvend pa qenë i sigurt se i ka votat, pasi kështu vetëm sa e favorizon qeverinë. Andaj duhet të jetë e kujdesshme, ndryshe rrezikon të diskriminohet.''

Ai më tutje dhënë mendimin e tij se çka duhet të bëjë tani opozita.

''Realisht, opozita duhet të bëjë protesta të cilat do sjellin mobilizim që të rrëzohet kjo qeveri, e cila veç dëme i ka sjellur vendit. Kosova duhet të ketë tjetër qeveri, pasi kjo aktuale nuk i ka sjellur dobi,'' ka thënë Mehmeti.

Haziri: Në AKR-në nuk duhet të llogaritet

Për hapat konkret që duhet të ndërmerren, ka shprehur mendimin e tij edhe analisti Nexhat Haziri. Mes të tjerash, Haziri thekson se AKR nuk duhet të llogaritet pasi që nuk ka seriozitet politik.

Image
Nexhat Haziri

''Hapi konkret është thirrja e seancës së mocionit edhe në qoftë se nuk kalon nuk është një humbje më e madhe se sa paralajmërimet e opozitës që një kohë të gjatë pa rezultat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Sa i përket votave të AKR-së nëse i ka mbetur ndonjë, nuk duhet të llogaritet pasi ky subjekt politik nuk ka kurrfarë serioziteti politik,'' ka shtuar analisti Nexhat Haziri.

Kadriaj: Opozita duhet të kërkojë votat e PDK-së

Analisti tjetër, Mustafë Kadrijaj gjithashtu është shprehur se AKR ka liderin e saj naiv dhe me egoizëm ekstrem, prandaj LDK nuk duhet të llogarisë në votat e kësaj partie.

Image
Mustafë Kadrijaj

''Për të ardhur deri tek një mocion mosbesimi opozita duhet të kërkojë votat e PDK-së sepse NISMA ende po tenton që të shtrihet në gjithë territorin ndërsa me AKR dhe liderin e saj nuk mund të llogaritë opozita sepse AKR nuk mund të jetë më pjesë e parlamentit të ardhshëm kështu që lideri i AKR-së tenton që t'ia zgjasë vetes mandatin e shefit të diplomacisë së Kosovës përkundër dështimit të tij si Mnistër i Punëve të Jashtme në të gjitha iniciativat për anëtarësim të Kosovës si dhe tërheqjen e njohjeve të shteteve në raport me Kosovën. Pra këto janë arsyet pse opozita nuk mund të llogaritë në votat e AKR-së duke marrë parasysh naivitetin dhe egoizmin ekstrem të liderit të AKR-së,'' ka thënë për “Bota Sot”, Mustafë Kadrijaj.

Më tutje, Kadrijaj ka theksuar se fajin më të madh e ka LDK. Ai i sheh problemet në proceset e brendshme zgjedhore shkak për rënien e besimit të qytetarëve në këtë parti. Të njëjtin problem e sheh edhe tek Vetëvendosje.

''Kosova funksionon sipas sistemit parlamentar si mandatimi dhe mocioni i mosbesimit varet nga vota e deputetëve që këtu fajin me të madh e ka opozita në Kosovë, për faktin që LDK përkundër pritjeve, me konfliktin në proceset e brendshme zgjedhore nuk krijon besim tek qytetari. Po ashtu edhe Vetëvendosja ka po të njëjtat probleme me vetveten kështu që kryeministri aktual po e vazhdon të qeverisurit përkundër rriskut në numra dhe moralisht.''

Se çka duhet të ndërmarrë opozita, Kadrijaj është shprehur se janë krijuar kushtet për të shkuar në zgjedhje parlamentare. Për kryeministrin Haradinaj, Kadrijaj thotë se nuk ka dëshmuar një lidership largpamës, por është treguar një popullist klasik.

''Për t'iu shmangur ndonjë krize politike apo shoqërore mendoj që janë pjekur kushtet për të shkuar në zgjedhje parlamentare sepse ngrirja e raporteve me Bashkimin Europian si dhe thellimi i keqësimit të mirëqenies mendoj që kryeministri aktual nuk ka më as besim paralamentar edhe moral që të jetë në krye të ekzekutivit të vendit si rezultat i të keve të tij që nuk ka dëshmuar të një lidershipi largpamës por një popullist klasik”, është shprehur Kadriaj.

Haziri: Momenti i fundit për opozitën

Ndërkaq, Nexhat Haziri ka thënë se është momenti i fundit që opozita të ndërmarrë diçka konkrete ndaj koalicionit PAN.

''Natyrisht që është momenti, mbase i fundit që opozita të ndërmarrë tashmë iniciativën konkrete për mocionin ndaj qeverisë së koalicionit PAN. Më nuk e leverdisë opozitën që me deklarata në konferenca shtypi apo statuse në rrjetet sociale mbi mocionin ndaj qeverisë Haradinaj të blejë kohë. Çdo shtyrje e këtij mocioni shkon në favorin e kryeministrit Haradinaj,'' ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat