Intriga e Hashim Thaçit është shkatërruese për shtetin e Kosovës!

Politika

Intriga e Hashim Thaçit është shkatërruese për shtetin e Kosovës!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 2 korrik 2019 Në ora: 08:31
Hashim Thaçi

Në gusht të vitit 2018 Hashim Thaçi ishte në ekstazë gjatë përpjekjeve të tij që, duke spekuluar me Luginën e Preshevës ta realizonte projektin serb të ndarjes së Kosovës. Sipas njoftimit të medieve të asaj kohe, presidenti i Kosovës thirri në Prishtinë përfaqësuesit politikë të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës e bisedoi me ta për atë që ai e quan "Bashkimi i Luginës me Kosovën". Ai kishte premtuar se këtë bashkim do ta realizonte në procesin final të bisedimeve me Beogradin për atë që ai e quante "Korrigjimi i kufijve" e që do të thoshte de facto ndarje e Kosovës. Rekrutoi në këtë projekt serb edhe kreun e akademisë së Kosovës, Nexhat Dacin si dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Më 13 gusht 2018 Thaçi i falenderonte qytetarët e Preshevës për gatishmërinë e tyre për t'u bashkuar me Kosovën, ndërkohë që vijonte fushatën e tij për ndarjen e vendit. Dukej qartë se Kosova do të bëhej viktimë e nja 5-6 fshatrave të Preshevës e Bujanovcit, të cilët Serbia do t'ia jepte me dëshirë Kosovës në këmbim të marrjes prej saj të Trepçës dhe Kosovës së Veriut.

Entuziazmi i Hashim Thaçit para gati një viti ishte në tavan. Madje shoqata "Shpresa" e Preshevës e ftoi presidentin e Kosovës për vizitë në Luginë, vizitë e cila nuk u realizua kurrë. Megjithatë ajo ftesë i shërbeu presidentit kosovar për ta shit veten si atdhetar i madh, ndërkohë që në anën tjetër po përgatiste varrin e Kosovës së vet. Ka shumë histori të manipulimit dhe spekulimit të Hashim Thaçit me Luginën e Preshevës. Një prej tyre u përsërit nga mesi i majit i këtij viti, kur sërishmi presidenti i Kosovës deklaroi se "do ta bashkonte Luginën e Preshevës me Kosovën"! Në këtë rast Ramush Haradinaj iu përgjigj prerë: “Duhet me pas kujdes si ju qasemi shqiptarëve të Preshevës. Dëshira me na u bashku Presheva, dhe rasti i ndarjes se Kosovës, janë dy raste të ndryshme”, tha ai në për publikun shqiptar.

Ndërsa të hënën zoti Thaçi përcolli një rezolutë në parlament, me të cilën kërkon që Luginës së Preshevës t'i njihet e drejta që t'i bashkohet Kosovës. Pasi ai nuk arriti ta "detyrojë" Edi Ramën që të çojë në parlamentin e Shqipërisë një rezolutë me të cilën të kërkohej "bashkimi i Shqipërisë me Kosovën", madje pasi nuk mundi që as Kuvendit të Kosovës t'ia adresojë këtë lloj rezolute, tani presidenti kosovar ka vendosur të luajë me sentimentin e qytetarëve shqiptare në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Ai ka për qëllim që më një gur të vrasë dy zogj: Edhe ta lehtësojë e të risjellë në agjendë idenë dhe projektin e ndarjes së Kosovës, të rrëzuar në Berlin; Edhe të hiqet si patriot i madh dhe të luajë rolin e "shpëtimtarit" të kombit! Por qëllimi është ta gropsë e ta rrënojë kombin e vet, kombin tonë. Përmes asaj që ai e quan bashkim të Luginës dëshiron të rikthejë dhe realizojë projektin e ndarjes së shtetit, të vendit dhe të territorit të kombit tonë, Kosovës. Dërgimi në parlamentin e Kosovës i kësaj rezolute është një goditje e rëndë e lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Intriga e Hashim Thaçit është shkatërruese për shtetin e Kosovës.

Çdo iniciativë e ditëve të sotme për "bashkim të Kosovës me Shqipërinë", apo "për bashkim të Luginës me Kosovën" është iniciativë e projektuar në Beograd e në shërbim të Serbisë së Madhe. Hashim Thaçi tashmë me vetëdije po e luan këtë rol në shërbim të këtij projekti serb. Ai ka një objektiv, ka një synim, ka gjithashtu edhe një lloj shprese se do ta bëjë realitet idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës. Ai i është bashkuar me dëshirë, me vullnet të plotë dhe me vendosmëri projektit të Aleksandër Vuçiq për krijimin e Serbisë së Madhe, të asaj Serbie, për të cilën presidenti i Serbisë thoshte para disa muajsh se "Ishte qëllim i mirë i Milosheviçit, por që ai nuk diti të përdor mjetet e duhura për ta realizuar këtë qëllim"!

Kjo do të thotë se Vuçiq e pranon faktin se në kohën e Milosheviçit në Kosovë asnjë shqiptar i njohur e me pushtet nuk pranoi të bashkëpunojë me Serbinë kundër Kosovës. Ndërsa tash presidenti Vuçiq ia ka dalë që për projektin e Milosheviçit të angazhojë kreun e shtetit të Kosovës, presidentin e vendit, vetë Hashim Thaçin, dora vetë! Lugina e Preshevës po shërben si karem i qëllimeve djallëzore të Serbisë dhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Prandaj në një status timin të para disa orëve kam bërë thirrje që iniciativa e Thaçit për të miratuar një rezolutë të tillë në Kuvendin e Kosovës duhet refuzuar. E di se ai dhe benjaminët e tyre do të akuzojnë palën refuzuese për antishqiptarizëm. Por është më mirë të marrësh akuza të tilla nga antishqiptari, Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij propagandistë, sesa të biesh në provokimin e tij antikombëtar. Është më mirë që të përballesh me teza të qarta në interes të atdheut e të kombit, në interes ë Kosovës, sesa të manipulohesh nga retorika atdhetarësh-armiq të kombit shqiptar! Është më mirë t'ia thyesh hundët presidentit të Kosovës, duke ia treguar vendin që meriton, sesa të bëhesh lajkatar i tij me koston e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës dhe tërësisë territoriale të saj.

Kush nuk sheh përtej perdes që hedh Hashim Thaçi, ai ose është qorr, ose është bashkëpunëtor i Beogradit dhe Hashim Thaçit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat