Detaje të reja rreth dosjeve të SHIK-ut, pse nuk po hapen ato?!

Politika

Detaje të reja rreth dosjeve të SHIK-ut, pse nuk po hapen ato?!

Nga: D.RR Më: 2 korrik 2019 Në ora: 11:03
Foto ilustrim

Rreth dhjetë vite aktivitete, Shërbimi Sekret i Kosovës (SHIK-u), u përmend shpesh si organizatë e dyshimtë, ndërsa deputetë të Kuvendit të Kosovës apostrofuan atë si organizatë që qëndron mbrapa vrasjeve politike, kryesisht të zyrtarëve të LDK-së, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ndonëse, kishin marrë iniciativën për ta hetuar SHIK-un, deputetët e opozitës, respektivisht ata të Vetëvendosjes dhe LDK-së, nuk arritën kurrë që të formojnë një komision hetimor parlamentar për hetimin e saj.

Në korrik të vitit 2012, një raport i një hetuesi të EULEX-it ngrinte dyshime se dhjetëra anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ishin vrarë vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Raporti i nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsëorth, që ka të bëjë me hetimet e krimeve të ndryshme, thekson se më 3 tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar” me qëllim të shqyrtimit të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to, që janë kryer ndërmjet 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me ish-regjimin serb apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndërsa në vitin 2014, KFOR-i kishte publikuar një listë me emra të SHIK-ut. Dosjet dhe dokumentet e KFOR-it me informacione të hollësishme për SHIK-un e PDK-së pritet të shërbejnë si materiale dhe dëshmi për Gjykatën Speciale më seli në Hagë, për të sqaruar disa nga vrasjet, sulmet e dhunshme dhe krimet që ndodhën në periudhën e pasluftës në Kosovë kundër vet shqiptarëve.

Naim Miftari: Si u bëra pjesë e SHIK-ut dhe pse u pendova më pas

Image
Naim Miftari

Ish agjenti i kësaj organizate, Naim Miftari, thotë se në SHIK u inkuadrua pasi motoja e saj në atë kohë, “Luftë kundër shërbimit sekret serb”, e kishte motivuar.

“Duhet po ashtu të hetohet çdo organizatë e dëmshme apo e dobishme i cila ka vepruar ilegalisht nën petkun e OJQ. Mos harrojmë, SHIK-u kur është formuar është than se do jep kontribut për Kosovën dhe se puna primare do jetë “lufta kundër shërbimit sekret serb”, UDB-në atë kohë. Me ketë moto dhe me ketë motiv jam bërë edhe vet pjesë e SHIK-ut, por gjërat kanë filluar të dalin ndryshe sidomos kur ne kishim marr dhe kishim ftuar në biseda informative ish pjesëtar të UDB. Aty e kemi parë se njerëz të shërbimit sekret Serb janë futur përmes informatorëve të tyre në organizatat ilegale si LPK e nëpër parti tjera politike”, tregon Miftari.

Komandantë të UÇK-së u vranë nga njerëz të infiltruar nga UDB-ja

Ai tutje thotë se disa komandantë të UÇK-së u vranë nga njerëz të infiltruar të UBD-së.

“Nga partia parlamentare e Kosovës janë futur edhe në LDK në qeverinë e Bujar Bukoshit në emigracion por ishte e dhimbshme në fillim jo e besueshme për ne kur kishim marr informacione se si UDB dalëngadalë nga disa persona ishte futur në vet UÇK në vet bërthamën e UÇK dhe se kishte njerëz që ishin figura kryesore kinse të luftës por në fakt ishin vetëm agjentë/misionar të UDB dhe KOS serb dhe se vrasja e shumë komandantëve të përnjëmend të luftës të UÇK nuk ishin vrarë rastësisht në luftë por ishin vrarë qëllimisht për t’iu hap rrugën disa "komandantëve të UDB" liderëve që të vinë në udhëheqësin e fondeve të luftës dhe sidomos në krye të UÇK-së, pra vrasja apo arrestimi i figurave eminente të luftës çlirimtare të Kosovës nuk ishte rastësi apo fat i keqi luftës”, theksoi ai.

Miftari: Kështu devijoi SHIK-u

Miftari ka treguar momentet e para të dyshimeve se SHIK-u nuk po vepronte drejtë.

“SHIK-u i formuar pas luftës pas një kohe u bë trampolinë instrument i Hashim Thaçit, Veselit, Halitit, Reçicës, Sylës, Grabovcit. Dyshimet e mija por edhe të disa tjerëve filluan kur pas bisedave me disa ish UDB një dorë e zezë i vriste të gjithë ata ish-sigurima serb që folnin me ne sidomos kur UDB-ashët kishin afruar edhe materiale e deklarata/informacione të fshehta që etiketonin edhe disa figura të larta të PDK që kishin qenë pjesë vendimmarrëse gjatë luftës në UÇK. Dyshimet u shtuan dhe nuk pata dilema pastaj kur me 2-3 shkurt të vitit 2000, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku në bashkëpunim me shërbimin sekret DGSE _Francezet pro-serb na tradhtuan në Mitrovicë.! Pastaj vit pas vitit dihet hapur se udhëheqësit e SHIK-ut u bënë milionerë të pasur, biznesmenë me Oligarka të tyre që edhe sot ua menaxhojnë pasurit e tyre, pasuri të korrupsionit nga plaçkitja dhe zhvatja e pasurisë shtetërore të Kosovës”, ka treguar Miftari.

Islami: Kuvendi t’i hap dosjet, Isa Mustafa gaboi në kohën e qeverisjes së tij

Image
Gazmend Islami

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat dhe njëherit publicist, Gazmend Islami, për “Bota sot” ka thënë se do të ishte mirë që grupet parlamentare të formonin një komision për t’i hapur dosjet e SHIK-ut.

“Po të ishim një shtet në normal, që do të funksiononte, pra pa këta njerëz që e kanë sjellë Kosovën ku është sot, qysh në përfundimin në vitin 2008 në legjislaturën e parë pas shpalljes së pavarësisë, do të duhej të formohej një grup parlamentar që do t’i hapte dosjet e SHIK-ut dhe të merrej vendim nga parlamenti. Por, mjerisht mund të themi që ata njerëz që e kanë udhëhequr SHIK-un, i kemi sot në krye të parlamentit të Kosovës dhe ata mundohen që me çdo kusht të pengojnë hapjen e këtyre dosjeve. Unë jam shumë i bindur që po të hapeshin dosjet e SHIK-ut, do të mund të zbardheshin disa vrasje politike të pasluftës dhe kjo do t’i jepte shtytje dhe do ta pastronte organizatën nga njerëz të cilët nuk janë marrë me ato krime”, ka thënë ai.

Ai kritikon qeverinë e Isa Mustafës, që qëndroi pasive karshi kësaj çështjeje.

“Unë ndihem keq që gjatë qeverisjes së Isa Mustafës nuk është marrë një iniciativë e tillë, pra ka pasur mundësi që të merret sepse ka qenë në qeverisje me PDK-në, mirëpo e vetmja shpresë është që në zgjedhjet e ardhshme të krijohet një koalicion mes partive opozitare dhe partive më të vogla si Balli Kombëtar dhe disa të tjera, të cilat do ta qonin në opozitë PDK-në, AAK-në dhe NISMA-në, dhe në këtë mënyrë do të hapej porta për të zbardhur të gjithë veprimtarinë e asaj organizate që është e vetme në errësirë”, u shpreh Islami.

Tutje ai thotë se po të hapeshin dosjet e SHIK-ut, do të hiqeshin pretendimet për këdo qoftë.

“Pretendimet që i kanë Shërbimet e huaja Inteligjente, ata i përshkruajnë si një organizatë që janë marrë me vrasje, keqpërdorime, shantazhe dhe kjo do t’i bënte shumë mirë Kosovës, sepse do të hiqeshin pretendimet për këdo qoftë”, theksoi ai.

Haziri: Dosjet t’i hap prokuroria, jo Kuvendi

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se me hapjen e dosjeve të SHIK-ut duhet të merret prokuroria, e jo Kuvendi.

“Pjesë e luftës kundër krimit te organizuar dhe zbardhjes së vrasjeve politike të pasluftës është hapja e dosjeve të SHIK-ut dhe hetimi i veprimtarisë së kësaj organizate kriminale përmes së cilës PDK-ja arriti ardhjen e saj në pushtet. Dhe për hapjen e këtyre dosjeve dhe hetimin e SHIK-ut duhet të vendos prokuroria e shtetit, e jo ndonjë institucion tjetër siç po tentohet gjoja nga Kuvendi, përmes komisioneve parlamentare të cilat vetëm sa do ta legjitimonin një organizatë kriminale siç është SHIK-u, për vet faktin se organizatë e nëntokës e tipit të CAMORA-s italiane nuk është formuar nga Kuvendi, por duhet të trajtohet dhe të hetohet vetëm si një organizatë kriminale”, ka thënë ai.

Mirëpo, Haziri është skeptik se prokuroria do të arrinte t’i hapte ato dosje.

“Në kohën kur po flasim, unë jam skeptik se një prokurori e shtetit e udhëhequr nga njerëz të emëruar dhe marrur peng nga politikan me dosje të trasha të veprimtarisë së tyre kriminale, që nga presidenti, kryeministri e kryekuvendari, ky i fundit ish-shef i SHIK-ut, do të mund të bëhet ndonjë jap para në hapjen e dosjeve të SHIK-ut dhe hetimin e veprimtarisë kriminale të kësaj organizate, që padyshim do t’i jepte përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me krimin e organizuar, vrasjet politike, trazirat e marsit të 2004, manipulimit të proceseve zgjedhore në Kosovë, etj”, potencoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat