Tendenca e rrezikshme e Thaçit për ta rikthyer në bisedime ndarjen e Kosovës

Politika

Tendenca e rrezikshme e Thaçit për ta rikthyer në bisedime ndarjen e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 korrik 2019 Në ora: 08:05
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kishte premtuar bashkim të Kosovës Lindore me Kosovën, ndërsa tani presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar Kuvendit të Kosovës një draft-rezolutë, për kërkesat e shqiptarëve në atë pjesë.

Në draft-rezolutë thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kësaj rezolute, obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

"Duke marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, që të ndihmojë në mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tyre dhe realizimin e kërkesave të tyre historike, në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit, bashkëngjitur me këtë shkresë Ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, Draft Rezolutën për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhet në shkresën përcjellëse të presidentit Thaçi dërguar kryeparlamentarit Veseli.

Selimi: Mashtrim i radhës nga Presidenti

Image
Rexhep Selimi

Por, këtë po e quan mashtrim të radhës, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, sipas të cilit rezoluta mund të quhet edhe e kontrabaduar, pasi sipas tij, në tavolinat e deputetëve ka ardhur në mënyrë të paligjshme, derisa ka thënë se adresa e vetme për shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetet Republika e Shqipërisë.

Sipas tij, mospërmendja e Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër inicimi i një rezolute për gjendjen atje, veç e dëshmon një gjë të tillë.

“Ne e kemi poashtu në dorë edhe një projekt-rezolutë të ardhur nga Thaçi, që më vjen keq ta them, por është mashtrim i radhës. Madje edhe kontrabandë mund ta quajmë sepse na ka ardhur në tavolinat e deputetëve. Një nga kolegët këtu po thotë pse po e përmend atë rezolutë, por siç e kam unë e ke edhe ti. Prandaj unë dua ta refuzoj një qasje të tillë dhe një keqpërdorim të radhës të çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ai.

Rugova: Qasja, deklarimet dhe veprimet sidomos viteve të fundit të presidentit të Kosovës, janë komplet antikushtetuese, bien ndesh me nenin 1 të kushtetutës

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se si organi më i lartë legjislativ është obligim që pas vizitës në Kosovën Lindore, të merren parasysh kërkesat e tyre dhe si LDK e mbështesin iniciativën e deputetëve të komisioneve, që shqiptarët në atë pjesë të trajtohen njësoj sikur trajtohen komunitete pakicë në Kosovë.

“Ne jemi organi më i lartë legjislativ i vendit dhe i kemi këto përgjegjësi që t’i trajtojmë në atë kornizën kushtetuese dhe rregulloren e Kuvendit që na lejohet si deputet. Pas një vizite të deputetëve tëtë gjitha subjekteve politike, nga komisioni për administratë publike dhe media dhe komisioni për arsim, shkencë, teknologji, rini e sport, pas vizitave në tri komunat e Kosovës Lindore, sepse po e quaj Kosovë Lindore jo rastësisht, kanë biseduar dhe me Këshillin Kombëtar të shqiptarëve atje dhe me përfaqësues të zgjedhur atje dhe i kanë ngritur shqetësimet, i kanë marrë deputetët ato shqetësime dhe me iniciativë të deputetëve të dy komisioneve ne si grup parlamentar i LDK-së e kemi mbështetur në plotëni. Rezoluta të tilla ka pasur dhe janë votuar edhe më parë, në vitin 2013. Unë dua të besoj fuqishëm që Qeveria e Republikës së Kosovës, sa shpenzon mjete duke i prekur edhe ato në rezervat shtetërore, nuk është asgjë që të investojmë në arsim, shëndetësi, pasi ato ishin problemet kryesore, pastaj ne duhet t’i trajtojmë ata njerëz në mënyrë reciproke dhe me standarde sipas konventave të drejtave dhe lirive të njeriut dhe atyre të komuniteteve. Asgjë më pak as më shumë, vetëm si trajtohen komunitetet pakicë në Kosovë, t’i trajtojmë edhe shqiptarët e asaj pjese”, është shprehur Rugova.

Sa i përket qasjes së presidentit ndaj kësaj çështje, ai vlerëson se deklarimet dhe veprimet e presidentit janë antikushtetuese, derisa shton se ngritja e zërit të deputetëve duhet të përcillet me vendime nga qeveria.

“Qasja, deklarimet dhe veprimet sidomos viteve të fundit të presidentit të Kosovës, janë komplet antikushtetuese, bien ndesh me nenin 1 të kushtetutës, i cili në mënyrë eksplicite thotë: Kosova është shtet i pavarur, nuk ka të drejtë as të bashkohet me asnjë shtet dhe as të ndahet, d.m.th, unë si nënshkrues i deklaratës së pavarësisë dhe që e kam votuar këtë kushtetutë, thjesht duhet të jemi të përgjegjshëm. Ne i kemi edhe orientimet bazë të LDK-së, të votuara në këshillin e përgjithshëm të LDK-së. Unë dua të besoj fuqishëm që kjo ngritje e zërit të neve si të zgjedhur të popullit në Kosovë, duhet të përcillet me veprime nga ekzekutivi i vendit”, ka vlerësuar deputeti i LDK-së.

Më tej, ai ka thënë se me rezolutën, ata obligojnë qeverinë për hapa të mëtejshëm, pasi për shqiptarët jashtë shtetit, mund të merret Shqipëria, pasi ia lejon Kushtetuta, teksa përmend dhe problemet që kanë studentët shqiptarë atje.

“Ne do ta miratojmë një rezolutë, do ta obligojmë qeverinë që të merr hapa tutje, por për shqiptarët jashtështetit shqiptar, Kushtetuta e Shqipërisë e lejon tani qëTirana zyrtare të merret me këto çështje, por kjo nuk e ndalon qeverinë e Kosovës dhe neve që njerëzve që edhe janë përndjekur dhe kanë probleme procedurale me dokumente etj, njerëz që janë diku rreth 20 mijë në Anamoravë, në Fushë Kosovë e gjetiu, thjesht ata njerëz t’i trajtojmë si duhet në aspektin institucional. Dhe kur i mbarojnë studentët e asaj pjese të trungut etnik studimet në tiranë, kanë probleme me nostrifikim, apo nuk ua nostrifikojnë fare diplomat e Kosovës, nuk i pranojnë fare në konkurse, etj. Prandaj janë mori çështjesh që parlamenti duhet të kërkojë dhe sipas meje duhet që shqiptarëve të asaj pjese të Kosovë lindore duhet t’iu respektohen të drejtat sikur që iu respektohen të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.

Millaku: Hashim Thaçi, vegël e Serbisë dhe fare nuk i intereson Lugina e Preshevës

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se sjellja e një draft-rezolute nga presidenti, derisa po miratohej nga deputetët, tregon se ai është vegël e Serbisë dhe nuk i intereson fare Lugina e Preshevës, por po punon për interesa të Serbisë.

“Sjellja e një draft-rezolute nga Presidenti pikërisht në seancën kut vetëm po miratohej rezoluta e deputetëve tregon më së miri se Hashim Thaçi është vegël e Serbisëdhe fare nuk i intereson Lugina e Preshevës, qëllimi i tij ishte që të minojë përpjekjet e Kuvendit për një zgjidhje dhe presioni ndaj Serbisëdhe ndërkombëtarëve. Sjellja e asaj draft-rezolute nga Hashimi tregoi edhe një herë pafytyrësinë e tij karshi shqiptarëve, jo vetëm të Luginës por në përgjithësi të shqiptarëve. Thaçi punon për interesa tëSerbisë këtu nuk ka dyshim.Por e mira e gjithë kësaj është se Thaçi veçështë deshifruar dhe askush nuk i beson”, ka deklaruar deputetja Millaku.

Nitaj: Propozim rezoluta e Presidentit do të mund të trajtohej në një mbledhje tjetër

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi me nismë të dy komisioneve e ka thirrur seancën për Kosovën Lindore, e që ndërkohë në seancë ka ardhur dhe draft-rezoluta e presidentit, por që nuk është futur në trajtim.

Image
Muharrem Nitaj

“Kuvendi, me nismën e dy komisioneve, e ka thirrur një seancë qëështë mbajtur të hënën dhe ka propozuar një projektrezolutë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. E di që grupet parlamentare e kanë harmonizuar tekstin e saj dhe ajo pritet të dalë në votim. Ndërkohë, ka mbërritur edhe një propozim rezolutë nga Presidenti, por me sa di unë, ajo nuk është futur për trajtim në seancën e thirrur nga Komisionet Parlamentare”, është shprehur ai.

Sipas Nitajt, draft-rezoluta e presidentit mund të trajtohet në një tjetër mbledhje dhe se AAK do të ketë qëndrim për këtë rezolutë kur të vendoset që ajo të trajtohet në Kuvend.

“Propozim rezoluta e Presidentit do të mund të trajtohej në një mbledhje tjetër, që mund tathërrasë ose GP i PDK-së ose presidenti vetë, natyrisht nëse e vlerësojnë. Ne mund të kemi qëndrim për këtë propozim rezolutë të Presidentit kur ajo të vendoset të trajtohet në Kuvend. Deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, ka vlerësuar deputeti Nitaj.

Lepaja: Thaçi po e kthen në tavolin ndryshimin e kufijve

Image
Fadil Lepaja

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, është shprehur se përmes kësaj draft-rezolute, Thaçi po mundohet ta sjell sërish në tavolinë idenë e ndryshimit të kufijve.

“Edhe kjo draft rezolutë është pjesë e përpjekjeve të Thaçit me vu sërish në tavolinë idenë e ndryshimit të kufijve, e cila si është parë tashmë, nuk zgjedh mjete për me i vu në dyshim kufijtë e ish njësive federale të ish Jugosllavisë, dhe për ndryshim të drejtimit të negociatave”, ka vlerësuar ai.

Lepaja thotë se lobimi ende nuk ka përfunduar për këtë dhe se edhe në administratën e Trump janë futur njerëz që duan të rrënojnë shtete në Ballkan, përfshirë Kosovën, derisa shton se çështja e Luginës është instrument që po përdoret për ta lëvizur përpara këtë proces.

“Ende nuk ka marrë fund lobimi, me mjete të buxhetit të Kosovës, për këtë ide, edhe pranë administratës së presidentit Trump, por as te disa vende evropiane që të rrënohen shtetet multietnike dhe të krijohen ato nacionale në Ballkan, që shkon për shtati interesave ruse, turke dhe disa vendeve evropiane, për Ballkanin. Korridoret pranë administratës Trump, janë mbushur lobistë, të cilët synojnë të rrënojnë disa shtete në Ballkan, si BeH, Kosova dhe Maqedonia dhe të formojnë një Ballkan tjetër, duke pretenduar se ka një marrëveshje shqiptaro serbe të fshehtë për këtë çështje. Çështja e Luginës është vetëm njëra nga instrumentet politike, që po (keq)përdoren për të lëvizur përpara këtë proces”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat