Këto janë dëmet që i shkaktoi Mogherini Kosovës: Më pak territor, më pak banorë, më pak shtet, më të izoluar

Politika

Këto janë dëmet që i shkaktoi Mogherini Kosovës: Më pak territor, më pak banorë, më pak shtet, më të izoluar

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 3 korrik 2019 Në ora: 13:57
Frederica Mogherini

Sa e sa herë është përsëritur ky mbiemër në mediat tona përgjatë viteve të fundit, më saktë që nga nëntori i vitit 2014. Ky është mbiemri i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë. Pra, mbiemri i zonjës 46 vjeçare nga Italia, Federikas.

Përgjatë këtyre viteve që shënjuan vetëm regres për Kosovën, si në raport me ndërkombëtarët ashtu edhe në raport me Serbinë, zonja Federika Mogherini ishte mishërimi i këtij mbrapakthimi të skëterrshëm.

Por, pikërisht një kohën kur ajo u emërua Përfaqësuese e Lartë, në Kosovë po prishej blloku i partive që mësynte ta vendoste PDK-në dhe Hashim Thaçin në opozitë. Dihet se presioni ndërkombëtar kishte rol vendimtar në këtë çështje. Kësisoj, vetëm një muaj pas ardhjes së saj në atë pozitë, qytetarët e Kosovës të zhgënjyer me koalicionin e ri qeveritar që e mbante Thaçin në pushtet, ikën nga vendi i tyre si prej ndonjë krijese të rrezikshme. Gati 100 mijë njerëz mendohej të kishin ikur nga dhjetori 2014 e deri në prill të vitit 2015.

Dhe, pikërisht në atë kohë, Mogherini nisi dialogun e saj me njerëzit e dashur, autokratin Aleksandër Vuçiq në Serbi dhe autokratin Hashim Thaçi në Kosovë.

Mogherini dukej shpesh çehrengrysur dhe apatike kur flitej për liberalizim vizash për vendin e vetëm të izoluar në Evropë. I dha Kosovës kritere shtesë për të përmbushur dhe edhe kur ato kritere u përmbushën, pa fijen e marres, na tha se nuk do të kishte heqje vizash. Na tha se nuk do të mund të lëviznim të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës.

Në ndërkohë, nuk ia mbylli gojën gënjyese liderëve të vendit që të gënjenin pafundësisht për të shenjtin liberalizim vizash. Thaçi gënjeu e gënjeu pa u lodhur. Haradinaj u detyrua t’i hante fjalët e veta dhe të miratonte demarkacionin me Malin e Zi, ani pse paraprakisht e kishte kundërshtar ashpër. Pse e bëri një gjë të tillë? Sepse Mogherini po ashtu na gënjeu, duke mos na bërë hesap si njerëz, se sapo të kalohej demarkacioni ne do të lëviznim të lirë.

Por jo, i falëm një pjesë të madhe toke vendit fqinj në ndërkohë që mbesim të izoluar.

Ajo e përmendi edhe një tjetër kriter, atë të luftimit të korrupsionit, ani që bënte dialog dhe ngulmonte që të bënte dialog, vetëm me një njeri të korruptuar nga Kosova [besoj, e dini për kënd e kam fjalën].

Mogherini e testoi durimin e një kombi të tërë pa pikën e mëshirës. Dialogun me Serbinë, ndërkohë, e dredhoi drejt ideve tepër të rrezikshme që mund ta linin vendin përjetësisht të çalë, në një të ardhme të tmerrshme. Me lejen e saj u diskutua fshehtas e haptas për ndarjen e Republikës së Kosovës, si të mos mjaftonin zullumet që ishin bërë mbi kurrizin tonë për vite me radhë.

Qytetarët e Kosovës, italianja, s’i bëri hesap si njerëz ndërsa shtetin e Kosovës s’e bëri hesap si shtet. E megjithatë, presidenti nuk ngurronte që ta përqafonte e puthte nëpër takime.

Se sa ia kemi parë sherrin kësaj zonje është e vështirë të merret me mend, por disa prej këtyre sherreve po i pësojmë edhe në përditshmërinë tonë. Kosova është më pak shtet prej ardhjes së saj. Ka më pak territor. Ka më pak banorë. Është në një kaos më të thellë të brendshëm politik. Është edhe më e izoluar. Gëzon respekt shumë më të vogël te faktori ndërkombëtar. Dhe e ardhmja i duket edhe më e trishtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat