Fontelles në vend të Mogherinit, spanjolli që kundërshton ndarjen e Kosovës: A do t`ia shuan idenë Thaçit dhe Vuçiqit?

Politika

Fontelles në vend të Mogherinit, spanjolli që kundërshton ndarjen e Kosovës: A do t`ia shuan idenë Thaçit dhe Vuçiqit?

Nga: G.B Më: 3 korrik 2019 Në ora: 18:31
Josep Borrell Fontes

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Joseph Borrell Fontelles, është pretenduesi për të qenë në vendin e Federica Mogherini.

Ai është nominuar nga Samiti i jashtëzakonshëm Evropian, në pozitën e përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme, që do ta zëvendësojë shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e cila ka drejtuar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Se sa mund të ndikojë zgjedhja e tij në vend të Mogherinit, për Kosovën, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Borrell është politikan me përvojë të jashtëzakonshme dhe që ka qenë kundër ndarjes së Katalonisë nga Spanja dhe nuk duhet nxituar që të cilësohet si kundërshtar apo mbështetës i askujt në Ballkan.

Image
Haki Abazi

“Josep Borrell është një politikan i rryer, me një përvojë të jashtëzakonshme. Përkundër faktit që ai është spanjoll dhe gjithashtu një ndër kundërshtuesit e mëdhenj të ndarjes së Katalonisë nga Spanja nuk duhet nxituar që ai të kualifikohet si kundërshtar apo mbështetës i askujt në Ballkan. Si një zyrtar i BE dhe nën udhëheqjen e një kryekomsionereje gjermane ai është si profesionist në vijën e prioriteteve dhe politikave të jashtme të BE-së”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, më problem se ai kanë qenë Ashton dhe Mohgerini, duke shtuar se puna e komisionerit për politikë të jashtme të BE-së është e rëndë dhe komplekse.

“Të qenit i rrethuar nga njerëz që ka qenë Cathy Ashton dhe Mogherini është shumë më problem se sa që do të jetë ai vetëm meqë me çështjet teknike nuk do të merret ai personalisht. Mendoj që puna e komsionierit për politikë të jashtë të BE është shumë rëndë dhe shumë komplekse sidomos tani kur Britania ka lëshuar BE-në, marrëveshja me Iranin për çështjen e e pasurimit të uraniumit është para një kolapsi, çështja e Sirisë, Libisë, Rusisë dhe Ukrainës dhe çështja e migrantëve dhe ndryshimeve klimatike përbëjnë një agjendë të ngjeshur për Sotin Borrelli”, ka vlerësuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Por, ai thotë se askush nuk mund të fajësohet që Kosova nuk ka kryer detyrat dhe ka rënë në provim në sistem të drejtësisë dhe qeverisje të mirë.

“Ajo që duhet patjetër të thuhet se askush nuk mund të fajësohet për moskryerjen e punëve të shtëpisë. Kosova ka rënë në provim në gjyqësi dhe sistem të drejtësisë dhe në qeverisje të mirë dhe transparente. Asnjë zyrtar evropian nuk mund të përcaktojë kurs të zhvillimit të Kosovës e as marrëdhënieve në rajon nëse ka agjendë të përcaktuar zhvillimore dhe reforma të thella në formën e qeverisjes. Vetëm kur i përfundojnë detyrat e shtëpisë atëherë mund të ngjisim kokën për të parë se çfarë në fakt po bëjnë të tjerët për ne”, është shprehur më tej ai.

Abazi ka thënë se arsyeja pse dialogu me Serbinë ka shkuar keq është mosrespektimi i Kushtetutës dhe kalkulimet e presidentit Thaçi për interesa personale.

“Në këtë kuadër besoj që çështja e dialogut me Serbinë nuk bën përjashtim, arsyeja pse ka shkuar keq deri tani është mosrespektimi i Kushtetutës dhe kalkulimet e presidentit Thaçi për interesat e tij personale para se të mendohet dhe artikulohen prioritet parimet dhe kufijtë negociues bazuar në konsensus të brendshëm në Kosovë”, ka përfunduar Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat