Klanet kriminale në PDK, AAK dhe Nisma, pengojnë liberalizimin e vizave

Politika

Klanet kriminale në PDK, AAK dhe Nisma, pengojnë liberalizimin e vizave

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 4 korrik 2019 Në ora: 08:03
Qeveria e Kosovës, foto ilustruese

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj në një takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kanë nënshkruar një letër të qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal.

Me anë të kësaj marrëveshje Kosova ka marrë përkrahjen franceze për lëvizje të lirë.

Kryeministri me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë. Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO”.

Por, kjo marrëveshje vështirë që mund të realizohet, këtu thonë ekspertët, të cilët për më tepër, shprehet të brengosur se Franca ka shtuar kërkesa të reja, përveç atyre të Bashkimit Evropianë.

Akt me rëndësi në rrugën e integrimit të Kosovës

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori, Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Ramush Hardinaj me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner. Ai beson se Franca kërkon më shumë garanci për të dhënë vendimin e saj për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe se kryeministri Haradinaj është i detyruar që detyruar t’i nënshtrohet kërkesave të Francës.

Image
Prod. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

“Nënshkrimi i marrëveshjes për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe migrimit me Republikën Franceze është një akt me rëndësi për rrugën e integrimit të Kosovës e dhe i ndihmon edhe shtetformimit dhe konsolidimit të institucioneve të vendit. Ndërsa aftësia për të implementuar një marrëveshje të tillë është diçka relative, e kushtëzuar, aftësi të cilat Haradinaj duhet t'i ketë marrë parasysh në momentin e nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Ndërkaq unë besoj se Franca kërkon më shumë garanci për të dhënë vendimin e saj për liberalizimin e vizave me Kosovën, me qëllim që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen. Duke punuar për këtë qëllim, kryeministri I Kosovës është i detyruar t’i nënshtrohet kërkesave të Francës. Nëse Gjermania dhe Franca shprehen pro liberalizimit të vizave, atëherë vendimi thuajse është I sigurt”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori paralajmëron se nëse qeveria nuk do të angazhohet për realizimin e kërkesave të nënshkruara në marrëveshje, mund të mos të ketë liberalizim të vizave.

“Por nëse qeveria e Haradinaj nuk angazhohet për realizimin e kërkesave të nënshkruara në marrëveshje, atëherë nuk do të ketë as liberalizim të vizave. Unë shoh këtu jo pak vështirësi. Administrata publike e Kosovës nuk është e aftë të implementojë dhe realizojë politikat e luftës kundër terrorizmit. Policia ka dëshmuar aftësi në menaxhimin e shumë situatave, por I ka duart e lidhura sa I përket luftës kundër krimit të organizuar ekonomik. Ndërkaq, drejtësia sidomos prokuroria, janë instrumente në duart e presidentit të Kosovës dhe as gjykata as prokurorët nuk veprojnë pa urdhrin politik të presidentit”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi: Klanet kriminale janë shtrirë në shumë segmente të politikës

Ai nuk beson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të pranonte një sukses të Haradinaj sa i përket me liberalizimin e vizave dhe se kryeministri mund të ketë të vështir të vepronte me sukses kundër klaneve kriminale të shtrira në shumë segmente të politikës .

“Nuk besoj se Hashim Thaçi do ta pranonte një sukses të tillë të Ramsh Haradinajt, lidhur me liberalizimin e vizave. Dyshoj shumë se ai jep mbështetjen e tij reale për këtë aksion politik të qeverisë. Ndërkaq klanet kriminale janë shtrirë në shumë segmente të politikës, sidomos asaj në pushtet. Përveçse klanit PRONTO, ka edhe eksponentë të AAK-së dhe Nismas të implikuar në vepra kriminale ekonomike. A është i aftë Ramush Haradinaj t’i ndëshkojë këto grupe të fuqishme politike. Edhe nëse nuk do t’i mungonte vullneti, do ta kishte të vështirë të vepronte me sukses. Është tjetër punë lufta kundër terrorizmit. Në këtë aspekt interesi nuk është vetëm evropian, por edhe amerikan. Ndërkaq, në çështjet e terrorizmit nuk besoj se ka implikime politike. Ndaj kjo luftë është me e lehtë, thjesht kërkon strategji të qartë dhe veprim aktiv, si dhe fonde të caktuara për këtë”, ka deklaruar profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Krasniqi: Letrat duhet të zbatohen në praktikë, duke arrestuar "peshq të mëdhenj”

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se kryeministri mund të nënshkruaj me qindra letra, por ato duhet të zbatohen në praktikë, duke arrestuar "peshq të mëdhenj" të krimit politik dhe ekonomik në Kosovë, ose në të kundërtën do të ngelemi të izoluar.

“Kryeministri Haradinaj mund të nënshkruaj me qindra letra, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal. Por, ato duhet të zbatohen në praktikë, duke arrestuar "peshq të mëdhenj" të krimit politik dhe ekonomik në Kosovë. Në të kundërtën do të ngelemi përjetësisht të izoluar. Krimi i organizuar dhe korrupsioni po e mban peng vendin dhe qytetaret e saj, por me terrorizëm dhe migrimin ilegal është e tepruar, sepse Kosova nuk është vatër e terrorizmit dhe emigrimi ilegal është në suazat minimale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Me këtë rast, Krasniqi i ka quajtur të tepruara kërkesat e vendosura nga Franca, dhe se i ka sugjeruar Haradinajt që të ketë kujdes me data për liberalizim të vizave.

“Kërkesa apo kushte të tepruara nga Franca. Sidoqoftë, të arrestohen "peshqit e mëdhenj" do të jetë sfidë, jo pse shteti s'mund t'i arrestojë, por ata gjinden në Qeveri, Kuvend dhe parti politike, dhe bashkë me ta bie edhe hallka e këtij sistemi mafioz i instaluar në Kosovën e pas luftës. Kryeministri duhet të ketë kujdes me data për liberalizim të vizave, sepse po bëhet qesharak duke uruar qytetaret për diçka që nuk po ndodh!”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

Berisha: Franca ka kërkuar kohë shtesë për liberalizimin e vizave

Ndërsa, politologu, Ejup Berisha, shprehet i brengosur se rreth asaj se këto tre kërkesa Franca i ka parashtruar  si kushte shtesë për dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës

“Mendoj se është mirë që  përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar, Republikës së Kosovës i kërkojnë angazhime të tilla siç janë lufta kundër  krimit të organizuar, terrorizmit dhe migrimit ilegal. kjo Republikës tonë ja njeh pozitën dhe ja jep peshën e  faktorit apo të një subjekti të  rëndësishëm shtetëror. Pra, me faktin që një faktor shumë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare  siç është Franca  por edhe në Bashkimin Europian, flet se ky shtet ka shprehur vullnetin që të  vendosë dialog serioz me Republikën e Kosovës. Ajo që më brengos pak është fakti se këto tre kërkesa Franca i ka parashtruar  si kushte shtesë për dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Është akoma edhe më pozitive që Kryeministri i Republikës së Kosovës gjatë vizitës së tij në Francë i është përgjigjur menjëherë  formalisht pozitivisht  kërkesave të Francës, të cilat njëherësh janë edhe kërkesa të Bashkimit Evropian, dhe që Kryeministri Haradinaj e ka nënshkruar letrën për mirëkuptim me të cilën e shpreh gatishmërinë që Qeveria e Republikës së Kosovës të angazhohet për përmbushjen e këtyre tre  kërkesave”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Ejup Berisha

Gjithashtu, ai ka shtuar se ky do të jetë edhe një test për Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Kjo do të jetë edhe një test për besueshmërinë e Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare,ndërsa gatishmëria e saj për ta luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal janë edhe një test tjetër kur të vijë koha që Republika e Kosovës të aplikojë për marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe siç janë aktivitetet e mëtejme rreth anëtarësimit siç janë marrja e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim e deri te anëtarësimi final i Republikës së Kosovës në gjirin e BE-së”, është shprehur Berisha për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka theksuar se këto dy kritere Republika e Kosovës do të duhet ti përmbushë për tu bërë edhe pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s dhe se qeveria  duhet t`i përmbushin të gjitha kushtet për ta arritur liberalizimin e vizave, por edhe për tu treguar faktor serioz në aktivitetet e mëvonshme për marrjen e ftesave për anëtarësim në strukturat.

“Pra duhet theksuar që dy kërkesat e para siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit do të jenë edhe dy nga kriteret që Republika e Kosovës do të duhet ti përmbushë për tu bërë edhe pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, pra atëherë kur të krijohen rrethanat më të volitshme për këto procese integruese. Tani sa se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë në përmbushjen e këtyre obligimeve kjo varet nga vullneti i Qeverisë dhe e dikasterëve që merren më seriozisht dhe më me vendosmëri me  luftimin e tre dukurive me të cilat është pajtuar Kryeministri para autoriteteve shtetërore në Francë se do të pengohen të njëjtat. Do të jetë jo vetëm se në interesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe në interes të qytetarëve të Republikës  që Kryeministri me anëtarët e tjerë të Qeverisë që ti përmbushin të gjitha kushtet për ta arritur liberalizimin e vizave por edhe për tu treguar faktor serioz dhe i besueshëm në aktivitetet e mëvonshme për marrjen e ftesave për anëtarësim në strukturat Euroatlantike në BE si dhe në NATO. Do të thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës është mirë që të punoj në interes të qytetarëve të saj sepse ajo duhet të  ekzistoj për ta”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Berisha: Sot nuk është për tu befasuar kur Qeveria gënjen

Gjithashtu, Berisha nuk beson që Qeveria do të mund të sillet me papërgjegjësi ngjashëm karshi këtij zotimi ndaj Francës.

“Unë jam i vetëdijshëm se  Qeveria nuk ka bërë dhe akoma nuk po bën asgjë në luftën kundër krimit të organizuar dhe pengimit të akteve dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme brenda në territorin e Kosovës gjë që tregon se me këto veprime dhe sjellje ajo ka qenë dhe është kundër interesave të qytetarëve të saj, por në rastin me zotimet ndaj Francës, Qeveria e Republikës së  Kosovës nuk besoj se do të mund të sillet me papërgjegjësi ngjashëm siç është sjellë dhe sillet me qytetarët e Republikës së Kosovës. Se a do t`i përmbushë kërkesat Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është mirë të predikoj, por të shpresojmë se përfundimisht qeveritarët e Kosovës të paktën njëherë do të punojnë në interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në të mirën e të ardhmes Euroatlantike të tyre”, ka potencuar Berisha për “Bota sot”.

Në fund, ai është shprehur i brengosur se Franca ka kërkesa shtesë  për Kosovën dhe se sa i përket deklaratave të mëparshme të kryeministrit për liberalizimin, ka thënë se nuk është hera e parë që gënjehet për këtë çështje, por edhe për çështjet e tjera.

“Ajo që më brengos mua si shqiptar është se pse Franca ka kërkesa shtesë vetëm se ndaj Republikës së Kosovës kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave është shumë e qartë se Kosova nuk është burim i terrorizmit, por as i migrimit të kundërligjshëm. Sa i përket çështjes se a ka gënjyer Kryeministri lidhur me përmendjen e datave se kur qytetarët e Kosovës saktë do të udhëtojnë pa viza në territorin e shteteve të BE-do të theksoj se  nuk është hera e parë që gënjehet jo vetëm për këtë çështje por ne kemi gënjeshtra edhe për shumë çështje tjera nga Qeveria. Sot nuk është për tu befasuar kur Qeveria gënjen, por do të duhej të befasoheshim kur ajo na e thotë të vërtetën sepse shumë rrallë e bën një gjë të tillë e njëjta”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat