Paralajmërohet një tërmet politik i shkallës së lartë!

Politika

Paralajmërohet një tërmet politik i shkallës së lartë!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 8 korrik 2019 Në ora: 10:15
Kuvendi i Kosovës, pas gjuajtjes së gazit lotësjellës

Kosova si gjithmonë po ballafaqohet me shumë probleme. Kjo qeveri si shumë qeveri paraprake nuk do të mbahen mend për ndonjë efikasitet të punës në dobi të qytetarëve.

Mijëra qytetarë për shkak të mospërgjegjësisë së kësaj qeverie, kanë lëshuar Kosovën për të marrë rrugën e padëshiruar, atë të mërgimit...

Të gjithë ata që migruan në këto vitet e fundit, shkuan në vendet evropiane për një jetë më të mirë, pasi që, shpresa për të jetuar në Kosovë ka përfunduar.

Edhe këta që janë në Kosovë, shumica prej tyre, përveç militantëve partiak të cilët janë të punësuar, po presin momentin për ta lëshuar Kosovën.

Në Kosovë aktualisht thuhet se janë nën 1 milionë banorë. Pra gjysma e qytetarëve të Kosovës tashmë gjenden në vendet evropiane.

Përveç kësaj, Kosova vuan në të gjitha aspektet e jetës. Vuan për një shëndetësi të mirë, për arsim e kulturë, për zhvillim ekonomik, për një jetë më të dinjitetshme.

Këto janë vetëm disa probleme me të cilat ballafaqohet secilën ditë qytetari i Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Mijëra qytetarë vuajnë edhe për bukën e gojës.

Por kush të jap përgjegjësi për gjithë këtë ngecje në Kosovën tonë tashmë 20 vite pas çlirimit?

Askush!

Po pra, askush. Sepse sistemin e drejtësisë e kanë instaluar në atë mënyrë saqë, prokurorët të cilët janë marrë me çështje të ndjeshme i kanë kërcënuar dhe detyruar ose të ndalojnë punën e tyre, ose të largohen nga Kosova.

Kjo është njëra ndër sfidat më të mëdha për Kosovën. Pra, sistemi i drejtësisë i instaluar nga këta politikanë nuk i shërben, nuk i ka shërbyer kurrë, por as nuk do t’i shërbej qytetarit.

Këta prokurorë e gjykatës, janë pozicionuar në pozitat e tyre të punës për të mbrojtur të fortët. Për të mbrojtur “komandantët”, për të mbrojtur politikën, individë të caktuar të cilët edhe po të kenë 100 mijë fakte kundër tyre, ata prapë do ta shpallin të pafajshëm.

Miliarda euro kanë hyrë në Kosovë, për të rritur sado pak zhvillimin ekonomik, mirëpo ato para nuk kanë shkuar në këtë drejtim. Ato kanë shkuar në kontot e politikanëve të cilët tashmë janë milionerë.

Këta politikanë, më mirë të themi politikanët që nga paslufta e deri më sot, kanë pasuri më shumë sesa të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke filluar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli e qindra deputetë të tjerë, të cilët politikën e kanë pasur për pasurinë e tyre, e jo për të zhvilluar sado pak gjendjen në Kosovën e pasluftës.

Pas gjithë kësaj, nuk janë edhe shumë fajtorë këta politikanë, fajtorët kryesor janë populli i Kosovës i cili në vazhdimësi në njërën anë janë varfëruar e në anën tjetër i kanë votuar partitë dhe njerëzit e njëjtë.

Është e pamundur që me këta njerëz të cilët që nga paslufta janë sill e pështillë në institucionet e Kosovës të ketë ndryshime për një jetë më të mirë.

Kjo është arsyeja edhe pse këta matrapazët e pushtetit në vazhdimësi nuk janë marrë me çështjen e qytetarëve për janë marrë ekskluzivisht për pasurimin e kuletës së tyre.

Këta me gënjeshtrat e tyre të paskrupulla me vite të tëra i shërbyen qytetarët. E qytetarët si besnik që janë, gjithmonë i besuan fjalët e njëjta.

Pas gjithë këtyre viteve, në Kosovë duhet të ndodhë një revolucion i cili do të shkatërronte krimin e korrupsionin, do të shkatërronte edhe pushtetarët të cilët kanë lidhje me krimin. Do të burgoste të gjithë ata politikanë që kanë bërë milionat në mënyrë të kundërligjshme. Do fillonte burgosjet prej presidentin e me rend nëse gjejnë dyshime për keqpërdorime.

Se do të ndodh një termet politik ka paralajmëruar edhe opinionisti dhe analisti politik Dardan Islami.

“Një termet politik i shkallës se tetë, do ta godas së shpejti Kosovën!”, ka shkruar Islami në rrjetin social Facebook.

Pra, mbesim me shpresë se një tërmet i tillë do të shkatërronte krimin dhe do të kthente shpresën  e humbur ndër vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat