Haradinaj i padëshiruar nga amerikanët?

Politika

Haradinaj i padëshiruar nga amerikanët?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 korrik 2019 Në ora: 08:54
Ramush Haradinaj

Fakti që Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk ishte ditë më parë në mesin e personaliteteve që prenë shiritin në përurimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, na bën me dije se Haradinaj ka humbur kaherë respektin e vendeve mike të Kosovës, ku në një farë forme, ky veprim mund të jetë edhe një "ndëshkim” ndaj tij.

Vuniqi: Përqendrimi 100% i Haradinajt në tarifën si mjet politik, është përfitues për shumë kompani të përafërta me AAK

Njohësi i çështjeve politike Agim Vuniqi, ka thënë për “ Bota sot” se prioritetet e SHBA-së në Kosovë janë të përqendruara në forcimin e sundimit të ligjit, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e sigurisë rajonale.

Image
Agim Vuniqi

Sipas tij, sa ka mundur qeveria e Kosovës të përcjell ritmin e politikës së jashtme të SHBA, dhe a është në dakordancë me interesat amerikane, kjo mbetet të shihet megjithatë kjo po vërehet me zbehjen e raporteve institucionale në mes të dy vendeve, edhe pse siç dihet SHBA është partneri kryesor i Kosovës i mbështetjes ndërkombëtare, por edhe i shtet ndërtimit.

“Insistimi i vazhdueshëm dhe kokëfortë në tarifën doganore të 100% pa dhënë shpjegime të mjaftueshme për arsyet e zgjatjes së saj, ekonomikisht të pajustifikueshme, ka rritur drojën e rritjes së korrupsionit në nivel endemik, duke rrezikuar kështu edhe sigurinë në zonat kufitare, të kontrolluara nga KFOR-i. Pra nga kjo kuptojmë se ekzistojnë mendime të ndryshme lidhur me atë se tarifa e ka forcuar vërtetë pozitat negociuse kundrejt Serbisë, apo vetëm ka dobësuar ato me partnerët ndërkombëtarë. Ky mendim është shumë provizor, sepse realiteti është ndryshe, ngase qeveria, respektivisht kryeministri Haradinaj me këmbëngulësinë në ngritjen e tarifës doganore është përpjekur të heqë nga rendi i ditës bisedimet, duke bërë përpjekje që kryeministri të përforcojë pozitat e brendshme të partisë AAK-së, në krahasim me të tjerët”, ka thënë Vuniqi.

Sipas tij, AAK është duke shfrytëzuar edhe disponimin e qytetarëve të Kosovës, pro tarifës, që më tepër është e lidhur me logjikën kolektive kundërshtuese ndaj Serbisë se sa efekteve ekonomike dhe politike.

“Mendoj nga përqendrimi 100% i Haradinajt në tarifën si mjet politik, është edhe përfitues, për shumë kompani të përafërta me AAK, duke krijuar kështu raporte tjera në tregun e Kosovës, i cili është i mbështetur vetëm nga importi dhe remitencat e diasporës. A është banalizuar aq shumë refreni i njohjes nga Serbia si kusht për heqjen e tarifës, apo jo, dhe sa ka ndikim në raportet e Kosovës me botën përgjithësisht dhe SHBA veçanërisht, ka krijuar të çarat e para në mes të partnerëve gjeostrategjik, SHBA-ve në njërën anë dhe Gjermanisë dhe Francës në anën tjetër si partner të rëndësishëm të BE-së, ku edhe aludon inkuadrimin Kosova”, ka thënë Vuniqi.

Ai konsideron marrëdhëniet politike në botë, kanë ndryshuar dukshëm dhe në disfavor të Kosovës.

“Ato nuk rregullohen duke vënë barriera tarifore, pa shpjegime adekuate, bile së paku është dashur të përcillet ligjërisht, duke aktivizuar debatin në kuvend dhe duke i dhënë formën ligjore. Prandaj, duhet të jepet përgjigja në pyetjen, athua si do të funksiononte bota me huqet politike të liderëve? Se cilat janë raportet SHBA-Kosovë, përcjellësi i vëmendshëm i ngjarjeve ka arritur të kuptojë nga vizita private e kryeministrit të Kosovës në Detroit, e cila u realizua jashtë vëmendjes së publikut. Të thuhet se vizita ka pasur karakter më tepër privat sesa zyrtar, është e pa justifikueshme, sepse çdo vizitë e zyrtarëve politikë jashtë vendit ka karakter zyrtar”, ka thënë Vuniqi.

Ai tutje ka shtuar se vizita e Haradinajt ka qenë e arsyetuar me pjesëmarrjen në një manifestim kulturor në Kishën e Shën Palit në Michigan.

“Vizita nuk ishte e karakterit zyrtar, por më tepër ishte promovuese, meqenëse kryeministri nuk zhvilloi asnjë kontakt zyrtar me zyrtarët e vendit, as të nivelit lokal, nuk patë ndonjë takim të rëndësishëm edhe për ekonominë e vendit. Ky për mua ishte një sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar nivelin dhe zbehjen e raporteve me SHBA”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Agim Vuniqi.

Burjani: Kjo qeveri e ka humbur kaherë besimin si vendor, ashtu edhe ndërkombëtar

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se kryeministri Haradinaj dhe kjo qeveri, kaherë e ka humbur besimin si vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

Sipas tij, arsyet e humbjes së besimit dihen pasi ky kryeministër ai shkeli disa herë kushtetutën dhe posa lënda shkonte ne Gjykatë Kushtetuese ky tërhiqej prej vendimeve që i bëjnë se edhe Gjykata Kushtetuese është përgjegjëse se përse ka ndaluar lëndët në gjysmë dhe nuk i ka proceduar.

“Kjo i bien se kjo Gjykatë bën marrëveshje me politikë, e kjo ka ndodhë në rastin e faljes së borxheve pa ligj, për kompanitë e ujërave, rritja e pagave në konflikt interesi, dhe shumë e shumë skandale tjera. Po sikur edhe shumë fjalor të papërgjegjshëm për rinin e shteti, siç kishte thënë në Prizren: Se nëse gjejnë më mirë le të shkojnë ka të dojë” . Dhe për çudi askush nuk reagoi në opinion publik, nga qytetarët nga një deklaratë e tillë”, ka thënë Blerim Burjani.

Sipas tij, këtij kryeministrit iu ndalua viza për SHBA, përderisa para taksës ky kryeministër nuk ishte i dëshiruar nga BE, sikurse edhe sot BE-ja nuk e do këtë kryeministër.

“Gjermania e kishte thirrur për t`i tërhequr vërejtjen për taksën, por ky njeri minoi plot procese të rëndësishme të shtetit, madje edhe injoroi qytetarët dhe iu tha se do të ketë liberalizim të shpejtë të vizave. Pra këtij kryeministri i ka humbur kredibiliteti kaherë dhe PDK-ja është përgjegjësja kryesore se përse e mban këtë njeri kryeministër. Po, këta si PAN në fund të fundit janë një dhe nuk dallojnë fare nga njëri– tjetri”, është shprehur njohësin i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Kadriu: Haradinaj ka humbur kredibilitetin fillimisht në popull

Image
Kushtrim Kadriu

Kurse, njohësi i çështjeve politike Kushtrim Kadriu, ka thënë se kryeministri Haradinaj ka humbur kredibilitetin fillimisht në popull, e pastaj edhe tek faktori ndërkombëtare.

“Një njeri i cili në ceremoni fillon të vrapojë sikur të ndjektë ndonjë ari në mal, e merr guximin e fillon të këndojë vend e pa vend s’ka çka pritet. Këtij njeriu duhet dikush treguar që është ‘out’ me sjelljet e një burrështetasi dhe mbi të gjitha është i pa denjë në qeveri me këtë shtet. Ceremonitë e Ambasadave të shteteve serioze si ai i SHBA-së, kanë rend e rregull, për atë edhe mendoj që kryeministri Haradinaj u la në këmbë, sepse nuk është personalitet serioz”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Kushtrim Kadriu.

Krasniqi: Nderin më të madh që mund ta bëjnë Bashkësia Ndërkombëtare për ne, është izolimi i kësaj klase politike mafioze

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se nderin më të madh që mund ta bëjnë Bashkësia Ndërkombëtare, është izolimi i kësaj klase politike mafioze.

“Por ata kanë vendosur që popullin ta mbajnë të izoluar”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat