Posti i kryeministrit “mollë sherri” për LDK-në dhe VV-në

Politika

Posti i kryeministrit “mollë sherri” për LDK-në dhe VV-në

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 korrik 2019 Në ora: 20:00
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Këto janë spekulime mediale, nuk është diskutuar asnjëherë kjo temë në forumet e partisë, vlerësoj se si partia më e madhe kryeministri duhet dhe do të jetë nga LDK-ja”, është shprehur Naser Rugova i LDK-së.

U raportua se lideri i LDK-së, Isa Mustafa e ka ndërmend t’i harrojë të gjitha sulmet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe që Albin Kurtit t’ia falë postin e kryeministrit, madje, u shkua aq larg, sa që kjo parti u tha se po synon ta marr postin e presidentit.

Mirëpo, një gjë e tillë nga Lidhja Demokratike e Kosovës u demantua menjëherë. Ata bëjnë me dije se partia e tyre nuk heq dorë nga kryeministri edhe në rast të koalicioneve parazgjedhore.

Nga partia e Isa Mustafës për gazetën “Bota sot”, kanë deklaruar se raportimet e fundit janë vetëm spekulime, pasi sipas tyre një gjë e tillë edhe me tej nuk është diskutuar në forumet e partisë. Për këtë parti kryeministri duhet dhe do të jetë nga partia e tyre.

Ndërsa, nga partia e Albin Kurtit, përkundër tentimeve të shumta nga gazeta “Bota sot”, ata nuk kanë dashur të flasin për një temë të tillë. Përderisa, kanë konfirmuar se një gjë e tillë nuk është diskutuar as në partinë e tyre.

Nga ana tjetër, njohësit e kësaj fushe, vlerësojnë se për të rrezuar koalicionin PAN, duhet që gjithsecili të sakrifikojë diçka nga vetja.

Rugova: Kryeministri duhet dhe do të jetë nga LDK-ja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se raportimet e fundit se LDK ka hequr dorë nga kryeministri janë vetëm spekulime mediale, pasi ai konfirmon se një gjë e tillë nuk është diskutuar asnjëherë kjo temë në forumet e partisë.

Rugova potencon se kryeministri duhet dhe do të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Image
Naser Rugova

“Këto janë spekulime mediale, nuk është diskutuar asnjëherë kjo temë në forumet e partisë, vlerësoj se si partia më e madhe kryeministri duhet dhe do të jetë nga LDK-ja”, është shprehur Rugova i LDK-së.

Mes tjerash deputeti i opozitës ka theksuar se pritjet e qytetarëve janë se partia e tij duhet t’i të marr përgjegjësitë kushtetuese dhe të fillojë t’i heqë nga rendi i ditës të gjitha temat që aktualisht ky koalicion qeverisës nuk ka kapacitete t’i përmbyllë.

“Kështu janë edhe pritjet e qytetarëve në mënyrë që kryeministri nga LDK-ja të marr përgjegjësitë kushtetuese dhe të fillojë t’i heqë nga rendi i ditës të gjitha temat që aktualisht ky koalicion qeverisës nuk ka kapacitete t’i përmbyllë dhe të fillojë etapë e re e qeverisjes normale që kthen shpresën dhe hape perspektivë të re për vendin tonë”, ka përfunduar deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Gjithsecili të sakrifikojë diçka nga vetja

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se për ta rrëzuar PAN-in duhet që gjithsecili të sakrifikojë diçka nga vetja.

Madje, analisti politik konsideron se nëse partia e Mustafës heq dorë nga posti i kryeministrit për ta rrëzuar këtë qeveri nga pushteti, kjo duhet përshëndetur.

Image
Faton Mehmeti

“Për të rrezuar këtë të keqe që e ka kapluar vendin, duhet që gjithsecili të sakrifikojë diçka nga vetja. Nëse LDK heq dorë nga posti i kryeministrit për ta rrëzuar këtë qeveri nga pushteti, kjo duhet përshëndetur”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, një gatishmëri e tillë e LDK-së hap rrugë që e keqja të largohet përfundimisht.

“Kjo tregon kurajo dhe gatishmëri për t'i hap rrugë që e keqja të largohet, me shpresën se ditë të mira do të vijnë për vendin”, tha mes të tjerave ai.

Ai gjithashtu shprehet se nëse ndodhë në realitet një koalicion i tillë mes këtyre partive, atëherë fitorja është e garantuar.

“Nëse bëhet bashkë një koalicion LDK-VV me këtë të dytën për kryeministër atëherë fitorja është e garantuar. Kjo do të jepte pikë shumë LDK-së si parti që nuk vrapon pas posteve por shikon në rend të parë interesin e qytetarëve dhe Kosovës”, ka përfunduar analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Të sigurohen votat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Edhe politologu Faik Krasniqi është në një linjë me analistin Faton Mehmeti.

Krasniqi për gazetën “Bota sot”, ka thënë se një koalicion pas zgjedhor mes LDK-së dhe VV-së, do të ishte varianti më i mirë për të dal nga kjo gjendje e mjerueshme.

Image
Faik Krasniqi

“Së pari duhet të sigurohen votat për rrëzimin e Qeverisë. Pas zgjedhjeve ajo parti që del e para, ka të drejtën edhe formimin e Qeverisë. Një koalicion LDK-VV, pas zgjedhjeve, do të ishte varianti më i mirë për të dal nga kjo gjendje e mjerueshme që e ka kapluar vendin tonë”, ka thënë politologu.

Ai konsideron se parti e Mustafës do të dëmtohej nëse bënë përsëri koalicion me partinë e Veselit, madje, potencon se një gjë e tillë do ishte edhe goditje e madhe për Kosovën, por edhe për vet LDK-në.

“LDK do të dëmtohej nëse bënë përsëri koalicion me PDK-në, por jo edhe me VV-në. Nëse ndodhë që LDK bënë prapë koalicion me PDK-në, atëherë ky vend do të fundoset përfundimisht. Do të ishte goditje e madhe për Kosovën, por edhe vet për LDK-në”, konsideron Krasniqi.

Ndërsa, në fund, ka theksuar se posti i kryeministrit nuk guxon të jetë mollë sherri mes LDK-së dhe VV-së.

“Prandaj, posti i kryeministrit nuk guxon të jetë mollë sherri mes LDK-së dhe VV-së për një koalicion qeverisës mes këtyre dy partive, sepse këto dy parti janë shpresa e vetme e qytetarëve të Kosovës. Nëse do pyetesha unë, në këtë koalicion Albin Kurti do të duhej të ishte kryeministër”, ka përfunduar Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat