Opozita po ia zgjatë jetën PANhajnisë, pa koordinim për ngritjen e mocionit

Politika

Opozita po ia zgjatë jetën PANhajnisë, pa koordinim për ngritjen e mocionit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 11 korrik 2019 Në ora: 21:23
Albin Kurti, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Ditëve të fundit janë duke u dhënë ide të ndryshme për dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ka kaluar një kohë mjaft e gjatë, që kur opozita ka paralajmëruar ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë së koalicionit PANA të drejtuar nga kryeministrit Ramush Haradinajt. Madje i ka mbledhur edhe nënshkrimet për dorëzimin e mocionit, por që hapi i dorëzimit nuk është ndërmarr ende. Përfaqësues të partive opozitare për gazetën “Bota sot”, kanë treguar rreth koordinimit të tyre të përbashkët sa i përket dorëzimit të mocionit.

Topalli: PSD luan rol kyç në rrëzimin e qeverisë

Image
Faton Topalli

Deputeti nga radhët e PSD-së, Faton Topalli, konsideron se dy partitë tjera opozitare si LDK-ja dhe Vetëvendosje, pa PSD-në, nuk do të mund ta rrëzojnë qeverinë, shkruan “Bota sot”.

Ai është i mendimit se, çdo tendencë e tyre për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj pa bashkëpunim me Partinë Sociale Demokrate, do të jetë veçse një tendencë për fushatë elektorale pa ndonjë efekt konkret kundër qeverisë PAN.

“Partia Socialdemokrate është shprehur qysh në vitin e kaluar për rrëzimin e qeverisë duke konsideruar që ky vend meriton një qeverisje më të mirë. Nuk janë vetëm skandalet e njëpasnjëshme ato që të shtyjnë në këtë vendim por edhe mungesa e hapave përpara që e kanë vështirësuar dukshëm jetën e qytetarëve. PSD luan rol kyç në rrëzimin e qeverisë dhe çfarëdo hapi drejt rrëzimit të qeverisë pa marrëveshje me PSD mbetët asgjë më shumë se fushatë paraelektorale”, tha ai.

Topalli, theksoi se PSD-ja duhet të jetë pjesë e strategjisë dhe partnere për rrëzimin e qeverisë.

“Uroj që partitë opozitare të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake dhe të shohin mbi to, të planifikojnë së bashku veprimet opozitare dhe të merren vesh më parë se çfarë do të jetë qeverisja e ardhshme se sa të merren me ndarjen e pushtetit kush president e kush kryeministër”, tha ai.

Për Topallin, ndërrimi i pushtetit nuk do të sillte asgjë të re, nëse nuk ndryshohet mendësia politike.

“Ndërrimi i pushtetit nuk do të sillte asgjë të re nëse ne të gjithë së bashku nuk do të arrijmë ta ndryshojmë mendësinë politike. E kjo kërkon partner, planifikim, ndershmëri dhe vullnet të mirëfilltë politikë për ndryshime”, tha ai.

Bunjaku-Rexhepi: Posa të ketë numrat e mjaftueshëm do të paraqesim në kuvend

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se LDK-ja ka deponuar nënshkrimet si opozitë për rrëzimin e qeverisë.

“Posa të ketë numrat e mjaftueshëm do të paraqesim në kuvend. Mocioni nuk po zhagitet për asnjë arsye tjetër, përpos asaj të kompletimit të 61 deputetëve së paku. Ju e dini që LDK-ja dhe VV-ja si opozitë janë të gatshëm dhe ndoshta do të ketë edhe ndonjë deputet të partive, në pozitë që do ta përkrahin sepse është interes nacional dhe kombëtar. Është shumë e nevojshme për vendin dhe mendoj se do të ishte veprim i drejtë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Nëntori shpresoj të na gjejë me qeveri të re dhe të qytetarëve e jo të pushtetit dhe interesave grupore”, ka thënë deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Zgjedhjet e brendshme në LDK po e pengojnë ngritjen e mocionit

Image
Avni Zogiani

Nga ana tjetër, Avni Zogiani, zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Bota sot”, ka thënë se votat në Parlament janë vetëm mekanizmi me të cilin rrëzohet qeveria, por janë faktorët që nuk shihen ata që vërtet përcaktojnë nëse një qeveri do të qëndrojë.

“Aktualisht mendoj se shumica e këtyre faktorëve janë thjesht në njëfarë pazari intenziv për të siguruar ndikim në këtë proces. Vetëvendosje ka bërë ftesë që moti për një mocion mosbesimi dhe dukej se për këtë ekzistonte vullneti. Madje edhe janë vënë nënshkrimet në një kërkesë të tillë. Mirëpo, që prej disa zhvillimeve në procesin zgjedhor në LDK, duket të kemi një stepje në realizimin e një mocioni të tillë”, tha ai.

“LDK-ja është duke i zhvilluar zgjedhjet e brendshme. Procesi zgjedhor në këtë parti nuk është duke shkuar mirë. Po ka përplasje dhe rrahje në shumë degë dhe nëndegë. Lufta e brendshme për kreun e partisë, mund ta dëmtojë dhe gjatë zgjedhjeve. Konsideroj që Vetëvendosje është pro rrëzimit të qeverisë, por edhe LDK-ja për shkak të këtyre problemeve që i ceka. Prandaj nuk besoj që do të ketë mocion për rrëzimin e qeverisë në këtë periudhë. Jo të paktën edhe disa muaj”, tha ai.

Gecaj: Ne nuk do të nxjerrim mocionin dhe pastaj të dështojmë

Image
Bajram Gecaj

Edhe Bajram Gecaj, ish-zëvendësministër nga radhët e LDK-së në qeverinë e kaluar, për “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja, është e vetmja parti serioze e cila preokupohet për të rrëzuar qeverinë Haradinaj një herë e më parë.

“Unë besoj se e vetmja parti serioze për rrëzimin e qeverisë është LDK-ja”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky veprim duhet të jetë i matshëm që të ketë efektin e saj.

“Ne nuk do të nxjerrim mocionin dhe pastaj të dështojmë. Duhet të jemi të sigurt se i kemi votat për rrëzimin e qeverisë ... nuk është rrëzimi i qeverisë punë lotarie, por veprim mirë kalkuluar politik. Na nevojitet seriozitet i njëjtë nga partitë tjera opozitare, si dhe nga deputet të tjerë të koalicionit qeverisës. Nuk mund të ecim para me retorikë dhe fjalë të çarshisë, por duhet të shohim angazhim dhe vendosmëri serioze nga partnerët tjerë”, tha ai.

Gecaj, shtoi se kjo qeveri është dashur të përmbyset dje, dhe çdo moment që rri më shumë në qeverisje është një hap prapa për vendin dhe qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat