Vrasësit e zyrtarëve të LDK-së dhe të gazetarëve, në piramidën e sotme të shtetit të Kosovës - Bota Sot
Vrasësit e zyrtarëve të LDK-së dhe të gazetarëve, në piramidën e sotme të shtetit të Kosovës

Politika

Vrasësit e zyrtarëve të LDK-së dhe të gazetarëve, në piramidën e sotme të shtetit të Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 korrik 2019 Në ora: 08:01
Disa nga viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Periudha e viteve të para të pasluftës ishte mjaftë e rëndë për Kosovën. Në kohën kur u mendua se lufta kishte mbaruar dhe vendi ishte çliruar nga regjimi serb i kriminelit Sllobodan Millosheviq, nisën vrasjet me motive politike të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përkrahësve të Presidentit Ibrahim Rugova. Deri më sot, këto vrasje ka dështuar t`i zbardhë drejtësia vendore e po ashtu edhe ajo ndërkombëtare që ishte instaluar në Kosovë, si UNMIK-u dhe EULEX-i. Për këtë arsye, Gjykata Speciale po vazhdon të jetë i vetmja shpresë për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Familje të shumta presin që vrasjet e familjarëve të tyre të zbardhen. Vrasjet të shumta politike janë ende enigmë, duke mos u zbuluar se nga kush janë kryer. E në këtë bëjnë pjesë edhe veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilët vazhdon të mbetet mister se kush i ka vrarë.

Lidhur me këto vrasje, zbardhjen e tyre, atë që ka bërë drejtësia dhe se sa mund të shpresohet në Gjykatën Speciale për zbardhjen e tyre, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qytetarët e Kosovës duhet të mbajnë shpresa në Gjykatën Speciale që do të japë drejtësi, duke shtuar se në Kosovë, Shqipëri e rajon ka kriminelë politikë që qeverisin me vendin.

“Qytetarët e Kosovës kanë arsye të mbajnë shpresë se Gjykata Speciale e ngritur në Hagë do të japë drejtësi për vrasjet politike gjatë e pas luftës në Kosovë. Por ata nuk duhet të jenë euforikë. Në Kosovë, në Shqipëri e në rajon ka jo pak kriminelë politikë që qeverisin vendet tona dhe bota i njeh këta politikanë. Por këta janë ata të shantazhueshmit, që realizojnë objektivat e atyre që nuk e duan Kosovën. P.sh, po të mos ishte i shantazhueshëm Hashim Thaçi zor se do të kishte shkuar deri te shitja e territorit të Kosovës shtetit armik të saj, Serbisë! Po ashtu Edi Rama. Por ka edhe të tjerë në të gjithë krahët e politikës, të cilët ose duhet të kryejnë detyrat antikombëtare, ose u tregohet dera e burgut, sepse janë përfshirë në vrasje ose korrupsion, pra në vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve”, është shprehur ai.

Bytyçi: Vrasësit e kundërshtarëve politikë, të gazetarëve etj, janë sot në piramidën e shtetit të Kosovës

Bytyçi beson se do të vijë dita kur kriminelët do të japin llogari në Gjykatën Speciale, pasi është detyrë e saj që t’i shkojë deri në fund procesit që ka nisur, që të bëjë goditjen te ideatorët dhe regjisorët e vëllavrasjes që ndodhi në Kosovë gjatë e pas luftës.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

“Megjithatë unë besoj se do të vijë dita kur një pjesë e këtyre kriminelëve do të japin llogari në Gjykatën e Hagës ose në ndonjë gjykatë tjetër. Vrasësit e kundërshtarëve politikë, të gazetarëve etj, janë sot në piramidën e shtetit të Kosovës. Shihni çfarë na ofrohet në librin e monografisë për Tahir Zemajn. Ai është shantazhuar hapur, duke i thënë se do të luftohej më shumë se shkau, pra se Serbia. Imagjino përfaqësuesin politik të UÇK-së, sot president i Kosovës, të udhëheqë luftën me ideologjinë e vëllavrasjes! Çfarë kanë menduar e si kanë vepruar vartësit e ushtarët e tij?! Kush mundet të shprehet si Hashim Thaçi i hakërrehej Tahir Zemës? Vetëm ai që ka fuqi e mbështetje te kriminelët. Prandaj është detyrë e Gjykatës Speciale t’i shkojë deri në fund punës që ka nisur. Diçka ka nis të lëviz në këtë drejtim. Disa janë intervistuar. Por, këta janë peshq të vegjël. Goditja duhet të shkojë te ideatorët dhe regjisorët e vëllavrasjes që ndodhi në Kosovë gjatë e pas luftës. Vrasjet politike janë shprehje e luftës për pushtet. Disa udhëheqës në UÇK nuk luftuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia, por për të marrë merita, dekorata, lavdi, pushtet e pasuri. Ne nuk e kemi harruar se si kjo kategori bashibozukësh thoshin se ‘Më mirë Serbia në Kosovë, sesa pavarësinë e saj ta shpallë Ibrahim Rugova’”, ka vlerësuar profesori.

Sipas tij, tani pushteti është uzurpuar nga disa që kanë projektuar likuidimet politike, por që lavdia i takon presidentit Rugova, duke shtuar se shpresat janë tek Specialja edhe pse zbulimin e krimeve do të mund ta bënte edhe ndonjë gjykatë vendore.

“Kush beson tash se lideri historik i Kosovës nuk u likuidua pikërisht që dikush të kapte ‘lavdinë’, pushtetin e përmes pushtetit të pasurohet e të bëhet sheik i Kosovës?! Natyrisht se lavdia i takon Rugovës. Por pushteti është uzurpuar nga disa që kanë projektuar vrasjet e likuidimet politike. Zbulimin e këtyre krimeve duhet ta bëjë gjykata speciale. Mund ta bënte dhe një prokurori e një gjykatë vërtet e pavarur në Kosovë. Por shpresat janë te specialja. Besoj se zhvillimet në Kosovë e në rajon do ta favorizojnë shpejt fillimin e goditjeve për këto vrasje. Por ka arsye që të dëmtuarit të veprojnë të organizuar. Ata mund të krijojnë një shoqatë, të kërkojnë fonde e të mbledhin prova, fakte, të dhëna, të cilat nuk do të mund t’i injoronte asnjë gjykatë”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se lufta për ndriçimin e këtyre vrasjeve dhe ndëshkimin e fajtorëve është mision i familjeve të dëmtuara por edhe gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të mbesin në duart e politikanëve.

“Nuk duhet të ketë indiferencë. Lufta për ndriçimin e këtyre vrasjeve dhe ndëshkimin e dënimin e fajtorëve është mision i familjeve të dëmtuara. Por është njëkohësisht mision i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ata nuk duhet të lejojnë qe partitë politike të spekulojnë me këto vrasje. Nuk duhet t’i lënë proceset në duart e politikanëve, qofshin këta dhe të Lidhjes Demokratike. LDK ka qenë në pushtet, ka qeveris bashkë me vrasësit, nuk ka vepruar, sepse më shumë i intereson pushteti”, ka deklaruar profesori Bytyçi.

Haki Abazi tregon se cilat banda urdhëruan vrasjet politike

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se  vrasjet janë bërë nga një grup i caktuar i lidhur me grupet ilegale që kanë vepruar në Perëndim dhe këta njerëz janë akuzuar vazhdimisht se kanë qenë të involvuar në procesin e marrjes së pushtetit me çdo kusht.

“Uniteti qytetar për liri, pavarësi dhe shtet ndërtim është prishur nga gjuha e urrejtjes, ndasitë dhe çfarë po duket edhe vrasjet që janë bërë nga një grup i caktuar kryesisht i lidhur me grupet ilegale që kanë vepruar në Perëndim. Këta njerëz janë të akuzuar në vazhdimësi që kanë qenë të involvuar në procesin e marrjes së pushtetit me çdo kusht. Vrasja e Ministrit të mbrojtjes Ahmet Krasniqi por edhe apostrofimet e eliminimeve dhe vrasjeve qëjanë bërë në perëndim të veprimtarëve të shquar, madje vrasja e njerëzve të afërt me Ibrahim Rugovën të LDK, vrasja e gazetarëve që kanë shkruar kundër këtyre grupeve që kishin krijuar edhe banda të armatosura e që më vonë si duket u transformuan në parti politike të PDK-së dhe natyrisht shërbimi i tyre sekret i SHIK-ut, të cilët në vazhdimësi kanë përdorur shantazhet, kërcënimet dhe sipas akuzave të vet atyre që kanë shërbyer në të kaluarën ka urdhëruar edhe vrasjet e këtyre veprimtarëve”, është shprehur ai.

Abazi thekson se vrasjet dhe kërcënimet nuk janë zbuluar si rezultat i kapjes së drejtësisë, duke filluar me UNMIK-un i cili ka mbledhur dëshmi dhe në fund janë djegur, e më pas EULEX që më shumë ka qenë mekanizëm i mbulimit të krimit se sa zbulimin e tyre.

“Mendoj që komunikata nr. 59 e cila është lëshuar atë kohë dhe nënshkruar nga Thaçi tregon mirë se gjuha e urrejtjes ndaj veprimtarëve të LDK-së ka pasur strategji dhe ka synuar që tëarsyetojë veprimet e bëra. Këto vrasje dhe kërcënime nuk janë zbuluar si rezultat i kapjes së drejtësisë në të gjitha poret e saj. Në fillim UNMIK është marrë me mbledhje të dëshmive të cilat në fund janë djegur ose një pjesë e tyre janë djegur në mënyrë të çuditshme, madje EULEX gjithashtu ka qenë më shumë një mekanizëm i mbulimit të krimit se sa luftues i krimit dhe i drejtësisë. natyrisht që këtu ka probleme te natyrës që kanë të bëjnë me ndarjen e Mitrovicës dhe garancionet e dhëna si duket që në kohën e marrëveshjes së Rambujes se Mitrovica dhe veriu do të mbetet i ndarë përderisa grupet e PDK-së dhe Thaçit janë në pushtet, d.m.th mos funksionimi i EULX e ka bazën në ndarjen e veriut”. Ka vlerësuar Abazi.

Ndërsa, sa i përket Gjykatës Speciale, ai thotë Kosova do të bëhet shtet vetëm kur të ketë gjyqësi të pavarur dhe ndoshta atëherë këto vrasje do të zbulohen.

“Sa i përket Gjykatës Speciale nuk është se është forma më e mirë që të ketë gjykate një etnike,  natyrisht që ky është rezultat i tentimit për të shpëlarë dosje por si duket si arsye qëështë përdorur ka ndryshuar, megjithatë unë mendoj që Kosova do të bëhet shtet vetëm atëherë kur ka gjyqësi të pavarur dhe funksionale dhe që kur drejtësia nuk është peng i krimeve të së kaluarës. Kjo rrjedhimisht do të thotë që nëse jo tani sigurisht që në të ardhmen këto vrasje do të zbulohen nga gjykatësit me vetëdije të lartë dhe profesionalizëm që do t'i kemi një ditë”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Shahu: Vrasjet nuk mund të zbulohen nga asnjë pushtet i dhunshëm e arrogant

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, ish gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu vlerëson se Gjykata Speciale është shpresa e vetme të cilën e kemi për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Gjykata Speciale është shpresa e vetme që të besojmë te merret me zbardhjen e vrasjeve politike të fund luftës e pasluftës në Kosovë. Vrasjet politike janë vrasje mafioze dhe nuk janë bërë që të zbulohen, janë bërë për të mos u zbuluar, dhe gjithmonë do të ketë konflikt për ato vrasje pasi dikush ende sot e gjithë ditën i quan disa tradhtarë, disa spiunë, disa titistë, disa udbasha etj etj”, ka vlerësuar Shahu.

Ai e quan atentatin më të rëndë nga lirisë në Kosovë faktin që vrasjet politike janë bërë për pushtet, për të cilat thotë se nuk do të zbulohen derisa të jetë kjo frymë pushteti, nuk mund të zbulohen nga asnjë pushtet i dhunshëm e arrogant.

“Vrasjet politike mafioze për pushtet për të marrë e mbajtur pushtet janë atentati më i rëndë ndaj lirisë e Kosovës, janë shëmtimi i Kosovës. Këto vrasje edhe pse përfliten edhe pse edhe mund të dihet nga ndokush pasi s'ka krim pa asnjë dëshmitar, nuk mund të zbulohen sa të jetë kjo frymë pushteti, sa të rrihet gjoksi se në jemi çlirimtaret dhe na takon pushteti. Vrasjet nuk mund të zbulohen nga asnjë pushtet i dhunshëm e arrogant. Dhe vështirë të ketë gjykatë të pavarur para pushteteve të dhunshme që besojnë se paraja blen gjithçka”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...