Metafizika e korrupsionit

Politika

Metafizika e korrupsionit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 12 korrik 2019 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Korrupsion, korrupsion, korrupsion! Kjo është fjala më e përdorur nga i madh e i vogël në vend, nga njerëz të rëndomtë, të varfër, të pasur, të ndershëm e bile edhe të korruptuar. Po po, edhe njerëzit e korruptuar në Kosovën tonë të vogël mund t’i shohim derisa bërtasin “i korruptuar” për dikë tjetër që jua ka zënë rrugën. Ia nxorëm yndyrën kësaj fjale, o milet i hjekur keq!

Prandaj, unë vendosa që këtë shkrim timin ta titulloja “Metafizika e korrupsionit”, ndër tjerash edhe për t’i bërë homazh një vepre të madhe të Arthur Schopenhauerit që quhet “Metafizika e dashurisë”.

Eh, kështu pra fort të dashtun lexues, ditën kur u arrestuan zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës për shitje të lejeve të veturave, u ndala dhe po mendoja. Jo për shitësit por për blerësit.

Kush ishin gjithë këta blerës të lejeve? Çka bënin, çka punonin, çka mendonin? Ku shkonin? A e shkelnin ndokënd me veturë? A ishin mësuar t’i grahnin mirë deri tash?

Por, mendova edhe për të afërmit e tyre: sa shumë ishin gjithë këta, nëse i mbledhim? Qindra mijëra?

Ndoshta një milion. Ndoshta dy – të gjithë ne. Ah, si s’kam një grusht të fortë, t’i bie Prokurorisë që s’bëzan – m’u hidh të vjershëroja, por ja që s’e bëra. A është ky korrupsion, o i dashur lexues?

Është, që ç’ke me të. Bile, lloji më i keq i korrupsionit. Korrupsion qyqarësh. Korrupsion njerëzish që për një leje kerri nuk patën guxim t’i thonin jo korrupsionit – si parim.

T’i thonin jo e t’i kallëzonin në polici ryshfetxhinjtë. Por, jo, lejet i morën dhe iu turrën Facebook-ut që të derdhnin moralizimet e tyre për gjëra tjera. Ata s’patën kurajë që as të ecnin në këmbë për vatanin. Jo. Ta marrë lejen unë, e pastaj hajt se bëhet mirë. Kështu menduan.

Por, të mos ngutemi. Korrupsioni ekziston edhe gjetiu, jo veç te ne. Ama, askund si te ne, nuk është i përhapur ky korrupsion qyqarësh.

Një korrupsion njerëzish që, ditën vjedhin, e natën e shajnë hajnin. Pra, korrupsion i hajdutëve të ndershëm. Pse ndodh dhe pse është kaq i përhapur? Hajt po i përmend shkurtimisht disa raste korrupsionesh tjera. Korrupsioni për të mos u dënuar në trafik.

Korrupsioni për të marrë statusin e veteranit të rremë. Korrupsioni për të marrë një punë, si për t’u bërë polic, për të punuar në Postë, për të punuar si mësimdhënës, së fundi korrupsioni i dyshur te noterët.

Ta përsëris: pse është kaq i përhapur? Eh, çështja është e thjeshtë, bile aq e thjeshtë sa do të na lë pa mend. Kultura e dembelisë na la shumicën prej nesh thuaj krejt të paaftë e të pakualifikuar, krejt të pazotë që të meritonim atë që e kërkonim.

Që të punonim natë e ditë, të punonim fort, e t’ia dilnim misionit tonë. Por, në vend të punës e gjetëm zgjidhjen: ishte korrupsioni. Ryshfeti, nepotizmi, klientelizmi. E kjo na bëri krejt të papërgatitur që t’i rezistonim apetitit të pangopshëm të klasës sonë politike.

Dhe, jo rastësisht, sa herë e përmendim fjalë korrupsion, mendja na shkon te politikanët tanë viganë, te më të mëdhenjtë e më të mëdhenjve, te shefat e shefave, Thaçi, Ramushi e Veseli. Po po, edhe te Veseli.

E pse të mos na shkojë mendja edhe te Veseli. Fundja, kryetar partie është. Këta janë disa nga përgjegjësit kryesorë, këtu s’kam ndonjë dyshim. Por, të mos ngutemi që të bëjmë një amnisti të plotë edhe ndaj njerëzve që i kanë vënë në pushtet këta njerëz.

Sepse, është evidente që edhe pas një serie të pandalshme skandalesh, njerëzit prapë në kutitë e votimeve, pa brejtje ndërgjegjjeje, i votuan po këta politikanë. Pra, shoqëria nuk është krejt e pafaj, në vetvete e dlirë dhe e mirë, që edhe kur korruptohet nuk e di se çka bën. Jo. Për atë arsye ai që e jep votën, duhet t’i ketë mbi 18 vjet.

Duhet të marrë përgjegjësi për zgjedhjen që e bën. E pra, te shoqëria jonë vazhdojmë të kemi një karakter të papërgjegjshëm, një karakter dembeli, që e lë veten të pakualifikuar.

Eh pra, dembelia o miq, dembelia për t’iu nënshtruar kritereve, dembelia për të mësuar qoftë edhe një provim të lejes së kerrit. Këtu qëndron korrupsioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat