Unë jam Jusuf Buxhovi

Politika

Unë jam Jusuf Buxhovi

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 12 korrik 2019 Në ora: 20:52
Jusuf Buxhovi

Mbrëmë, zoti Jusuf Buxhovi, tha se lufta e UÇK-së nuk kishte qenë e pastër sepse 102 zyrtarë të LDK-së ishin vrarë. Deklaratë e fortë! E guximshme! Bile, shumë e guximshme për një burrë që nuk ka akumuluar kapital e nuk shoqërohet me njerët të fortë rreth vetes. Për një njeri që mund ta zatetësh nëpër sokaqet e Prishtinës, e në shesh, duke ecur vetëm, me çapa të vegjël, mendueshëm.

Por, ja që edhe Buxhovin e hëngrën të gjallë. Gani Koci i PDK-së i tha spiun i Serbisë. Tha bile edhe se UÇK-ja do të duhej ta hiqte qafe. A s’përbën kjo thirrje për vrasje, o miqtë e mi? Po, iu them unë. Thirrje për vrasje është. Siguria e z.Buxhovi është në rrezik. Ec e dije se çka mund të bëj një i krisur kur e dëgjon Kocin duke folur kaq emocionalisht dhe e takon Buxhovin në ndonjë skutë të kryeqytetit, siç ndodh rëndom, krejt të vetëm.

Mirëpo, të merremi paksa me deklaratën e Buxhovit: a është e vërtetë se lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër? Pajtohem plotësisht. Lufta ishte e drejtë por nuk ishte aspak e pastër. Asnjë luftë në këtë dynja nuk është dhe nuk mund të jetë e pastër. Veç imagjinoni, kemi të bëjmë me vrasje njerëzish, me plumba, me krisma që t’i fusin ethet në bark, me frikë që menjëhershëm të injekton urrejtje për tjetrin.

Duam a s’duam ta pranojmë, UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar dhe e disiplinuar dhe kjo çelë hapësira të mëdha për dyshime. Si mund të përmbahej, në rend të parë, gjithë ajo urrejtje masive që e pamë pas lufte për serbët? Në ushtri të organizuara, janë komandantët ata që dirixhojnë ushtarët. Bile, edhe nëpër ushtri të organizuara është zor të përmbahet pezmi e urrejtja, dhuna e panevojshme e gjithë ai akumulim i ndjesive të këqija. Lëre më në ushtri të çorganizuar e që, le ta themi troç, s’kishte urrejtje veç për forcat serbe, por kishte edhe për njerëzit e LDK-së.

Po, or vëllezër e motra, UÇK-ja qysh në luftë e shfryu dufin e saj në kundërshtarët politikë. E më pas, edhe pasluftës. Nuk po flas për vrasje e për dhunë, po flas për retorikën e egërsuar ndaj njerëzve të palës tjetër politike.

Po, or vëllezër e motra, janë mbi 100 njerëz që dyshohet se u vranë për motive politike. Hajt po të ishte një a dy, a tre më së shumti, por mbi 100 është goxha shumë si shifër që të mohohet e shpërfillet në tërësi. Ky është një problem i madh i shoqërisë sonë!

Lufta e UÇK-së, po e përsëris, ishte e drejtë dhe na ndihmoi të çliroheshim nga Serbia. Por, të mos bëhemi njerëz të ligë, të mos mohojmë se ky formacion ushtarak ka mëkatet e veta.

UÇK-ja bëri edhe luftë politike. Dhe nuk duhet shumë punë që ta kuptojmë se liderët e saj, përmes një gjuhe agresive e mosduruese, përçarëse e të egër, e futën një popull në bela. Ne e kemi dëgjuar me veshët tanë deklaratën e Thaçit për Rugovën në kohën e luftës. Po ashtu, me sytë tanë i kemi parë veprimet përçarëse të tij. Kjo ka qenë e hapur për të gjithë. Publike. S’ka kurrfarë sekreti.

E pra, pse po ngulmohet që të mbrohet pastërtia e saj? Epo, kam drojë se këtu nuk është në pyetje aspak Serbia. Domethënë, kur thonë “lufta e UÇK-së ishte e pastër” nuk e kanë ndërmend aspak Serbinë, por fshehjen e panevojshme për sytë tanë, të asaj belaje të brendshme.

Ata duan që Kosova të harrojë ata 102 zyrtarë të vrarë të LDK-së. Dhe problemi, për fat të keq, është edhe më i thellë se kaq. Sepse, duke mos e pranuar UÇK-në si një ushtri të zakontë e të çorganizuar, domethënë ashtu siç ishte, ata po kërkojnë ta identifikojnë veten me të. Po kërkojnë ta identifikojnë veten me vrasës e përçarës.

UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe pa fijen e dyshimit mund të themi se kishte edhe ushtarë që nuk kanë bërë kurrfarë krimi, e që kanë qenë idealistë të vërtetë, që meritojnë të puthen në ballë. Por, kishte edhe ushtarë e komandantë, që përçanë e vranë. A s’është në të mirën edhe të vetë ushtarëve të mirë e të pastër të UÇK-së që të dihet se kush ishte i keq e kush ishte i mirë? Pa dyshim që po. Veç i keqi nuk do që të evidentohet e keqja e tij. E prandaj, kërkon ta uniformojë moralin e UÇK-së. Të gjithë të mirë. Pse? Sepse frikësohet që gjykimi popullor do ta identifikojë si të keq, që do t’i dalë e zeza sheshit. Që thjesht ky gjykim popullor do të jetë haku kundër tij.

Eh, po pra miqtë e mi, nuk është telashja te Jusuf Buxhovi, një vrojtues i drejtë e që e tha atë që e mendonte. Telashja është te ata njerëz që e shkelën demokracinë, e shkelën gjyqësinë, e shkelën ekonominë dhe po e shkelin edhe fjalën e lirë.

Buxhovi fizikisht mund të ecë vetëm. Por, ai nuk është vetëm. Ai është një prej nesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat